Eurovizion 2012, Rusia përfaqësohet nga gjyshet e Buranovo

Një grup të moshuarash, do të përfaqësojnë Rusinë në Eurovizion 2012, i cili këtë vit do të mbahet në Azerbajxhan. 6 gjyshe të veshura me kostum tradicional të zonës së Buranovo, do të këndojnë këngën e tyre përfaqësuese në gjuhën kombëtare dhe do të konkurrojnë me 24 kandidatët pjesëmarrës. Gjyshet u shpallën fituese të festivalit kombëtar dhe arritën të « mundnin », 5 favorizuesit kryesorë ku ndër to ishin edhe grupet R & B si dhe dy vokalistet e grupit të famshëm Tatu. Të quajtur “gjyshet e Buranovos”, ato do të udhëtojnë në Baku në maj, për të marrë pjesë në festivalin që bashkon këngët më të mira të çdo vendi europian.

Grupi i gjysheve të Buranovos së republikës ruse nga Udmurtia, janë bërë të famshme kur kanë kënduar këngë popullore kombëtare dhe kanë arritur suksese ndërkombëtare në gjuhën e tyre mëmë. Në fillim ato janë angazhuar në evenimentet lokale të zonës, më pas janë ftuar si grup në festivale dhe spektakle të ndryshme. Kënga me të cilën ato do të konkurrojnë nis me motive tradicionale nga krahina nga e cila vijnë, për të vazhduar me një dance modern, ndërsa refreni thotë: “Festë për të gjithë, ejani dhe kërceni”. Kënga do të këndohet në tre gjuhë, në anglisht, në rusisht dhe në gjuhën udmurte të folur në Buranovo, një gjuhë e ngjashme me finlandishten.