Ekskluzive/ Si përfitohet dëmshpërblimi financiar për ish të dënuarit politikë

Ish të përndjekurit, emrat që kanë probleme me dokumentacionet

Vijon publikimi i dosjeve më mangësi. Dokumentet që duhet të dorëzohen nga emrat e listuar, pranë Drejtorisë së Pagesave për ish të Përndjekurit Politikë. Kriteret që duhet të plotësohen nga të interesuarit

Ndonëse vazhdon procedura e dorëzimit të dosjeve për të përfituar dëmshpërblim, për të gjithë ata persona që kanë kryer vite burgu ose të pushkatuarit pa gjyq, disa prej dokumentacioneve në dosjet e këtyre personave nuk rezultojnë të rregullta. Lidhur me këtë problem, gazeta “Republika” po bën publike disa emra dosjesh me mangësi që i përkasin qarkut të Shkodrës, Fierit, Sarandës dhe Kukësit. Në radhën e këtyre dosjeve rezultojnë të jenë emrat e të gjithë personave që nuk kanë sjellë dokumentacionet në rregull. Në këto dosje mungojnë dokumente të tilla si; akti i trashëgimisë apo certifikatat e vdekjes së ish-dënuarve. Nëse këto dosje nuk rikuperohen në kohë, askujt prej personave të listuar më poshtë nuk i lind e drejta për të marrë dëmshpërblim financiar. Ndërkohë, për të gjithë ata ish të dënuar që kanë përfituar këstin e parë dhe renditen tek ata përfitues mbi moshën 65 vjeç për të përfituar këstin e dytë, duhet të bëjnë verifikimin e dokumentacioneve, pasi ato nuk janë të plota. Kontrollimi i dokumentacioneve duhet bërë për faktin se gjatë vitit 2009, është bërë pagesa e dëmshpërblimit me ligjin 9831, datë 12.11.2007, i pandryshuar. Më vonë. është ndryshuar ky ligj me ligjin 10111, datë 07.02.2008, i cili ka shtuar disa dokumente, për të cilat në fazën e parë të pagesës nuk janë depozituar. Në këto kushte, i njoftoj të gjithë ish të dënuarit që aktualisht jetojnë dhe trashëgimtarët e atyre nuk jetojnë më, që kanë marrë pagesën gjatë vitit 2009, duhet të kontaktojnë për plotësimin e dokumentacioneve.

Rastet e dosjeve me mangësi

Dosjet me mangësi janë dosje në të cilat janë postuar dokumente të fotokopjuara, të panoterizuara, me certifikata të fotokopjuara (këto nuk kanë vlerë pa u noterizuar), me numra llogarie të hapura në monedhë të huaj (edhe kjo është e papranueshme për ne). Gjithashtu, dosjet me mangësi mund të jenë edhe ato ku mungojnë mjetet e identifikimit të personave që do të tërheqin paratë. Të gjithë personat që kanë depozituar dokumentacionet për të përfituar dëmshpërblim financiar, për shkak të viteve të burgut gjatë regjimit komunist, duhet të veprojnë në përputhje me nenin 14, nr. ligjit 19831. Nëse një i interesuar ka depozituar dosjen pranë zyrave të drejtorisë së pagesave për ish të përndjekurit politikë ose me anë të postës, brenda saj duhet të ketë, bashkëngjitur me dokumentacionet, numrin e vendimit të Këshillit të Ministrave, ku është i listuar personi për pagesë, numrin e dosjeve individuale dhe një numër telefoni të njërit prej personave të interesuar.

Dorëzimi i dokumentacioneve

Dokumentacionet mund të dorëzohen nga familjarët, pranë Drejtorisë së Pagesave për ish të përndjekurit politikë, çdo të martë dhe të enjte.

 

Për të gjithë ata ish të dënuar që kanë përfituar këstin e parë dhe renditen tek ata përfitues mbi moshën 65 vjeç për të përfituar këstin e dytë, duhet të bëjnë verifikim e dokumentacioneve, pasi ato nuk janë të plota. Kontrollimi i dokumentacioneve duhet bërë për arsye se gjatë vitit 2009 është bërë pagesa e dëmshpërblimit me ligjin 9831, datë 12.11.2007, i pandryshuar.

 Edlira MEMA