Festat e 7-8 Marsit/ zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj: Gruaja ka emancipuar shoqërinë shqiptare

“Viti 2012 e ka gjetur gruan shqiptare me një vizion më të qartë, me një protagonizëm në fushën e familjes dhe me një vlerësueshmëri për historinë e grave dhe zonjave tona”. Kështu shprehet zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj. Po cili është roli i gruas shqiptare në shoqëri, në politikë, në vendimmarrje, në emancipimin e shoqërisë? Në një intervistë për gazetën “Republika”, zonja Malaj thekson se gruaja shqiptare ka evoluar shumë për hir të së vërtetës, në drejtim të kuptimit të problemeve, të kapjes dhe imazhit të tyre, të realitetit objektiv. Ajo thekson se sot, e kemi gruan të mirëshkolluar dhe të gatshme për të realizuar idetë e saj në fusha të ndryshme, duke filluar që nga fusha e vendimmarrjes, fusha e ekonomisë etj. Por, ndërkohë, zonja Malaj thekson se ka shumë për t’u bërë, duke nisur që nga fusha e legjislacionit, promovimit të fuqishëm të modelit të grave të suksesshme.

– Zonja Malaj, jemi në prag të festave të 7 dhe 8 Marsit, cili është mesazhi juaj për gruan shqiptare?

Në fakt, është java më e rëndësishme e fillimit të këtij muaji, që përkon me vlerësimin e figurës së gruas, me vlerësimin e figurës së gruas nënë dhe të gruas si mësuese, me vlerësimin e protagonizmit të saj në jetën familjare, politike dhe sociale dhe në jetën shoqërore. Mendoj që viti 2012 e ka gjetur gruan shqiptare me një vizion më të qartë, me një pjesëmarrje më të fuqishme në sistemin arsimor me një përqindje mbi 60 për qind të prezencës së vajzave dhe grave në procesin e mësimdhënies, me një prezantim të fortë të vajzave që në sistemin parauniversitar, me një imazh të qartë të perspektivave gjinore, në aspektin e politikës së zhvillimit të ekonomisë dhe vlerave reale të formimit, jo vetëm të përditshme, por dhe profesionale. Me një protagonizëm në fushën e familjes, me një rol të fuqishëm, jo vetëm të edukimit, ajo promovon. Partneriteti midis burrit dhe gruas është një partneritet shumë i nevojshëm dhe me një vlerësueshmëri për historinë e grave dhe zonjave tona. Mendoj që mesazhi më i mirë është urimi që i takon çdo familjeje shqiptare, çdo gruaje shqiptare, çdo burri shqiptar, çdo djali dhe vajze për të treguar që vlerat e një kombi qëndrojnë tek emancipimi i shoqërisë. Emancipimi nuk do të thotë thjesht fjalë promovuese, por do të thotë vlerësim për vlerat e gruas, për imazhin e saj, të kontributit që japin burrat dhe gratë në shoqëri dhe për vlerësueshmërinë e rritjes së fëmijëve – objekti më i rëndësishëm i qenies njerëzore. Mendoj se urimi tjetër i takon pjesës së politikës shqiptare, atyre grave politikane që kanë punuar fort të krijojnë modelin e grave në politikë, grave të cilat janë me vlera, të cilat mbartin shumë problematika në kurriz të tyre, që janë gati të bëjnë zgjidhjen e disa problemeve dhe që negociojnë fort për vendimmarrjen dhe për suksesin që duhet arritur.

– Ka modele të suksesshme të grave në vendin tonë?

Mendoj që sot u identifikua modeli i gruas në Shqipëri. Duhet të shikojmë anën e vlerave reale, pasi vet familja shqiptare, tashmë po integrohet në familjen evropiane. Fakti që unë, me kompetencë them sot që studentet shqiptare po realizojnë performancën më të mirë në universitetet e botët, duke marrë vlerësime maksimale të tyre, tregon se modeli më i mirë i vajzave dhe djemve tanë dhe modeli më i mirë i gruas është vlera reale që duhet të promovojë shoqëria. Natyrisht, është bërë shumë, por ka edhe shumë për t’u bërë. Duhet bërë vet vlerësueshmëria e emancipimit të grave, të cilat t’i japin vlerën reale modelit më të mirë të mundshëm, atij modeli që të promovojë. Ashtu si gratë artiste që Kryetarja e Kuvendit promovoi sot fuqishëm, edhe gratë që kanë bërë historinë e karrierës së Shqipërisë. Mbretëresha e parë shqiptare ka qenë Teuta dhe Shqipëria, në kohën e Ilirisë, është quajtur si simbol i vlerës së një shteti të fuqishëm, ku drejtonte një grua e suksesshme

 

– A ka evoluar gruaja shqiptare në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar?

Ka evoluar shumë, për hir të së vërtetës, ka evoluar në drejtim të kuptimit të problemeve, në drejtim të kapjes dhe imazhit të problemit, në drejtim të realitetit objektiv. Kjo do të thotë që, sot, e kemi gruan të mirëshkolluar dhe të gatshme për të realizuar idetë e saj në fusha të ndryshme, duke filluar që nga fusha e vendimmarrjes, fusha e ekonomisë. Sot, nuk e kemi nocionin “biznes women”, si nocion të paprekshëm në Shqipëri. Sot, kemi sipërmarrje të fuqishme të grave, të cilat në partneritet me burrat, realizojnë fuqimisht produktin e tyre; sot, kemi prezencën e tyre në dy nga sistemet më të rëndësishme që janë: sistemi i arsimit dhe sistemi i shëndetësisë; sot, kemi gra që bëjnë rolin e diplomatit të mirë; sot, kemi gra që bëjnë edhe rolin e protagonistit në politikë shumë mirë, kemi këtu modelin e zonjës Topalli (të Kryetares së Parlamentit), por edhe të tjera deputete; sot, kemi modele partneriteti me qeverinë, kemi një numër prej 8-9 z/ministresh, të cilat, në njëfarë mënyre, kanë treguar një modalitet pozitiv në drejtim të mirëqeverisjes; sot, kemi një numër të madh të zgjedhurash në komuna dhe bashki – atje ku janë shërbimet; sot, kemi ndryshim progresiv dhe ky ndryshim shihet. Natyrisht, nuk mund të pretendojmë se kemi arritur gjithçka, pasi vetë bota, që në prag 8 Marsi bën analizat e sukseseve dhe analizat e problematikave që nuk janë realizuar, mendojnë gjithashtu se ka shumë gjëra për t’u bërë. Ka shumë gjëra për t’u bërë në fushën e legjislacionit, ka shumë gjëra për t’u bërë në bazën e nxitjes së punësimit të vajzave dhe grave, por nuk mund të realizohet punësimi, pa mirarsimimin. Ka shumë për të bërë në bazën e promovimit të figurave të vlerave të grave shqiptare dhe vlera më e madhe është në promovimin e tyre. Ka shumë për t’u bërë në aspektin e gruas në vendimmarrjen e politikës dhe të menduarit politikisht. Gjithsesi, unë mendoj se gratë dinë të mendojnë politikisht dhe të veprojnë me energjitë pozitive për të gjetur zgjedhjet e problemeve. Mendoj se sot, gruaja nuk duket më ai seksi i dobët që luftonte për të drejtat e saj, por sot gruaja lufton për të formuar vizionin, misionin dhe detyrimin që ka karshi shoqërisë – duke e parë shoqërinë në partneritet dhe duke e zhvilluar atë me parametra bashkëkohorë.