Festohet sot 7 Marsi, festa e mësuesit

Festohet sot në mbarë vendin, festa e mësuesit, e cila shënon edhe 125 vjetori e hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë. Aktivitete të shumta priten të organizohen sot në mbarë vendin, ku mësuesit do të jenë ata që do të marrin falenderimet për punën e tyre të palodhur në edukimin e brezave. Kryeministri Berisha do t’i urojë mësuesit nga Korça ku do të vizitojë sot shkollën e mesme “Isuf Gjata” si dhe do të marrë pjesë në konferencën jubilare në Universitetin “Fan Noli”. Gjithashtu kryeministri do të ndjekë një koncert festiv në teatrin “Andon Zako Çajupi” si dhe do të vizitojë muzeun e shkollës “Mësonjëtorja e parë shqipe”. Ndërsa në kryeqytet do të promovohet albumi i parë me 120 fotografi dhe të dhëna biografike mbi personat që mundësuan hapjen e kësaj shkolle, nga studiuesi e koleksionisti Niko Kotherja. Albumi përmban fotografi që tregojnë kontribuesit, drejtuesit e mësuesit e parë të mësonjëtores të hapur më 7 Mars 1887 apo dhe nxënësit e dalë nga bankat e kësaj shkolle. Albumi përmban gjithashtu edhe tekstet e përdorura nga nxënësit e Mësonjëtores. Përvjetori i Mësonjtores së Parë shqipe simbolizon rilindjen e madhe te shqiptarëve, luftën e tyre për identitet kombëtar, për liri dhe progres. Falë dashurisë dhe sakrificave të rilindasve tanë të shquar arsimi i rezistoi presioneve dhe i dha frutet e veta, një Shqipëri e pavarur, që iu bashkua rrjedhës së kombeve të tjera europiane, në rrugën e pavarësisë dhe zhvillimit.

 

Comments are closed.