Në një lagje të Vithkuqit, 1000 kilometra larg Tiranës

Nga Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani / “Mjeshtër i Madh”

Në shtator të vitit 1995, gjatë Festivalit Folklorik Kombëtar, të zhvilluar në Berat, mori pjesë si i ftuar edhe një grup grash nga fshati Mandricë. Këngët dhe vallet e interpretuara nga ai grup tërhoqën vëmendjen, për më tepër nga përfaqësimi i një vendbanimi nga diaspora shqiptare. Ky ngulim për nga origjina është i hershëm, teksa rreth 400 vjet më parë banorët e tij janë larguar nga fshati Vithkuq i Korçës.

M’u rrënjos në vëmendje emri Mandrica, për mundësinë e organizimit të ndonjë ekspedite në të ardhmen. Deshi rasti që në qershor të këtij viti, në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar Polifonia Shqiptare 2012, të zhvilluar në Bylis të Mallakastrës nga shoqata “Polifonia shqiptare”, të ishte i ftuar edhe një grup folklorik grash, pikërisht nga Bullgaria, i drejtuar nga Ajvallo Petrov nga Mandrica.

Duke kryer funksionin e kryetarit të jurisë të atij festivali, e kërkonte detyra që të komunikoja edhe me drejtuesin përkatës. Gjatë bashkëbisedimit me të shpreha interes pikërisht për Mandricën. Mësova se Ajvallo Petrov ishte biznesmen nga ai fshat, me banim në Sofje. Në një mjedis ndërtimor të këndshëm, kishte ngritur atje një shtëpi pritjeje, e quajtur “Bukur shtëpia” (Vendbanim dhe hotel). I nteresimin tim për folklorin e atij fshati, ai e priti me dashamirësi, duke më ftuar për të realizuar ekspeditën e dëshiruar. Madje ofroi edhe sponsorizimin. Pa dyshim që kjo ftesë më inkurajoi së tepërmi.

Rasti e solli që me ndihmën miqësore e financiare të Selim Hoxhajt, Konsull Nderi i Bullgarisë në disa qytete të Shqipërisë së Jugut, i cili në Festivalin e Bylysit kryente detyrën e përkthyesit me grupin bullgar, të nisesha për në Bullgari.

Ekspedita pati karakter vetjak dhe u mundësua gjatë periudhës 11-24 nëntor 2012. Mbasi kaluam një natë të këndshme në Sofje, përmes shoqërimit të Ajvello Petrov, të nesërmen udhëtoj për në Mandricë, rreth 1000 km larg nga Tirana.

Përmes kryetarit të bashkësisë së Mandricës, Hristo Peev, i cili më shoqëroi gjatë gjithë qëndrimit tim prej tetë ditësh, mësova se toponimi “Mandra (cë)” Mandricë është tip fjale shqipe, që rrjedh nga “mandra – kope apo stan”.

Banorët e atij fshati, tashmë, më së shumti të braktisur, janë vendosur në Mandricë rreth 400 vjet më parë, të larguar nga fshati Vithkuq i Korçës. Do të veçoja faktin se një grup prej atyre banorëve kujtonin me mall dhe emocione të thella një vizitë turistike që kishin bërë në Vithkuq para dy vitesh. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit mandricarët janë lejuar të deklarohen se janë shqiptarë, kur më parë një gjë të tillë e kishin të ndaluar.

Në kohën e procesit përgatitor për këtë ekspeditë, mësova se vite më parë ai fshat ishte vizituar edhe nga shqiptarë të tjerë. Kështu, Kol Jakova, kishte qenë në shtator të vitit 1949 (“Një vizitë në fshatin Mandricë”, revista “Nëntori”, Tiranë, 1957, Nr.12, f. 250-252); Dhimitër S. Shuteriqi, në nëntor 1959 (“Fshati shqiptar i Bullgarisë Mandrica, studim dhe tekste”, “Studime filologjike”, Tiranë, Nr. 1, f. 103-113) dhe Alush Kamberi e Muharrem Idrizi, në tetor 1996 (“4 shekuj të pagjunjëzuar”, Shtëpia botuese “Konica”, Tetovë- Maqedoni, 129 faqe).

I parashtrova këto tre kujtesa, me karakter historik, gjuhësor dhe gazetaresk, për faktin se trajtesa e lëndës në këtë shkrim ka qenë edhe nga informacioni i botimeve të mësipërme. Ndaj, shkurtimisht do të dëshmoja për disa dukuri të shkëputura nga një kapitull i vëllimit tim monografik në proces, “Etnokoreografi shqiptare në diasporë”.

Mandrica ndodhet në pjesën lindore të maleve të Rodopeve, në juglindje të Bullgarisë, e përfshirë administrativisht në rrethinat e qytetit Ivaillograd. Pas Luftës së Parë Botërore, fshati ka pasur rreth 400 shtëpi me shqiptarë. Në vijim, shumë mandricarë emigruan në Zelandë të Re, Meksikë, Australi dhe Kanada. Fillimisht, në prag të vendosjes së kufijve të vitit 1913, disa mandricarë u shpërngulën për në Greqi dhe formuan atje fshatin e quajtur Mandra apo Karaklis, me të cilin ruajnë marrëdhënie reciproke; më pas mandricarët u vendosën edhe në rrethinat e Selanikut.

E shënova fshatin Karaklis, sepse, me shoqëruesin vendas, Hristo Peev, bëmë një orvatje për të shkuar edhe atje, por me keqardhje nuk na u lejua. I njohur është fakti historik së për shkaqe të luftës ruso – turke (1828-1829) mandricarët kanë emigruar edhe në Besarabi dhe Ukrainë. Në Ukrainë kanë ngritur tre fshatra: Gramovka, Gjeogjervka dhe Djevnjeskaje. Vendasit me keqardhje kujtojnë amanetin e të parëve të tyre: “Mos e shpërndani gjakun tuaj gjithandej!”.

Mandricarët njihen nikoqirë dhe mikpritës. Më së shumti janë të njohur për mbarështimin e mëndafshit, ndaj kultivojnë edhe shumë mana, “Kush mbjell mana – korr flori”,- thonë vendasit. Por banorët janë marrë edhe me blegtori, bujqësi dhe rritjen e duhanit. Mandricarët ishin edhe artizanë, ndaj nuk kishte shtëpi që të mos kishte vegun e vet, ku punoheshin zbukurimet tradicionale dhe veshjet popullore (vajzat, kryesisht me fustane, kurse burrat me fustanella, vonë me poture e brez ngjyrë kafe).

Fshatin e përshkon Lumi i Bardhë, që i jep atij një bukuri të rrallë dhe natyrës një gjelbërim gjithëstinor. Fshati përbëhet nga tri mëhalla: Hambrit mëhallë, Kumit mëhallë, Demesmit mëhallë.

Mandricarët e sotëm mbajnë mend se fshati i tyre ka pasur gjallëri të jashtëzakonshme, “botëna zallohitnin shqipçen”, domethënë njerëzit flisnin shqip. Traditat dhe zakonet i kanë shqiptarçe, duke ruajtur thesaret e çmuara të trashëgimisë popullore. Këtë fakt do ta dëshmojmë me skalitjen e shqiponjës në një pllakë guri të vendosura në kishën e Shën Mitrit dhe në atë të “Kishës së vdekjes”. Me këtë rast, nuk mund të mohohen edhe ndikimet bullgare, greke apo turke në veprimtaritë e trashëgimisë kulturore. Megjithatë, zotëronte shprehja filozofike popullore: “Mos e harro Mandricën! Vetëm të jesh sipër dë zë” (mbi dhe).

E tërë Bullgaria e di tashmë se Mandrica është shqiptare ndaj edhe vendasit krenohen. Pikërisht për këtë ata kanë qenë të detyruar të ndesheshin së shumti me “shklitë” (bullgarët). Një grua e moshuar u shpreh: “Ne jemi shqiptarë nga rrënja. Do të luaj e vallëzoj edhe kur nuk do të më mbajnë këmbët. Me bastun do ta heq vallen!”.

Në Mandricë, janë festuar shumë festa, më së shumti Pashkët, teksa te kjo e dyta “dita e tretë i takonte ahengut të fshatit, i cili zhvillohej në sheshin e quajtur qershia”. Këtu dallonin vallet e përcjella me gajde. Po ashtu, organizoheshin edhe panaire, ku shquanin karnavalet. “Në festën e Shëngjergjit,- tregojnë vendasit,- në mbrëmje, në periferi të fshatit ndizej një zjarr i madh dhe të rinjtë vallëzonin duke u sjellë përreth zjarrit”. Shënuam, gjithashtu, edhe një të dhënë: “Gjatë dasmave, në rrugëtimin e ngadalshëm nëpër fshat, dasmorët aty-këtu, ndaleshin dhe hidhnin valle e këndonin. Në këto raste, bëheshin një, dy e deri tri valle. Valleve, zakonisht u prinin meshkujt, ndërsa femrat hynin të fundit në kërcim. Bile ato nuk kapeshin për dore me meshkujt, por për shamie ose për mënge”. Dukuri etnokoreografike interesante përbën, ndërmjet të tjerash, edhe figuracioni në tre rrathë të mbyllur njëri brenda tjetrit: rrethi i vogël formohej nga vajzat; rrethi i mesëm nga djemtë; rrethi i madh nga çifte të martuar. Vendasit e përcaktojnë këtë pamje të madhërishme me shprehjen “Lomishë në valle”, kurse për ekzekutimin në rreth të madh e saktësojnë si “muz – zhunçi”. Më i dukshëm është figuracioni në grup gjysmërrethi, me zhvendosje nga e djathta, njëlloj si kërcimet shqiptare.

Gjatë qëndrimit në Mandricë, punova kryesisht me individë dhe grupe grash të moshuara. Pata objekt, kryesisht tri valle grash të kënduara: “Vallja e Millkës”, “Vallja mate” dhe “Tri vet” bullë çobanë”. Gratë kanë në repertorin tradicional edhe kërcime të tjera, si: “Vallja e Dimçes”, “Vallja e Veselit” etj. Kurse burrat shquajnë për vallet: “Elenamome”, “Kasapçkata”, “Padjushka”, “Roçanica”, “Ternomova” etj. Tregojnë se vallet, veç të kënduara, janë luajtur edhe me shoqërim të instrumenteve muzikorë, të lashtë këto, si lyra dhe gajdja. Nuk kanë munguar edhe kavalli, klarineta e violina. Nga ana tjetër, në këngët e grave njëra udhëheq, kurse të tjerat bashkëngjiten dhe mbajnë edhe “iso”.

Vendasit e flasin sot gjuhën shqipe me vështirësi, por pata fatin që të komunikoja paksa edhe nëpërmjet rusishtes. Më tërhoqën vëmendjen disa fjalë shumë të përafërta me shqipen bashkëkohore, si: glisht (gisht), hurre (furrë), bila (bija), gola (goja), vdesë (vdiq), nuku (jo), levoj (luaj), ndriu (ndriçon), ustan (fustan), zallahi (flas), klumësht (qumësht), krue (krye), jetër (tjetër), pjas (pyes) etj. Gjithashtu, është i pasur folklori, në përgjithësi, me anekdota, proverba, fjalë të urta, përralla, gjë e gjëza, mallkime, urata etj.

Si përfundim, do të theksoja se të dhënat e mësipërme i pata nga subjekte gra, si: Maria Peva, Marie Stoenceva, Sulltana Aleksandro, Millka Sillkova, Maria Konstadinova, Evdokosi Meskova, Velika Çubanova, Kalina Peev etj. Kurse subjekte burrash ishin: Ivallo Petrov, Hristo Peev, Vasil Llazov, Vangjel Popov, Kostandin Bajçev, Atanas Bajçev, Llambo Popov, Dhimitër Milluskov, Giorgi Gajdexhov, Ivan Ivanov etj. Duket qartë se sufiksi “ov” te mbiemrat është rezultat i ndikimit nga gjuha bullgare.

Në Mandricë dhe Sofje, pata rastin të fotografoja mjaft pamje, kryesisht nga kultura shpirtërore dhe materiale tradicionale, ku do të veçoja një kollan brezi, një shqiponjë metalike, zbukurime të veshjeve, artizanate popullore, mjedise pune dhe veçanërisht kërcime grash. Gjithashtu, realizova incizime të të dhënave për Mandricën, si edhe kryesisht për këngët shoqëruese të valleve të grave. (Fondi Arkivor Vetjak i Autorit).

Në Mandricë, veç ngritjes së fundi të vendbanimit “Bukur shtëpi”, sipas të dhënave të atjeshme, ishin projektuar edhe një shtëpi muze dhe disa godina me karakter turistik. Këto investime i kishte marrë përsipër t’i realizonte biznesmeni vendas, Ivallo Petrov. Mendohej që ai fshat i bukur, pothuajse i rrënuar tashmë, të merrte pamjen e një qyteze bashkëkohore dhe moderne.

Gjatë kthimit nga Mandrica qëndrova dy ditë në Sofje ku nën shoqërimin e Arxhero Rozhenit shijova bukuritë mahnitëse të kryeqytetit bullgar. Veç të tjerash, në njërin nga universitetet e Sofjes, u takova me Dr. Russana Bejleri, bullgare e martuar me shqiptar, shefe e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Bashkëbisedimi u përqendrua, kryesisht për Mandricën. Një vizitë bëra edhe në ambasadën shqiptare në Sofje, ku zhvillova një bisedë me ambasadorin Petrit Karabina. Edhe këtu temë ishte Mandrica. I sugjerova për dhënie të ndonjë ndihmese atij fshati, si: flamuj kombëtar, abetare, literaturë shqipe etj.

Objekt hulumtimesh për dokumentacione shkruese lidhur me Mandricën pata edhe gjatë kthimit në qytetin e Tetovës, kryesisht lidhur me autorët e një vepre të përmendur më sipër, me njërin prej të cilëve zhvillova bashkëbisedime frytdhënëse.

Veç qëndrimit komod në Mandricë, në vendbanimin e “Bukur shtëpi”, do të veçoja edhe dy pritje familjare që m’u rezervuan në qytetin Kërxhali nga bashkëshortët Kalina e Hristo Peev dhe tjetra në Sofje nga bashkëshortët Maria dhe Ivallo Petrov.