ERE, çmimi i energjisë nuk ndryshon për 3 vjet

Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Sokol Ramadani në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, ka deklaruar se çmimi i energjisë nuk do të ndryshojë për tre vjet, pavarësisht situatës së rëndë energjetike në vend.  Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, kreu i ERE ka prezantuar raportin vjetor të institucionit që drejton. Sipas Ramadanit, mund të ketë ndryshim të çmimit të energjisë vetëm për operatorët, por qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë energjinë me çmimin aktual edhe gjatë 3 viteve të ardhshme. Gjatë raportimit në komisionin përfaqësuesi i ERE-s ka theksuar se niveli i arkëtimeve gjatë vitit 2011 ka qenë 70.58 përqind, marrë kjo edhe nga faturat e prapambetura ndërsa humbjet në rrjet janë 37.58 përqind. Opozita ka lëshuar kritika dhe akuza për situatën energjetike në vend, që sipas PS-së, është krejt ndryshe nga çfarë dëshmon raporti i punës. Sipas deputetëve të opozitës raporti i ERE-s nuk është pasqyrim i realitetit por është i deformuar. Pas shumë debatesh, deputetët kanë braktisur mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, pasi e konsideruan raportin vjetor të Entit Rregullator të Energjisë, si joreal.

Comments are closed.