Emigrantët, ja si mund të vërtetohen kontributet për pension

INAS, zyrë informacioni për sigurimet në Shqipëri

Përkujdesja dhe garantimi i përfitimeve që rrjedhin nga kontributet e paguara në skemën e sigurimeve shoqërore në Shqipëri, nga shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë është në qendër të vëmendjes të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ky ka qenë, në thelb, mesazhi i dhënë nga drejtoresha e përgjithshme e ISSH-së, Vjollca Braho, në takimin me temë “20 vjet emigracion Shqiptar në Itali”, i cili u organizua dje, në Tiranë, nën kujdesin e patronatit italian INAS-CISLI dhe Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Pjesëmarrës në këtë takim ishin drejtues të patronatit INAS-CISLI, anëtar të Senatit Italian, përfaqësues të Ambasadës Italiane në Tiranë, drejtuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ministrisë së Punës, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme që merren me problemet emigracionit. Gjatë takimit, kryefjala ishin vlerat e emigrantëve shqiptarë si urë lidhëse mes dy vendeve, si dhe kujdesi i institucioneve shqiptare ndaj kësaj kategorie. Nga ana e saj drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Braho, përveç vlerësimit për organizimin e këtij takimi, i cili është një hap i mëtejshëm në kuadrin e bashkëpunimit mes ISSH-së dhe INAS-it për informimin e emigrantëve, garantoi se të gjitha të drejtat që iu lindin qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit nga kontributet e paguara janë të sigurta. “Ne kemi kënaqësinë e bashkëpunimit me Patronatin INAS-CISLI, i cili zhvillon veprimtari informimi, asistence, konsulencë dhe mbrojtje pa pagesë të emigrantëve, të cilat kanë si qëllim kryerjen e shërbimeve të mbrojtjes, asistencës dhe sigurisë shoqërore, në kuadrin kombëtar dhe ndërkombëtar. Dëshiroj që përmes jush dhe të gjithë partnerëve tanë në Itali, të garantoj edhe një herë se, çdokush që jeton sot në Itali dhe që ka pasur një historik kontributiv në Shqipëri do t’i gëzojë përfitimet e skemës. Me këtë rast, dëshiroj të siguroj gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Itali, se është në detyrën tonë jo vetëm administrative, por edhe sociale, për të garantuar çdo qindarkë të derdhur gjatë viteve të punës në Shqipëri dhe se me plotësimin e viteve të munguara, do t’u bëhet i mundur plotësimi i kontributeve të nevojshme për të pasur një garanci sociale në çdo kohë edhe në vendlindjen e tyre”,- theksoi Braho. Gjithashtu, gjatë fjalës së saj, Drejtoresha e ISSH-së vuri edhe njëherë në dukje se “ky bashkëpunim u jep mundësinë qytetarëve dhe punonjësve shqiptarë që t’i njohin, integrojnë e t’i gëzojnë sa më mirë të drejtat e tyre për pension në atdhe. Ligji shqiptar, nëpërmjet ISSH-së, u ofron emigrantëve mundësinë e vazhdimësisë së historikut të tyre kontributiv në Shqipëri, përmes skemës së Sigurimit Vullnetar, si një mundësi më shumë për të përfituar pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Kjo do të thotë se nëse një shtetas shqiptar ka derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore për një periudhë të caktuar kohore, ai mund të informohet pranë zonës ku jeton në Itali për periudhën tjetër kohore, që i nevojitet për të plotësuar vitet e nevojshme që të përfitojë pension në Shqipëri”. Vetëm gjatë vitit të shkuar, nga marrëveshja me patronatet INAS-CISLI dhe ACLI në Itali ka pasur rreth 250 kërkesa nga ana e emigrantëve shqiptarë për të verifikuar vitet e punës që kanë të investuara në Shqipëri dhe për të konfirmuar saktësinë e dokumentacionit që ata kanë. Këto kërkesa vijnë periodikisht pranë ISSH-së, nëpërmjet e-mail-it dhe përgjigja kthehet po në format elektronik si dhe në rrugë zyrtare. Ky dokument zëvendëson librezën e punës dhe është i vlefshëm për rastet e përfitimeve që jepen nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore.

 

 

Comments are closed.