Fajin e ka Serbia

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, për mosarritjen e një marrëveshjeje edhe në rrethin e nëntë të bisedimeve, ndërmjet kryeministrave, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, kanë fajësuar palën serbe, duke thënë se Serbia nuk po arrin të dalë nga politika e së kaluarës. Ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, thotë se zvarritja e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka ngecur te Serbia dhe politika e saj e vjetër.  “Fatkeqësisht, rajoni vazhdon të mbetet peng i politikës kryeneçe që vazhdon të kultivohet në Beograd. Megjithatë, ne vazhdojmë të besojmë se ende ka edhe pak hapësirë. Ne besojmë që kjo periudhe kohore do të shfrytëzohet nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë për të ushtruar presion pozitiv ndaj Beogradit, në mënyrë që ata ta pranojnë marrëveshjen”. “Opsionet janë të qarta, ose BE-në ose asgjë. Opsioni ndërmjet Kosovës dhe BE-së nuk ekziston. Serbia e ka humbur Kosovën shumë vite më parë dhe tani është kohë që të drejtohet kah e ardhmja”, deklaron Çitaku për mediat në Kosovë.

Nga ana tjetër, deputetët e opozitës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se nuk është për t’u habitur nga mosarritja e marrëveshjes. Sadri Ferati nga ky subjekt politik konsideron se Serbia, gjithmonë ka qenë e interesuar që të përfitojë në kohë dhe të mundohet të përfitojë sa më shumë. “Nuk është për t’u befasuar, edhe pse ka informacione se qëndrimet janë përafruar bukur shumë, pra nuk është për befasi – është edhe një fitim kohe sa për të përgatitur opinionin”, thotë Ferati. Kurse, deputeti Glauk Konjufca, nga subjekti politik Vetëvendosje njëherësh, nënkryetar i Kuvendi, konsideron se negociatat me Serbinë po përshkallëzohen gjithnjë e më tepër. Sipas tij, kjo është shqetësuese pasi që këto shtyrje të afateve dhe raunde të vazhdueshme të negociatave, po bëhen për hir të Serbisë. “Marrëveshjet vazhdimisht po ndryshojnë. Serbia vazhdimisht po kërkon më tepër. Kurse, kryeministri Thaçi secilën prej tyre po e pranon. Tash, pasi që Serbia nuk e pranoi as draftin përfundimtar, do të thotë se asaj do t’i ofrohen edhe më shumë koncesione të tjera, kurse kryeministrin tonë e kemi atje që ta pranojë çdo draft”, thotë Konjufca. Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Petar Miletiq, shpreh keqardhje për mosarritjen e një marrëveshjeje në takimin e 17 prillit, ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe. ​“Ajo që mua më brengos janë disa deklarata joserioze të disa individëve që nuk e kanë interes të arrihet deri te marrëveshja, edhe pse deri te marrëveshja gjithsesi do të arrihet një ditë, por çështja është se kur do të krijohet ai moment i përshtatshëm politik”, thekson Miletiq. Serbët e veriut të Kosovës disa herë kanë përsëritur se nuk do të lejojnë implementimin e marrëveshjes nëse ajo është në dëm të serbëve. Ndryshe, qytetarët kosovarë thonë se fundi i këtyre takimeve do të jetë nënshkrimi i një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut. Mosmarrëveshjet nuk besoj se do të zgjasin shumë, sepse serbët gjithmonë kanë qejf të përfitojnë diçka. Izet Zhuja thotë se Serbia herët a vonë do të pranojë marrëveshjen e ofruar nga Brukseli. “Mosmarrëveshjet nuk besoj se do të zgjasin shumë, sepse serbët gjithmonë kanë qejf të përfitojnë diçka. Një metër – një metër, për ta është e mjaftueshme, sepse filozofinë jetësore e kanë të tillë”, thotë Zhuja. Kurse, Shpresa Gashi, thotë: “Ndoshta edhe mund të arrihet një marrëveshje, por nuk mendoj se do të jetë e realizueshme. Ata me siguri më vonë do të bëjnë prapë ndonjë matrapazllëk, siç kanë bërë deri tash”.

Nga Arton Konushevci