Edukimi i fëmijëve, tekste dhe metoda të reja në kopësht

Ministria e Arsimit fut metoda të reja për edukimin e fëmijëve në kopshte. Tekstet e reja që do të përdoren nga edukatorët për moshat nga 3 deri 5 vjeç, parashikojnë që përveç njohurive e dijeve të para, të fokusohen edhe tek lojërat, për një zhvillim edhe më të mirë motorik të fëmijëve.”Ky është libri që u përfundua dhe u është shpërndarë tashmë të gjithë mësuesve të ciklit të parë, titulli i të cilit është “Hapat e para”. Në këtë udhëzues metodikë mësuesja e Kopshtit udhëzohet se si në mënyrë të integruar mund të zhvillojë veprimtarinë edukative në kopsht. Është në ndër librat që për herë të parë prodhohet si i tillë, i cili mbështetet në kurrikulën ekzistuese, në programin ekzistues për kopshtin, në standardet e arritjes së fëmijëve sipas grupmoshave dhe në standardet e përmbajtjes”, thotë Pranvera Kamani, drejtore e Arsimit Parauniversitar në MASH. Në metodat e reja që janë hartuar me konsulentë ndërkombëtare, janë parashikuar për herë të parë edhe rubrika të veçanta për fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe ata që vuajnë nga autizmi. Ndërkaq përparësi po i jepet edhe trajnimit të edukatorëve. “Për herë të parë në të gjitha mësimet shembuj që janë dhënë, apo organizimit e veprimtarive edukative shembuj që janë dhënë në këtë udhëzues, ka një rubrikë më vete, se si mësueset duhet të planifikojnë punën për fëmijët me aftësi të kufizuar”, vijon Kamani. Të dhënat e Ministrisë së Arsimit tregojnë se mbi 80 për qind e fëmijëve 3-5 vjeç frekuentojnë ciklet e parashkollorit. Këtu përfshihen edhe fëmijët e zonave rurale, të cilat ndoshta jo në kopshte të mirëfillta janë të përfshirë në klasa të krijuara posaçërisht brenda shkollave 9-vjeçare.