EKSKLUZIVE/ Flet Reshat Kripa: Përfitimi për 85-vjeçarët, ja çfarë duhet ndryshuar në projektligjin e ri

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Partia Socialiste, demagogji me ish të përndjekurit. Formula e llogaritjes së dëmshpërblimit, fondi që nevojitet

 

“Është bërë një amendament që ka më tepër se një vit, i cili parashikon disa ndryshime: parashikon që të dënuarit, miratuar nga Këshilli i Ministrave, të paguhen me një këst, që më mbrapa në diskutimet e Komisionit është vendosur që të paguhet me dy këste. Ndërkohë që janë disa të dënuar që kanë në dosjet e tyre si shënim nenin e “terrorizmit”. Ky nen duhet thënë se konsiderohet si nen ordiner”. Kështu bën me dije gjatë një interviste për “Republikën”, Reshat Kripa, kryetar i Degës së Tiranës në Shoqatën Antikomuniste Shqiptare. Sipas tij, Partia Socialiste po bën demagogji me kategorinë e ish të përndjekurve politikë. “Në të gjitha këto ligje që miratoi qeveria në pushtet, socialistët nuk morën pjesë në votim. Çuditërisht, tani na del që ai është pro dhe bën ca propozime amenduese dhe jo reale, të cilat janë të paarritshme. Ligji i dëmshpërblimit përmban në thelb të tij dëmshpërblimin me 2 mijë lekë të reja për çdo ditë burgu të ish të përndjekurve, ndërsa Edi Rama, sipas propozimeve të tij që kjo vlerë të shkojë 25 euro për çdo ditë burgu dhe se do t’i dëmshpërblejë të gjithë ish të përndjekurit që janë gjallë për dy vite”,- vijon më tej Reshat Kripa.

– Cilat janë disa nga problemet që për shoqatën tuaj mbeten ende të pazgjidhura sa u takon çështjeve të ish të përndjekurve?

Para disa ditësh, ne si shoqatë kemi përgatitur një deklaratë për shtyp, të cilën ia kemi dërguar dhe Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topallit. Në këtë deklaratë, kemi shprehur qëndrimin tonë karshi dekretit të Presidentit për dy emërime në Gjykatën Kushtetuese. Shoqata jonë nuk është dakord për aprovimin e këtyre dy kandidaturave. Në muajin janar kemi bërë një takim me Presidentin e Republikën dhe ai na premtojë se në kandidaturat që do të prezantohen për kandidatura të ndryshme, nuk do të jenë figura që kanë qenë të përlyera me organet e diktaturës. Ne konstatojmë se dy zotërinjtë e propozuar në fjalë për të qenë pjesë e gjykatës Kushtetuese, si Besnik Imeraj dhe Gani Dizdari, kanë qenë pjesë e atij sistemi komunist. Si pasojë e kësaj situate nuk ka erdhi aspak mirë, sidomos kur kjo çështje u miratua në Komisionin e Ligjeve. Ne mendojmë se po bën më shumë se 22 vjet që sistemi komunist në Shqipëri është përmbysur, atëherë përse këta individë të ardhur nga ai sistem duhet të jenë pjesë e organeve drejtuese të gjykatave dhe organeve të tjera më të larta të vendit?! Nuk janë të paktë studentët që kanë mbaruar studimet pas viteve ‘90, të cilat kanë një eksperiencë pune prej 15 vitesh. Kjo moshë është e denjë për të drejtuar këto poste, pasi nuk është përlyer me sistemin e egër komunist. Nuk e dimë nëse kjo deklaratë do merret parasysh apo jo.

 

– Ç’mund të na thoni lidhje me ligjin për dëmshpërblimin dhe amendamentit që pritet të miratohet në Kuvend për moshën mbi 85-vjeçare?

Është bërë një amendament që ka më tepër se një vit, i cili parashikon disa ndryshime; Parashikon që të dënuarit, miratuar nga Këshilli i Ministrave, të paguhen me një këst, që më mbrapa në diskutimet e Komisionit është vendosur që të paguhet me dy këste. Ndërkohë, që janë disa të dënuar që kanë në dosjet e tyre si shënim nenin e “terrorizmit”. Ky nen duhet thënë se konsiderohet si nen ordiner. Të tillë janë konsideruar të arratisurit nga burgu i Burrelit, në të cilin një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u kapën dhe u dënuar sërish. Me të njëjtin nen u dënuan dhe të burgosur nga revolta e Spaçit. Kjo revoltë u quajt si akt terrorist, në të cilën ngelen 4 persona të vrarë dhe disa të dënuar, të cilët nuk përfitojnë dëmshpërblim. Ndërkohë, kemi revoltën e Qafës Së Barit, në të cilën ngelen 3 të vrarë dhe disa të burgosur, të cilëve u është hequr e drejta për dëmshpërblim. Duhet thënë se heqja e këtij neni është përfshirë në këtë projektligj. Ndërkohë, një tjetër problem që mbart ky projektligj është dhe afati i fillimit të dëmshpërblimit, i cili më parë ishte 30 nëntori i vitit 19944, ndërsa sipas këtij projektligji, data ka shkuar në 25 tetor të vitit 1944, me pak fjalë fillimi i Luftës së Tiranës, ku kanë ngelur të vrarë 38 persona. Një tjetër probleme është dhe fakti se është zgjatur afati i dorëzimit të dokumenteve. Kjo sepse sipas ligjit në fuqi, afati i fundit ishte korriku i vitit 2009. Mirëpo, në pjesë e madhe e ish të përndjekurve nuk kanë qenë në Shqipëri, një pjesë nuk ka dorëzuar dokumentet. Ndaj dhe afati i dorëzimit është zgjatur, por ne jemi të mendimit që të ketë afat për dorëzimin e dokumenteve. Ky projektligj ka kaluar për miratim në Komisionin e Ekonomisë dhe Komisionin e Ligjeve, madje i është bërë dhe një ndryshim në këtë fazë. Ky ndryshim ka ndodhur, për shkak të propozimit të vetë anëtarëve socialist në Komisionin e Ligjeve, të cilët kanë hedhur idenë që të ulet mosha nga 85-vjeç në 75 vjeç, të cilët do të përfitojnë dëmshpërblim me dy këste. Ky ligj, tashmë i ka kaluar prej shumë kohësh parlamentit, i cili ende s’ka kaluar për votim. Nëse qeveria nuk ka fonde dhe mundësi për të arritur në zbatim këto projekte për ish të përndjekurit, atëherë ky është një tjetër problem. Megjithatë, ky projektligj nuk duhet të vonohet më që të miratohet, pasi dita-ditës po shuhen të gjithë ata ish të përndjekur që janë mbi moshën 85 –vjeç.

 

– Sa është numri i ish të përndjekurve në total që presin të dëmshpërblehen?

Sipas një llogarie të thjeshtë, të dënuar politikë që jetonin në vitin 2009 kanë qenë 3200 persona, ndërsa nga ata që nuk jetojnë pas vitit 2009 janë 800, ndaj mbeten për dëmshpërblim gjithsej 2400 persona, të dhëna këto nga Ministria e Financave. Ndërkohë, kemi dhe informacione për të dëmshpërblyer gjatë vitit 2011, mbi moshën 85 vjeç që jetonin, ndërkohë ata që kanë humbur jetën janë rreth 50 persona. Ndaj, sa i takon kësaj moshe, kanë ngelur për t’u dëmshpërblyer 350 persona. Një tjetër të dhënë që ne kemi si shoqatë është dhe ajo e viteve të burgut. Vitet e burgut janë llogaritur mesatarisht për çdo person, 8 vite burg. Kjo mesatare është nxjerrë në vitin 1993 kur diskutohej caktimi i viteve që do të dëmshpërbleheshin të pushkatuarit. Kështu, nëse do të bënim një llogari të thjesht do të shihnim se: në rast se për një të dënuar marrim mesatarisht 8 vite burg, duke zbritur 2 vite që janë paguar, atëherë mbeten:

2400 persona për 6 vjet, duke u shumëzuar me 365 ditë dhe me 2 mijë lekë të reja për çdo ditë, atëherë del shuma 10.512.000.000 lekë, ose 75. 085. 714 euro. Nëse ndahet në dy këste, atëherë do të kemi këtë përllogaritje: 10.0512.000.000 : 2 = 5.256.000.000 lekë, ose 37.542.857 euro për të gjithë këta persona në total për t’i dëmshpërblyer. Nëse do të llogarisnim koston që duhet për të përballuar likuidimin e 85-vjeçarëve, atëherë do të duheshin këto fonde:

Për 300 persona që jetojnë dhe që janë mbi moshën 85-vjeç, kostoja totale është 10. 950.00 euro, kjo vetëm me një këst. Ndërkohë, nëse do të bëhej likuidimi i tyre në dy këste, atëherë do të duheshin 5.475.000 euro. Nëse shteti nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të dëmshpërblyer të gjithë ish të dënuarit politikë, atëherë detyrimisht për këtë moshë duhet ta bëjë.

 

– Tashmë po afron dhe fushata elektorale. A ka pasur nga ato parti politike, të cilat kanë shfaqur interes që pjesë e programit të tyre të jenë dhe ish të përndjekurit politikë?

Ne si shoqatë jemi antikomunist, që do të thotë që përkrahim forcën politikë të djathtë. Mënyra sesi i shohin blloku socialist historinë është e kundërt nga ajo që e konceptojmë ne. Ne kemi kritikat tona ndaj pushtetit të sotëm, siç janë defektet e projektligjit që përmenda më lartë, ndaj është dhe rreziku i bojkotimit. Ndaj mosvajtja në zgjedhje është e barabartë me votën kundër, ndaj këtë gjë duhet të këtë parasysh Partia Demokratike. E theksoj me të madhe që çështjet e ish të përndjekurve politikë është politizuar së tepërmi nga partia Socialiste. Ajo po përdoret për demagogji për zgjedhjet e 23 qershorit. Ne kemi të drejtat tona që na takojnë me ligj dhe jo me anë të demagogjive. Edhe një grup i përndjekurish politikë që dhe për ne nuk janë të përndjekur, kjo pasi një pjesë e tyre janë arrestuar për një vepër ordinere dhe është kthyer politike. Disa prej tyre kanë vjedhur dhe tashmë qarkullon në ditët e sotme si i përndjekur politikë. Madje disa prej tyre flasim ne zë të lartë se janë të përndjekur dhe kërkojnë të drejtat, por në kurriz të të përndjekurve të vërtetë. Pikërisht shumicën e këtyre elementeve përdor Edi Rama në propagandën e tij. Ndaj jemi ngritur dhe ne, kjo pasi PS-ja nuk e ka ngritur para shumë kohësh zërin për ne dhe pse pikërisht sot?! Pse PS-ja nuk e ka ngritur zërin dhe nuk e ngreh zërin për hapjen e dosjeve, por dhe ai ligj që u miratua nga qeveria, u kundërshtua nga partia Socialiste. Madje, ka dhe një sërë problemesh të tjera të kësaj natyre, për të cilat PS-ja ka heshtur.

 

– Sa të përkrahur kanë qenë ish të përndjekurit politikë përgjatë këtyre 20 viteve?

Mbas rënies së regjimit do ta ndaja në 3 faza vëmendjen që i është kushtuar ish-të përndjekurve politikë. Faza e parë përfshin vitet 93-97, faza e dytë 97-2005 dhe faza e tretë pas 2005-ës. Në fazën e parë vëmendja ndaj ish të përndjekurve politikë ka qenë në nivelet më të larta. Kjo, pasi u dhanë  të drejta studimi, u emëruan shumë të përndjekur politikë në poste të rëndësishme shtetërore, në parlamentin e parë shqiptarë kishte 38 të përndjekur, u dhanë banesa. Pra, kjo periudhë konsiderohet e favorshme për ish të përndjekurit. Ndërsa periudha e viteve 97-2005, gjatë regjimit të socialistëve çdo gjë u barazua me zero për të përndjekurit. Në lidhje me ligjin e dëmshpërblimit u miratua një ligj mjaft qesharak, i cili ishte baras me një kafe në ditë, në formën e pensionit vetëm për ata që ishin gjallë. Mbas vitit 2005 ka pasur një lloj ndryshimi dhe kthimi në vëmendje të kësaj kategorie. Më pas, vjen faza e tretë, e cila fillon nga viti 2005 e deri në ditët e sotme. Në këtë kohë u miratua ligji për ish të përndjekurit, u miratua dhe rezoluta për ish të përndjekurit. Në të gjitha këto ligje që miratoi qeveria në pushtet, socialistët nuk morën pjesë në votim. Ishte pikërisht Edi Rama, kryetar i kësaj partie, që nuk pranojë të votojë këto ligje. Çuditërisht, tani na del që ai është pro dhe bën ca propozime amendësuese dhe jo reale, të cilat janë të paarritshme. Ligji i dëmshpërblimit përmban në thelb të tij dëmshpërblimin me 2 mijë lekë të reja për çdo ditë burgu të ish të përndjekurve, ndërsa Edi Rama, sipas propozimeve të tij që kjo vlerë të shkojë 25 euro për çdo ditë burgu dhe se do i dëmshpërbleje të gjithë ish të përndjekurit që janë gjallë për dy vite. Të gjitha këto propozime të tij janë të paarritshme dhe nuk realizohen dot, ndaj janë demagogji.

Edlira MEMA

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here