Ese për 100-vjetorin e Pavarësisë. Shekulli ynë i krenarisë dhe i reflektimeve të thella

8. Po ç’kemi fituar nga liria e fjalës dhe mendimit, që kaq shumë lakohet si arritje e madhe?

Do të mirëpritej e përshëndetej ajo, po të bënte efekt dhe të jepte rezultate, por jemi në gjendjen që “të gjithë flasin, askush s’dëgjon”, më saktë, përjetojmë një luftë të ftohtë verbale të pafrytshme. Është e rëndë për natyrën e shqiptarit, kur fjala nuk zë vend apo shpërdorohet. Norma e demokracisë është që opozita ka tagrin të merret me kritikën e punës së qeverisë dhe jo anasjelltas, siç po ndodh, fatkeqësisht tek ne. Në vend që veprimet e reagimet e opozitës t’i marrë si pasqyrë e imazhit të saj qeverisës dhe të reagojë në mënyrë konstruktive, qeveria, përkundrazi, zë e shan pasqyrën. Opozita ka vetëm pushtetin e fjalës dhe i shkon gjuha atje ku i dhëmb dhëmbi sovranit apo një pjese të tij, kurse qeveria i thotë asaj: “Bëj kujdes, se unë të shkul dhe dhëmbët e shëndoshë!” Çoç e ka mizën në kësulë ajo qeveri që ngre alibi se po përmbyset e po mbytet nga demonstrues paqësorë dhe shtie e vret njerëz të pafajshëm e të paarmatosur, qëllon me lehtësinë që gjuajnë gjahtarët në pyll. Në një shthurje e çoroditje të përgjithshme të normave morale e gjykimit të shëndoshë, të një indoktrinomi të ngushtë partiak të strukturës së mendjes, vërejmë se si, për të njëjtat çështje e ngjarje, shprehen prej palëve komente e opinione diametralisht të kundërta. Demonstrata e 21 janarit 2011 dhe vrasjet në mes të ditës, midis bulevardit, nga shumëkush, vihen arbitrarisht në lidhjen shkak-pasojë dhe, mandej, del zëri cinik qeveritar: “Po, unë i vrava katër demonstruesit, por shkaku je ti, prandaj ti e ke fajin e përgjegjësinë ligjore që i solle si mish për top!”, sikur demonstruesit të ishin desh dhe qeveria, e koracuar dhe e armatosur deri në dhëmbë, duhej të provonte aftësitë e kasapit-xhelat! Demonstruesi në bulevard dhe zjarri i pushkës së gardistit nga përballë, nuk janë në lidhjen “shkak-pasojë”, por në raportet mes një mosbindjeje qytetare dhe mënyrës së kundërveprimit qeveritar!

Nuk japin imazhin e duhur dhe lënë shije të keqe gjykime të cekëta e mungesa e argumenteve, përqeshjet e shumë lojëra-fjalësh në arenën politike dhe në atë mediatike, të cilat, jo një herë, na kanë bërë dhe turpi e gazi i botës e që i ka çuar përfaqësuesit tanë politikë deri “në gojën e Krokodilit” të Europës.Popërqeshjet e ironizimet, sikurse dhe batutat, epitetet, analogjitë e paralelizmat historike, nuk përbëjnë fare argument e bindje, ato janë dobësi e përdoruesve dhe lodhje për dëgjuesit.

Nuk na duket funksional shteti me të tillë politikanë zemërak e inatçorë, miopë, mizantropë, të vegjël e të paaftë, tepër partiakë, egoistë e të indoktrinuar deri në palcë, që egon e bëjnë sinonim të funksionit, që çelin lehtë dhe luftën “brenda llojit”, duke shtyrë kolegët e tyre për krijim partizash të reja. Detyrat institucionale janë detyra kushtetuese dhe objekt i ballafaqimit institucional për zgjidhjet më të mira e në të mirë të punës, të vendit dhe popullit dhe jo “mollë sherri” për zemërime e divorce, jo siç ndodh në jetë, me çdo dy fëmijë a njerëz të thjeshtë për lodra apo çështje ordinere. Në qoftë se edhe opozita është përfaqësuese dhe shprehëse e sovranitetit popullor, atëherë, ç’dreq demokracie është kjo që qeveria, as skuqet, as zverdhet nga reagimet e saj, por i kundër-reagon asaj kërcënueshëm, i bën biografinë dhe portretin me insinuata dhe epitete denigruese e bajate? Vërejmë të luhet një rreth vicioz “hidh e prit”. Pushtetarët e sotëm “anti-komunistë demokratikas”, kanë akuzat dhe pretendimet e tyre ndaj ish bllokmenëve, po ç’dreqin i shtrijnë fajësimet edhe ndaj bijve e bijave të ish-Bllokut? Një luftë e tillë biologjike, është thjesht gjenocid i llojit antikomunist, qoftë ai dhe verbal. Ne, veteranët, si dëshmitarë të kohës, mund të themi se i tillë ka qenë dhe një nga veset e metodat shoqërisht shkatërruese të atij regjimi që gërreu veten nga brenda dhe u përmbys lehtësisht. Në një demokraci të vërtetë kanë të drejtën të ekzistojnë lirshëm, bie fjala, si enveristët, ashtu dhe zogistët me bindjet dhe kauzat e tyre. Asnjëri prej tyre nuk ka më pak arsye se tjetri t’i bjerë gjoksit!

Shumë emisione televizive, me ballafaqimin e këtyre pozicioneve konfliktuale, të mbetur e mbytur me fill të gjykimit “bardh e zi”, pa asnjë pikë kontakti të palëve, rezultojnë në breshëri të bërtiturash, në një zhurmë fjalësh e fjalish bajate, sa kur ndodhej para ekranit, të del nga shpirti klithma: “O evolucion, ç’pate që na solle deri tek të menduarit e gjuha, se natyra, vërtet e egër, por paraqitet edhe e bukur, edhe konkrete e transparente, pa demagogji e akrobaci fjalësh!”

 Shkurt, si shumë po i gëzohemi sot “fjalës së lirë”, por ajo ka arritur të shpërdoret e të degradojë kaq ulët, sa, shpesh, ajo na plas sheshit e publikisht si “kurvëri e fjalës”, e atyre mendimeve, që e përdorin atë fjalor për tulla dhe të cilat, për shqiptarin, nuk janë më pak të rënda se plumbi. Edhe mediat i pasqyrojnë ngjarjet e debatet thjesht si lajme dhe pak u japin lexuesve gjykimet e duhura.

9. Po çfarë nuk shkon në tërë këtë tablo? Nuk shkon ky instalim e afishim i antikomunizmit, si koncept e sistem qeverisjeje, i cili na del në Shqipëri një lloj demokracie “sui generis”, e deformuar, më shumë e reklamuar dhe më pak e zbatuar. Me pak vëmendje e përqendrim vërejmë se qeverisja antikomuniste që është instaluar e afishohet në Shqipëri, nuk është as sinonime, as e barabartë me demokracinë borgjeze që mbetet synim e dominon sot në botë. Ithtarët e anti-komunizmit, kësaj ideologjie kundërshtuese e mohuese, me shpalljen e triumfit ndaj komunizmit, duan të kenë dhe monopolin e së vërtetës, dhe, për këtë, po shpalosin një fushatë të egër të rivlerësimit të vlerave.Po kur komunizmi mbeti një projekt social i parealizuar dhe anti-komunizmi është, në thelb, mos-dashje dhe kundërshtim i tij si teori dhe realitet shoqëror, atëherë, ku është sot tereni real i tërë këtij konfrontimi dhe fushate sulmuese antikomuniste që po shpalos e djathta në Shqipëri? Me kundërshtimin, mohimin e atij sistemi dhe vendosjen e demokracisë borgjeze, gjërat duhej të mbaronin e të ishin mbyllur.

Faktikisht anti-komunizmi është një koncept, është e kundërta e komunizmit, kurse i kthyer në politikë pushteti e qeverisjeje, ai koncept ndërsen dhe e deformon demokracinë borgjeze. Dhe kështu, nën fjalën e bujshme “demokraci”, në fakt, në Shqipëri, shpërtheu si një uragan i papërmbajtur një antikomunizëm i mirëfilltë, si ide, si mllef dhe si fshesë gjithëpërfshirëse. Krejt lufta dhe veprimtaria e mundimshme e një populli, vetëm pse kishte midis tij bijtë e vet komunistë dhe e vlerësonte komunizmin si një projekt social, shpallen jo vetëm kategorikisht të dështuara, por edhe të dënuara, të ndëshkuara, u gjykuan si një valë e keqe, një faj dhe fatkeqësi bashkë, që e pushtoi këtë vend. Të brumosur me këtë ide kundërshtuese e nihiliste, komunistëve iu hiqet e mohohet edhe shqiptaria dhe patosi atdhetar që shpalosën në Luftë dhe në punën ndërtimtare të mbi katër dekadave. U dëgjuan, por nuk pinë ujë idetë e shprehura: “As me komunizmin, as kundër tij”, “Jemi të gjithë bashkautorë, bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Me konceptet, qëndrimet dhe veprimet e antikomunistëve, historisë i ndërpritet vazhdimësia!

Antikomunisti në pushtet, në vend që të shfaqej më i mirë se komunisti i mirë, nadelmë i keq se komunisti i keq, me shpalosjen e sjelljeve, veseve e reflekseve më negative. Një vetëpërmbajtje e grupimit social të antikomunizmit ndaj lëvizjes punëtore e doktrinës komuniste, përpjekjeve e sakrificave të shqiptarëve, përfshi dhe të sakrifikuarve, do të ishte jo aq çështje korrektësie e modestie, se sa çështje e gjykimit dhe konceptimit shkencor të realiteteve historike. Këtë, nuk dinë ose nuk duan ta bëjnë të sipërpërmendurit!

Pastaj, mos vallë ky ishte problemi që shtronte jeta shqiptare – konfrontimi i antikomunizmit kundër komunizmit? Problemi nuk ishte fare i kësaj forme që u kanalizua e u afishua. Problematika e krijuar, pas rënies së Murit të Berlinit, ishte përmbysja e një forme qeverisjeje, e pushtetit të diktaturës së proletariatit dhe zëvendësimi i tij me formën e demokracisë borgjeze (që nuk i mungojnë edhe aspektet diktatoriale), brenda së cilës “antikomunizmi” mbetej vetëm një ide e nënkuptuar. Por, siç është në natyrën e njeriut e të lëvizjeve shoqërore, gjërat integrohen në shprehjet e tyre më të bujshme, siç u shpalos dhe ky konfrontim në tranzicionin shqiptar.

Tek e fundit, po t’i hysh gjërave hollë-hollë, historia jonë, sikurse dhe ajo botërorja, nuk mund ta anashkalojnë lehtë projektin social të komunizmit, i cili vuri në lëvizje botën, e detyroi dhe vetë kapitalizmin botëror të reflektojë thellë, të bëjë ligje e të kryejë reforma në drejtim të karakterit më social të shtetit etj. Historia duhet të dijë t’i lexojë edhe këto dukuri.

 

10. Doktrina komuniste mbetet në histori një projekt i ndryshimit të jetës shoqërore, e cila, gjithashtu, nxjerr mësime të vyera nga pësimet e dështimet që erdhën prej zbatimit praktik. Antikomunistët duan të rrëzojnë me një të rënë të lapsit Karl Marksin, themeluesin e teorisë së komunizmit shkencor, që është vendosur në piedestalin dhe panteonin e mendimit shkencor botëror, më i lexuari sot në botë, i përjetësuar me emrin që mban një nga bulevardet e Berlinit. Kjo sjellje është, të paktën, thjesht padije dhe anarki. Lëvizja punëtore u organizua fuqishëm, në rang botëror, me internacionalet e himnin e vet, luftoi për një kauzë të madhe, të cilën jeta e kishte shtruar për zgjidhje dha sinjalin e mesazhin se shoqëria duhej ndryshuar, u bënë dhe orvatjet për ta realizuar atë ndryshim. Kujtojmë se si nobelisti Martin Luter King (1929-1965), veprimtari aktiv për të drejtat e zezakëve, teologu me këmbë në tokë, edhe pse nuk e honepste “komunizmin ateist”, atje në SHBA, mu në vendin që, gjithashtu, krenohet me antikomunizmin e vet, shprehej: “Manifesti komunist u shkrua prej njerëzish të përflakur nga pasioni për drejtësi shoqërore. Në shkrimet e tij, Marksi përhap çështjen e të varfrit, e të shfrytëzuarit, e të shpronësuarit. Kapitalizmi krijon një humnerë midis pasurisë së tepërt dhe varfërisë së neveritshme, krijon kushte të tilla që i hiqet e nevojshmja shumicës për t’i dhënë luksin pakicës dhe inkurajon njerëz meskinë, që bëhen të akullt e pa ndërgjegje” (“Forca për të dashur”, f. 153, 155). Dhe bota ende nuk ka gjetur karar. Mjaft domethënës është edhe një reportazh i tërë i profesorit tonë, Adrian Qivici, me idenë-dilemë: “Kapitalizmi para “gjykatës”, fajtor apo i keq-qeverisur!?” Projekti social, i shpalosur nga komunizmi, është i së majtës së mirëfilltë, klasike, ka mbështetje sovranitetin e klasës punëtore dhe të krejt masave të tjera të shfrytëzuara, pa të cilat kontingjentet antikomuniste do të mbeteshin si peshku pa ujë. Ai projekt bëri histori dhe mbetet në histori. Askujt nuk duhet t’i bëjë tërr syri, me ndërgjegjen e lartë e krenar duhet të shpallë: “I përkas së majtës, po qesh edhe komunist, aq më mirë!” Gjithashtu, e rëndësishme është që të bëhet prerazi dallimi e ndarja edhe midis komunizmit, si teori madhore e një projekti të thellë social dhe atyre imazheve konkrete që u krijuan nga zbatimi praktik i asaj doktrine nëpër ish-vendet e kampit socialist. Bazuar dhe në përvojën personale të ish-pedagogut të filozofisë marksiste-leniniste, më bëhet e mundshme sot, të pohoj se sa shumë bënim zhurmë me fjalë “për mbrojtje dhe zbatim krijues të marksizëm-leninizmit”, aq ishim dhe dogmatikë në besnikërinë fanatike edhe ndaj germës, sidomos, në mënyrën e zbërthimit e të zbatimit praktik, derisa vendi hyri keq në një krizë të thellë shumëplanësh, nga e cila nuk mundi të dilte dot, falimentoi dhe iu dorëzua lehtë presionit të faktorit të jashtëm. Me zë të lartë e quanim marksizmin, “jo dogmë, por orientim për veprim”, po kush ishte i zoti të gjente recetat e sakta të çdo veprimtarie praktike të ndërtimit të një shoqërie të re, të panjohur më parë? Pastaj, vërejmë se doktrinat e ndryshme, sikurse dhe dogmat fetare, ripërtypen në stomakët e liderëve, marrin edhe vulën e vizionit dhe karakterit të tyre, duke u shfaqur në jetë, diku udhërrëfyese, diku tjetër, si të përçudnuara e frenuese. Po defektet e shumta konkrete të zbatimit praktik, nuk ka pse t’i faturohen teorisë përkatëse; as të identifikohen me të, siç po bëjnë, në fakt, antikomunistët, që u erdhi shansi të hidhen në kundërsulm edhe me insinuata, të cilat i kanë pas gjithnjë në majë të gjuhës.

11. Ajo që spikat sot, sidomos tek ne, është përpjekja e ethshme e antikomunizmit, që nën emrin e demokracisë borgjeze, madje dhe duke u vetidentifikuar me të, si e si të legjitimojë veten, si e si të qëmtojë e montojë një histori të vetën, sa më gjithëpërfshirëse dhe të përpunojë opinionin se komunizmi ishte një plagë e madhe shoqërore që duhet luftuar rrënjësisht; se historia dhe jeta e vërtetë, janë atje ku është e pranishme e qeveriset në mënyrën antikomuniste. Ofrohet ideja se, sikur, që kur ka lindur teoria e projektit social të komunizmit, e drejta, e vërteta, logjika dhe argumenti i historisë, janë në anën e grupimeve dhe përfaqësuesve të antikomunizmit.

A është real dhe i saktë ky pretendim? Nuk është real, ngaqë s’është e saktë nga përmbajtja, sepse komunizmi mbetet teori e projektit të ndërtimit të një shoqërie të re, kurse antikomunizmi është rryma, e cila e ka kundërshtuar atë gjë apriori. Të shpallësh publikisht dhe të qeverisësh si antikomunist, do të thotë se je qartazi kopje e anasjelltë e defekteve dhe dobësive të eksperimenteve të ndërtimit të në shoqërie të re, e, në emër të tyre, ta asgjësosh atë tërësisht, edhe si teori shkencore, edhe si rend shoqëror që u synua të realizohej. Shkurt, historia e parë me syzet antikomuniste, nuk është as objektive, as reale, as e plotë. Historia shkencore, mendojmë, do ta pasqyrojë realitetin pa brohoritje me fishekzjarrë për këtë shembje të “komunizmit”. Ajo nuk do t’ia vërë fort veshin as kësaj fushate intensive që vazhdon prej mëse dy dekadash në Shqipëri, këtij errësimi të ndërtimit socialist; këtyre shprehjeve ekzaltuese e triumfuese për vitin 1990, për çmontimin e një shtatoreje më 20 shkurt 1991 dhe një histeri e tërë që nuk dihet se kur e ka fundin. Ngjan sikur edhe kujtimet për komunizmin, i ndjekin disa si hije, sikur natën shohin ëndrra të llahtarshme dhe e marrin ditën e punës duke shfryrë kundër tij. E djathta ngadhënjyese, sikur nuk është e bindur dhe e sigurt për fitoren e vet, ndaj s’pushon së rëni fyellit në një vrimë. Kjo fushatë është humbje kohe, mjetesh, energjish, që ngjan me një donkishotizëm modern. Por antikomunizmi e shumta, është vetëm një kapitull i historisë dhe jo vet historia.

Le ta ngrenë zërin deri në kupën e qiellit ithtarët e antikomunizmit, bazuar në dëshira subjektive dhe insinuata denigruese, ata nuk i kanë argumentet, as aftësitë profetike ta shpallin komunizmin iluzion, utopi, aq më pak, përfundimisht të dështuar, se njerëzimi i ka të pranishme tregues dhe shenja të tij, dhe jo si një nostalgji të hidhur. Për historinë shkencore është e papranueshme poza prej struci e antikomunizmit se “unë nuk e dua komunizmin, ndaj ai nuk e ka të drejtën të ekzistojë”. Ai vetë u rikuperua e u organizua botërisht si derivat i Lëvizjes punëtore për ta mbytur atë në gjak, si kundërvënie e reaksionit më të zi ndaj “fantazmës së komunizmit” që u shfaq në Evropë; me kohë, mbeti atribut agresiv i borgjezisë imperialiste e i pjellave të saj, – fashizmit e nazizmit, – për shfarosjen e çdo shenje të komunizmit, deri sa, u detyrua të bëhej më i moderuar prej demokracisë borgjeze të evoluar, sa sot mjafton të quhet thjesht “jo komunizëm”. Po të konkretizohej një analizë e bilanc botëror e lokal mbi shkakun e konflikteve dhe cili i ka hyrë në hak tjetrit, krahu antikomunist nuk do të kishte sy e faqe ta kthente ardhjen e sotme në qeverisje në eufori fitimtare, aq më pak të vetëshpallej si triumf i të vërtetës! “Komunizmi” dhe “jo komunizmi” janë sot thjesht çështje të ndërgjegjes personale, mbeten gati si “nofka”, epitete konvencionale, dalluese, pa ndonjë efikasitet jetësor, pa të drejtën e asnjërës prej tyre për të mprehur shpatën, as për t’u instaluar si koncept e mënyrë qeverisjeje.

 

12. Pozicionimi absurd, grotesk, i-racional i antikomunizmit shqiptar, evidentohet më qartë në fushatën denigruese që ai ka ndërmarrë ndaj Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare si dhe me rehabilitimin e tërë asaj veprimtari antikombëtare, kuislinge e kolaboracioniste të atyre viteve. Edhe kur thonë një fjalë për të, i vënë dhe bishta aq të gjatë e sipas midesë së vet, sa e njollosin shumë rëndë. Qëndrimi ndaj asaj epopeje të lavdishme, mbetet gurë prove dhe kriter i karakterit të çdo individi e grupimi. Qeveria jonë e sotme, seç e heq veten dhe si strumbullar, standard, kriter dhe këndvështrimi i vetëm objektiv i gjykimit të historisë, të sotmes dhe vetë të ardhmes, ajo merr pozën t’i bëjë gjyqin epokave. Mendja e çoroditur e “të djathtës” sot në pushtet, me lidership të pashkëputur nga disa vese njerëzore, të kultivuara ato edhe me anët defektoze në ish-regjimin totalitar, e indoktrinuar thellë prej antikomunizmit, arrin t’i shtrijë, t’i evokojë e glorifikojë si merita të kësaj doktrine edhe veprimet thellësisht antikombëtare në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Stigmatizohet ajo luftë me pretekstin se një grusht nga bijtë e thjeshtë të popullit, që dolën në vijën e parë të luftës, të motivuar atdhetarisht e aspak prej doktrinës komuniste që përqafuan. Që ata dolën në ballë një të një lufte legjendare, të motivuar thjesht dhe vetëm si atdhetarë, që ata sakrifikuan, deri në vetëmohim, për çlirimin kombëtar dhe u gjendën në vijën te parë kundër nazifashizmit, që ata ndiqeshin e persekutoheshin nga forcat pushtuese me etiketën e “komunistit”, shumica, pa e pasur as idenë e kësaj fjale, që po kësaj etikete na i dhanë peshë dhe po me të iu kundërvunë Lëvizjes edhe forcat vendase kolaboracioniste, kuislinge, ballisto-legaliste, kjo është e qartë si drita e diellit. Por këto forca, meqë u mori lopata ujë dhe erdhën sot në pushtet, duke marrë pozën se kanë rrëzuar “kuçedrën e komunizmit”, shpallën se po kultivojnë demokracinë dhe se demokracia i ka rrënjët që atëherë dhe kudo që janë kundërshtuar e luftuar komunistët, madje, që kur u kundërshtua “Manifesti Komunist”, edhe atje ku u luftua kundër çetave partizane, edhe me luftën e të arratisurve në male, edhe nga diversantët etj. Fushata e rivlerësimit të vlerave, e kthimit të vlerave të vërteta në antivlera dhe ish-antivlerave në kinse vlera, u ndërtua me formulën “kudo, kurdoherë dhe sido që ta kesh kundërshtuar komunizmin, je një demokrat i vërtetë dhe pishtar i saj”! Kjo direktivë politike na qenka sanksionuar edhe me ligj të veçantë e i diktohet shkencës së historisë me fuqi prapavepruese. Është një ngatërrim i plotë i ngjarjeve e kohërave. Atë epope bota e ka dhe e njeh si histori të luftës midis demokracisë borgjeze në aleancë me komunistët, kundër nazifashizmit, i cili ishte i motivuar dhe thellësisht dhe me antikomunizmin e kohës. Kjo është vija e demarkacionit të forcave me motivimet e qarta atdhetare e liridashëse të aleancës antifashiste. Evokimi i drejtë i kësaj ngjarjeje të shekullit, nuk është çështje nostalgjish subjektive të veteranëve, por çështje e besnikërisë ndaj së vërtetës historike dhe e ruajtjes së pasurisë e vlerave të vërteta. Ndaj dhe theksojmë se shtrembërim të historisë, përçmim të periudhave historike dhe çoroditje mendore më flagrante se këto gjykime e veprime që ka pjellë mëndja antikomuniste pushtet-mbajtëse në Shqipëri, zor se mund t’i gjendet precedent në botë!

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, kjo pikë kulmore e historisë dhe ngjarje madhore krenarie mbarëpopullore, bashkë me dekadat e ndërtimit socialist, si kohë, janë plot gjysma e këtij Shekullit tonë, kanë peshë të rëndë dhe s’ka shans të vijë sot kjo valë “demokracie”, që synon si e si t’i shpërfillë e denigrojë sa më shumë, pa menduar se ia heq vetes. Në substancë, ajo ishte një luftë e madhe atdhetare, sikurse dhe ai transformim i thellë i vendit që u krye në disa dekada, është fryt i përkushtimit, mundit dhe sakrificave mbarëpopullore, me në ballë vetë bijtë e popullit, vetëm pjesërisht të anëtarësuar në ish-partinë-shtet.

13. Së fundi, tablonë e qëndrimeve të skajshme dhe frymës së deklaruar të qeverisjes antikomuniste, po e ilustrojmë edhe me qëndrimet ndaj fesë. Ia vlen të theksojmë se demokracia politike moderne është laike dhe s’ka tagër t’i përkëdhelë, privilegjojë e t’i glorifikojë posaçërisht besimet fetare, ajo respekton vetëm parimin e lirisë së ndërgjegjes, brenda të cilit nuk bëhet as më i vogli dallim midis besimtarit dhe ateistit, sepse ndërgjegjja është pronë dhe monopol i secilit. “Çne, – pohojnë publikisht qeveritarët tanë, – në asnjë mënyrë kështu, ku feja hyjnore dhe e shenjtë, ku ateizmi, që kundërmon komunizëm!” Dhe, ndërsa në urtësinë popullore gjejmë shprehjen “Ç’të punon qeveria, s’ta bën dot as perëndia”, nëpër komunitetet fetare kalojnë nëpër mendje fjalët: “Është plakur, apo s`është fare në qiell perëndia, për ne rroftë e qoftë me urata në tokë qeveria!” Po historia ç’duhet të pohojë? Dihet se feja, sa është mbajtur si më e glorifikuara e në piedestalin më të lartë, posaçërisht e llastuar nga politikat e djathta, po aq është bërë e ka mbetur dhe “mollë sherri” e objekt i polemikës shekullore të njerëzimit në mendimin shkencor, në kulturë dhe etikë. Ish-Partia e Punës, duke mbështetur entuziazmin rinor e popullor, kaloi dhe në një eufori të papërmbajtur kot më kot e sanksionoi ateizmin me Kushtetutë, për më keq, propagandën fetare e cilësoi si vepër penale. Ishin këto tejkalime të së drejtës, shkelje të parimit demokratik të lirisë së ndërgjegjes, të cilin borgjezia revolucionare e kish arritur si një fitore kundër totalitarizmit feudal. Ndërkohë, vërejmë se si me ngjyrat me dramatike e tronditëse përshkruhet sot nga antikomunizmi ngjarja e vitit 1967. Si një gjemë e hata e madhe, si një “histerizëm” e “tërbim kolektiv” po “shpjegohet” mbyllja e faltoreve dhe ajo ndërprerje e “funksionit” të klerikëve, pa të cilin nuk u mbahej gjallë besimtarëve ideja e zotit; po merret poza se është bërë nami ndaj këtij lloj “profesioni”, kur pavlefshmëria e tij është vënë në diskutim edhe brenda vetë lëvizjeve fetare, sikurse dhe kohët moderne, po ia ngushtojnë gjithnjë e më shumë sferën e veprimit. Mbyllja e faltoreve quhet një akt, i cili paska krijuar një boshllëk të madh në botën shpirtërore, ka suspenduar pushtetin hyjnor dhe funksionin e dobishëm shoqëror të fesë, pa të cilat zemra e njerëzve po pushtohet nga veset, të këqijat dhe djallëzitë.

Ky është koncepti dhe qëndrimi i djathtë, i antikomunistëve, por jo i vetmi, as më i kuptimti. Historia shkencore nuk mund të kufizohet në psherëtima qaramane, por i referohet tablosë së krejt jetës së njerëzimit. Dhe jeta, në dinamikën e saj, dëshmon se ngjarjet në Shqipëri janë vetëm një fragment i polemikës së papërfunduar rreth idesë boshtore: “E krijoi Zoti njeriun apo njeriu Zotin”, polemikë edhe rreth përmbajtjes, rolit shoqëror e statusit të fesë, e cila nuk i është ndarë njerëzimit dhe vazhdon të mbetet e mprehtë edhe sot e kësaj dite. Realiteti nuk u jep argumente sociologëve, psikologëve e teologëve për të shpjeguar këtë rritje të veseve, vrasjeve, egërsim e acarim në shoqërinë shqiptare, edhe pse faltoret e klerikët ishin “dallëndyshet e para”, që erdhën e u rehabilituan në tranzicionin tonë. Po të shtojmë dhe tërë ato veprime mëkatërore, vese e prapësi që shfaqen brenda vetë të ashtuquajturave “shtëpi të zotit” e nga vetë “njerëzit e zotit”, atëherë përfundimi është se bota po zien edhe mbi këtë temë. Dhe koha e bën të vetën, glorifikimet e sforcuara dhe përkëdheljet politike, vinë duke u shuar e tretur, siç avullon dielli vesën e mëngjesit. Ngritja e protagonistit të romanit të fundit të Blushit, Lekë Dukagjinit, në fronin e Zotit, po bëhet në kohën tonë, po me atë lehtësi, që lindën dhe vetë iluzionet fetare e dogma e Zotit në lashtësi. Që kur lindi shteti, teologët e dinë mirë ç’do të thotë të kenë politikën dhe ligjin sa më në favor të fesë dhe të tilla “paterica” asaj nuk i kanë munguar. Shkurt: “Në Shqipëri, nga monizmi në tranzicion, u kalua edhe nga njeri ekstrem në tjetrin, nga mohimi me dhunë i gjithçkaje që lidhej me besimin, në servilizëm banal të shtetit ndaj fesë”. Formulim më të saktë, kaq lakonik e shumë domethënës mbi statusin politik-juridik të besimit në këto dy lloj qeverisjet e fundit, se ky që na ka lënë i ndieri Sabri Godo, ky veteran, intelektual dhe veprimtar aktiv i politikës së tranzicionit tonë, nuk kanë ku të gjejnë historia dhe mendimi sociologjik.

 

* * *

Në mbyllje të këtij meditimi, le të kujtojmë edhe se sa herë na shkon gjuha ku na dhemb dhëmbi, gjithnjë e më shpesh po i referohemi idesë po një shekullore të Konicës se: “E keqja e Shqipërisë janë shqiptarët”, sepse kjo ide na duket sikur është thënë sot dhe për të sotmen, thua se kemi të bëjmë me një njollë të pashlyeshme, me një shenjë të mallkimit për “mëkatin e parë”, thua se kjo gjendje është një fatalitet i pakapërcyeshëm. Ka kaluar plot një shekull dhe ne s’kemi arritur në atë nivel që t’i themi serbes Faikut: “Prehu i qetë, atdhetari ynë i flaktë. Më në fund shqiptarët janë bashkuar në një mendje e vullnet e po përpiqen për të mirën e Shqipërisë!”. Po cili do të ishte çelësi i bërjes realitet të këtij mesazhi, si do të mund ta marrim një kthesë rrënjësore prej kaq shumë brengave shekullore? Të paktën mund të themi se duhet të dimë të reflektojmë saktë mbi pësimet e historisë, të përvojës sonë e asaj të huaj dhe t`i trajtojmë ato seriozisht, t’i kthejmë në mësime të vyera. Dhe kjo përsëri ka të bëjë po me klasën politike, me ata që vorbullat e jetës na i sjellin në pushtet. Kjo klasë politike ose vepron me të tilla karaktere e kualitete, si egoiste e shfrenuar, me privatizim edhe të karriges e kthimin e saj në shërbim të vetes, ose vepron si altruiste e përkushtuar, i del për zot vendit dhe përpiqet të bëjë të lumtur popullin e vet.

Shkurt, nga kjo gjendje, në vijat dhe pamjen e saj më të përgjithshme, vijmë në përfundimin se sot për sot, ne, si popull e komb, jemi diçka, po edhe plotësisht të denjë e me mundësi reale për një jetë më të mirë. Mund e duhet të bëhemi edhe më tepër politikisht faktor këtu në Ballkanin Perëndimor. Jo vetëm SHBA-të, po edhe Evropa demokratike, e kalitur dhe pjekur në sa beteja të përgjakshme, e preokupuar për vatrën gjithnjë të nxehtë të Ballkanit Perëndimor, na mban pranë, na do më afër, na vëzhgon e monitoron, na përfshiu në NATO, na i liberalizoi dhe vizat, na bën mjaft sugjerime, duke na ngarkuar edhe me detyra konkrete shtëpie; na do fort në gjirin e vet si fëmijë të ligjshëm, ndonëse, hera-herës edhe mjaft të vështirë; ligështohet kur vëren se si ne hedhim një hap para, dy hapa mbrapa dhe e përmban durimin se, mbase mendon edhe për borxhet që na ka, të cilat janë ku e ku shumë më të mëdha. Megjithatë, ne shqiptarët, brenda këtij viti jubilar, jemi përsëri për riprovim para Brukselit.

Me këtë panoramë që përshkruam shkurtimisht, po me dorë në zemër e me shpirt, ne përsëri themi: “Mirë se na erdhe, o shekulli ynë jubilar! Të përshëndesim kështu siç na gjete sot, me mendimin se duhet të ketë edhe më keq në këtë botë! Je i mirëpritur si jubile, bashkë me shpresën derisa edhe ne, me Evropën e krejt njerëzimin, të gjejmë e ta vendosim tamam si duhet jetuar njerëzisht e denjësisht!”

Nga Prof. Dr. Hulusi Hako

(Vijon nga numri i kaluar)

Comments are closed.