Esad Toptani në mbarim të Luftës së Parë Botërore

Nga vera e vitit 1918 Italia përsëri do ta afronte Esadin dhe do të kërkonte nga ai që të bënte një aleancë me të. Pasi u refuzua nga Franca, Esadi në fillim u kthye në Serbi. Në dhjetor ai ishte kthyer në Zvicër për të ndërmjetësuar me liderin jugosllav. Në muajin pasardhës ishte larguar dy herë nga Selaniku dhe kishte shkuar në Beograd. Të gjitha këto lëvizje të Esadit, të cilat jo më kot i evidentuam më lart, kishin tërhiqnin interesin politik të diplomait italian Soninos, por ndërkohë dukej se suksesi i Esad Pashёs për të fituar ndihmën e Serbisë ishte duke u zbehur, ndërsa ambasadori italian theksonte që vizita e Esadit ishte e pasuksesshme. Duket se politika serbe dëshironte ta mbante Esadin si një aleat, por për  Beogradin nuk ishte ende e qartë si ta përdorte. Esadi u kthye nga Selaniku në 15 janar të vitit 1919, kur sipas informacioneve nuk kishte përkrahjen serbe dhe kërkonte me insistim lejen franceze për të udhëtuar në Paris ku, ishte duke u pregatitur konferenca e paqes midis shteteve qw kishin fituar Luftwn e Parw Botwrore . Ndërkohë inteligjenca ushtarake italiane raportonte se agjentët e Esadit ishin duke ndërmjetësuar me Prenk Bib Dodën dhe udhëheqësit e tjerë në Shkodër, e militantëve të tij u ishte thënë “që të përgatisnin sulme ushtarake dhe të bënin propagandë antiitaliane”.
Me kthimin e tij në Selanik në mesin e janarit, Esad Pasha  i dërgoi një letër Uillsonit dhe Belfurit, ku i përshkruante shërbimet e tij gjatë luftës, dhe me anë të së cilës kërkonte të drejtat e tij si një udhëheqës i popullit shqiptar, dhe njëherësh që të kryesonte një delegacion e shqiptarwve në Paris. Përpara se të vendoste që t’i përgjigjeshin letrës së Esadit, diplomatët amerikanë morën një informacion të hollësishëm dhe shumë të fshehtë nga Londra. Ëitehall (qeveria britanike) e përshkruante Esadin si një figurë shumë të padëshirueshme.
Asnjëra palë, si britanikët ashtu dhe amerikanët, nuk iu përgjigjën kërkesës së tij, pwr shkak se mund tw konsiderohej si suport plitik. Megjithatë në Selanik Esadi kishte në funksion të tij një eskortë të armatosur dhe bënte një mënyrë jetese jashtë zakoneve të tij. Nga mesi i shkurtit ai ndodhej në vështirësi financiare. Në këtë krizë financiare, ai u ofroi francezëve një shërbim ushtarak prej njëmijë trupa ushtarësh shqiptarë, të cilët i përdorte si mercenarë. Përsëri në mars Esadi kërkoi leje nga autoritetet franceze që të shkonte në Paris dhe njëkohësisht kërkonte që të merrte kompesim nga zhdëmtimet e luftës për të rritur financat e tij që tashmë duket se ishin në krizë. Kjo kërkesë, sipas Esadit, mbështetej në faktin se kishte shumë prona në Shqipërinë e Mesme dhe ato ishin dëmtuar gjatë Luftës së Parë Botërore. Francezët, pasi kishin marrë kërkesën e Esadit për të shkuar në Paris, pikërisht Pishon i kishte dhënë leje që të shkonte atje në mënyrë që të mbronte të drejtat e tij.
Ministri francez i Punëve të Jashtme arsyetonte se kjo gjë do të kënaqte serbët dhe italianët, të cilët sipas tij do të preferonin lutjet e tij në Paris më tepër se sa ngatërresat që mund të krijonte Esadi në Shqipëri, dhe për rrjedhojë në Ballkanin e trazuar. Duke iu referuar “Memorandumit të problemit të Esad Pashës” të Pishonit, ai mendonte se francezët duhet të ndjeheshin të detyruar moralisht ndaj Esadit për shërbimet e tij gjatë luftës së madhe, e për këtë Krajevski shkroi disa memorandume ku trajtohej detyrimi i Francës.
Por edhe më shumë zbardhen marrëdhëniet e Esadit me Francën në kohën e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit dhe Pasho Kolonecit. Fakt i cili kishte çuar në ftohjen e raporteve të republikës sw Korçws me komandën ushtarake franceze për shkak të koncesioneve “që u ishin bërë aspiratave greke”, e për rrjedhojë “edhe midis esadistëve dhe Republikës së Korçës ekzistonin antagonizma. Madje esadistët janë të ndaluar me shkue në Korçë dhe në Pogradec. Mercenarët e Esadit, të cilët përbëheshin prej disa qindra shqiptarësh të mbledhur prej Esadit dhe vënë në dispozicion të komandës franceze, vërtet përpiqen të lozin një rol politik në favor të Esadit, por korçarët ata i refuzojnë absolutisht. Por edhe tentativa e puçit të tyre që ditët e fundit bënë në Pogradec, me ngritur bajrakun e Esadit, dështoi”.
Në Selanik ai ishte vizituar nga Aleksandri i Serbisë. Përkrahësit e tij kishin filluar të qarkullonin peticione në Shqipëri, me anë të të cilëve kërkonin njohjen e Esadit si kryetar të Qeverisë së Përkohshme. Një numër ndjekësish të tij në Selanik u kthyen në Shqipëri në fund të marsit për të bërë një orvatje propagandistike për Esadin.
Problemi nëse Esadi duhet të merrte një shqyrtim formal u paraqit përpara këshillit aleat të ministrave të jashtëm, ku amerikanët, italianët, francezët ishin kundër dhe, nëpërmjet diskutimeve të tyre, u duk se Esadi ishte përshkruar si i diskretituar si në vendin e tij ashtu edhe jashtë tij. Ndoshta edhe për shkak të ekzistencës së këtij fenomeni, i cili quhet Esad, duket se politikat e Fuqive të Mëdha kishin konkluduar në idenë se vendimi për të dëgjuar Shqipërinë në Konferencën e Parisit, përmes përfaqësuesve të saj, ishte shtyrë për një kohë të papërcaktuar.
Kjo çështje duket e trajtuar edhe më mirë përmes memorandumit të takimit të Esad Toptanit me Laroshin dhe të atij të Berthelotit për Esadin, madje ky i fundit shkonte deri në përfundimin disi kategorik se kjo çështje assesi nuk duhej ngutur. Pra, duket se qëndrimet e Esadit, të cilat do të mund të vlerësoheshin nga diplomacitë e mëdha, e çonin atë deri në një qëndrim i cili bënte të mundur refleksione tepër të hidhura për çështjen shqiptare në momentet më delikate të historisë politike shqiptaro ballkanike. Por, duke studiuar hap pas hapi politikën e Esadit në raport me Fuqitë e Mëdha, shohim se ministrat e jashtëm kishin opinionin se Esad Pasha ishte diskretituar tërësisht, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.
Por çuditërisht në maj të vitit 1919 po qarkullonin mendime se politika greke dhe ajo serbe kishin propozuar që Shqipëria duhet të bëhej një shtet autonom i qeverisur nga Esad Toptani, fakte të cilët tregonin se Esat Pasha funksiononte politikisht në mënyrën e vet për tu bërë faktor i fuqishwm qeverisws, në përcaktimin e të ardhmes politike të Shqipërisë. Dhe për habinë e të gjithëve, nga vera e vitit 1919 përpjekjet e luftimet midis militantëve të Esad Toptanit dhe forcave italiane në verilindje të Shqipërisë ishin intensifikuar. Në korrik ishte raportuar që katërmijë esadistë kishin ndërprerë komunikimet  militare italiane për qytetet  Shkodrën dhe Durrësin.
Në verën e vitit 1919 Italia kishte vendosur që të ndryshonte politikën me Esad Pashën, ndryshim i cili përkon me rënien e Soninos nga pushteti, gjë e cila ishte bërë më e lehtë nën udhëzimet e Françesko Nitit dhe Tomaso Titonit. Ky ndryshim nw lidrshipin e politikws sw jashtme italiane kishte krijuar mundwsinw e njw kontakti plitik midis Kolonel Kastoldi dhe Esadin, tw cilit i sigurne një rivendosje të marrëdhënieve, por asgjë nga këto nuk u arrit të përfundohej.
Në mbarim të korrikut, ambasadori italian në Paris informoi Ke d’Orsene se Esadi nuk ishte treguar shumë aktiv, dhe Italia shpresonte që Franca do të parandalonte veprimet e tij, qoftë politike por edhe ato ushtarake. Ndërsa në një takim tjetër më 2 gusht 1919 Kastoldi ishte munduar të fajësonte Baron Soninon për të gjitha mosmarrëveshjet midis Esadit dhe Italisë, gjatë kohës që Italia ishte qeverisur prej tij. Ai e kishte pyetur nëse pashai do të kryesonte një qeveri ku Italisë do t’i jepej mandati mbi Shqipërinë. Esad Pasha kishte refuzuar, duke e kundërshtuar këtë ofertë me pretendimin se ai kishte një marrëveshje me Serbinë. Por Kastoldi e kishte lënë çështjen të hapur për ndërmjetësime të mëtejshme, duke thënë se diçka mund të arrihej ndërmjet Beogradit dhe Romës.
Përpara se të largohej, Kastoldi i kishte thënë në mënyrë konfidenciale Esadit që të ndërhynte lidhur me partizanët e tij në Shqipëri, pasi ata ishin duke i shkaktuar shumë vështirësi Italisë në Shqipërinë verilindore dhe kjo përbënte një mundësi për të rënduar më tej marrëdhëniet e Italisë me Esad Pashë Toptanin. Por, edhe në këtë pikë Esadi kishte mbajtur qëndrim refuzues, duke pretenduar se ai nuk i kishte instruktuar përkrahësit e tij t’i shkaktonin trazira Italisë. Por, nga ana tjetër, duke iu referuar gjeneralit Filips, kjo nuk ishte e vërtetë. “Esadi – sipas tij – kishte agjentë në Shqipëri dhe ai punonte si me Serbinë ashtu dhe me Greqinë”
Duke e parë portretin e Esadit si shumë kompleks, mund të themi si përfundim se ai qëndronte i disponueshëm prapa kuintave dhe ishte i gatshëm të ndërmjetësonte me çdo qeveri të huaj, mjafton që ajo ta ndihmonte të merrte pushtetin në Shqipëri. Të gjithë faktet e përmendur më lart, vërtetojnë se Esadi ishte në gjendje të depërtonte mes fuqive të interesuara dhe njëkohësisht të përdorte për këtë edhe propagandën, e cila e bënte edhe më të fortë dhe të pranishëm në politikën.

Dr. Lavdosh Ahmetaj