Falja e kamatëvonesave, nesër afati i fundit i pagesave

Speciale/ Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon periudhat e faljes

Tabela e plotë me masën e kontributeve që duhet të paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi nga viti 1992-2011. Kategoritë që janë përfshirë në falje. Pensionet që përfitohen

Nesër është afati i fundit për faljen e kamatëvonesave për sigurimet shoqërore. Kështu, Ligji Nr. 10418, datë 21.4.2011, “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, krahas faljes së disa detyrimeve në shumë sektorë, fal dhe një pjesë të mirë të detyrimeve kontributive, gjobave e kamatëvonesave në fushën e sigurimeve shoqërore. Miratimi i këtij ligji është një mundësi e mirë dhe një ndihmë e konsiderueshme që u bëhet subjekteve që kanë detyrime të pashlyera që lidhen me sigurimet shoqërore, për vazhdimësinë e biznesit të tyre, duke iu krijuar mundësi për një ecuri normale të shlyerjes së tyre në vitin aktual. Veprimet e Ligjit të sipërcituar e shtrin funksionin deri më datë 31.12.2011, por me Aktin Normativ Nr. 5, datë 28.12.2011, “Për një ndryshim në Ligjin Nr. 10418, datë 21.4.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, veprimi i këtij ligji e shtrin veprimin deri më datë 31.3.2012.

Periudhat që u falen tatimpaguesve

Bazuar në ligjin nr. 10418, datë 21.4.2011, dhe të udhëzimit nr. 12, datë 18.5.2011, për këto subjekte ligji i faljeve do të aplikohet si vijon:

 

 Për të vetëpunësuarit

– Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat.

– Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31.12.2011, të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti.

– Të gjithë tatimpaguesit të mësipërm, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 mars 2012, ku përfshihen edhe detyrimet që linden gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti, përfitojnë nga falja e të gjithë gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera.

 – Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat.

– Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 dhe që janë debitorë për kontributet u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31 mars 2012 të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011.

– Të vetëpunësuarve në bujqësi, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 mars 2012, përfitojnë nga falja e të gjithë gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera.

– Periudha për të cilën nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe për të cilën kontributi është falur, nuk do të konsiderohet për efekt të përftimit të së drejtës për pension sipas përcaktimeve të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.


Për personat fizikë dhe juridikë

Ndërmarrjeve dhe shoqërive me kapital tërësisht shtetëror, institucioneve shtetërore, buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve e shoqërive me kapital të përbashkët me shtetin, personave juridikë e fizikë privatë, të cilët nuk kanë derdhur të gjitha detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të lidhura me periudhën deri më 31 dhjetor 2010, u falen të gjitha shumat e gjobave dhe të kamatëvonesave. Subjektet e mësipërme debitorë për detyrimet ndaj organeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, që rezultojnë nga një vendim i formës së prerë, nuk përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji. Ky ligj nuk i shtrin efektet edhe për rastet kur ka filluar një procedim penal dhe procesi nuk ka përfunduar. Miratimi i këtij ligji është një mundësi e mirë dhe një ndihme e konsiderueshme qe u behet subjekteve juridike dhe fizike, te cilët kanë detyrime të pashlyera që lidhen me sigurimet shoqërore, për vazhdimësinë e biznesit të tyre, duke iu krijuar mundësi për një ecuri normale te shlyerjes se tyre ne vitin aktual dhe ne periudhat e mëvonshme. Po kështu efekti i faljeve nëpërmjet këtij ligji, është inkurajim dhe për ata biznese qe per pamundësi financiare te shlyerjes se detyrimeve, kane ndërprerë aktivitetin financiar, duke u dhënë mundësi per riaktivizimin e tij.

Të vetëpunësuarit në bujqësi, masa e kontributeve që mund të paguhen

Një përfitim të jashtëzakonshëm kanë të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët edhe këtë vit kanë favorin, që në kuadër të faljes së përgjithshme të disa detyrimeve gjobave dhe kamatëvonesave, të kenë mundësi për të shlyer me pagesa tepër minimale, detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore pa kamatëvonesat e llogaritura. Për përfitimet që kanë  të vetëpunësuarit në bujqësi, le të bëjmë një analizë të thjeshtë. Për t’u siguruar nga periudha që ka hyrë në fuqi ligji 7703 date 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë ”i ndryshuar”, nga 1.10.1993 e deri në periudhën aktuale, pra deri me 30.6.2011, që përbëjnë një vjetërsi kontributive prej 18 vite e 3 muaj, fermeri duhet të paguajë 118,076 lekë në zonat fushore dhe 76,421 lekë në zonat malore. Në këto kushte, favori që i bëhet fermerëve diktohet nga fakti që fermerët sigurojnë periudha të kaluara, nga 1.10.1993 me ato masa kontributesh që kanë qenë në vitet respektive, të cilat janë mjaft simbolike. Vlen të theksohet fakti se që nga viti 1993 e deri në vitin 2002, masa e pagesës për kontributet e sigurimeve shoqërore për fermerët ka qenë 1,620 lekë në vit për zonat fushore dhe 972 lekë për zonat malore. Në ketë kuadër, me masa kontributesh minimale dhe pa kamatëvonesa do të bëhet pagesa deri me 31.12.2011. Sipas ligjit Nr. 9600, datë 27.07.2006, kamata është 2 për qind për muajin e parë të vonesës dhe 1 për qind për muajt e tjerë. Duke pasur një vjetërsi si të vetëpunësuar në bujqësi, që konsiderohet ligjërisht si vjetërsi pune në qytet, bazuar në nenin 92 te ligjit nr. 7703 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, te ndryshuar, një vjetërsi e tillë e cila kalon 1/2 e 35 vite, që kushtëzon pensionin e plotë, fermerët përfitojnë pension të plote si në qytet. Po të marrim në mënyre hipotetike, sikur fermeri të mos ketë vjetërsi tjetër në punë vetëm me ketë vjetërsi kontributive si i vetëpunësuar në bujqësi, me pensionin e pjesshëm që do marrë, do e barazojë pagesën e bërë për 1 vit e 4 muaj për fermerët në zonat fushore dhe për afër 10 muaj në zonat malore.

 Masa e kontributeve që mund të paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi nga viti 1993, deri në vitin 2011

Nr.  VITET Nr. dhe date VKM Zona Fushore Zona Malore
1 1993 Nr. 452, date 16.09.1993 1,620 972
2 1994 Nr. 452, date 16.09.1993 1,620 972
3 1995 Nr. 42, date 23.01.1995 1,620 972
4 1996 Nr. 180, date 18.03.1996 1,620 972
5 1997 Nr. 20, date 13.01.1997 1,620 972
6 1998 Nr. 73, date 30.01.1998 1,620 972
7 1999 Nr. 112, date 18.03.1999 1,620 972
8 2000 Nr. 384, date 14.07.2000 1,620 972
9 2001 Nr. 402, date 11.06.2001 1,620 972
10 2002 Nr. 702, date 27.12.2001 3,890 2,335
11 2003 Nr. 62, date 23.01.2003 5,215 3,592
12 2004 Nr. 298, date 14.05.2004 7,820 5,390
13 2005 Nr. 385, date 31.05.2005 7,820 5,390
14 2006 Nr. 167, date 29.03.2006 10,000 6,500
15 2007 Nr. 167, date 29.03.2006 10,000 6,500
16 2008 Nr. 734, date 7.11.2007 12,000 7,800
17 2009 Nr. 1114, date 30.07.2008 12,000 7,800
18 2009 Nr. 700 date 18.06.2009 14,400 9,360
19 2010 Nr. 700 date 18.06.2009 14,400 9,360
20 2010 Nr. 477 date 30.06.2010 17,280 11,232
21 2011 deri 30.6.2011 Nr. 477 date 30.06.2010 17,280 11,232
22 1.7.2011 deri 31.12.2011 Nr. 541 datë 27.7.2011 21,600 14,040


Comments are closed.