Flet deputeti demokrat, Tritan Shehu: Krijimi i partive të reja nuk dëmton pozicionin e PD-së

“Refuzimi i statusit, pasojë e politikave bllokuese të Partisë Socialiste”

Deputeti demokrat, Tritan Shehu, thekson se mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE, është pasojë e politikave bllokuese të Partisë Socialiste dhe kreut të saj. Në një intervistë për gazetën “Republika”, Shehu jep opinionin e tij për largimin e Gazmend Oketës nga Partia Demokratike. Sipas tij, shkaqet e dhëna prej tij nuk janë të mjaftueshme dhe të besueshme për të justifikuar një hap të tillë. Lidhur me daljen në skenën politike të partive të reja, si Aleanca Kuq e Zi apo dhe krijimi i një partie nga ana e Bamir Topit, deputeti demokrat thekson se këto nuk do të lëkundin dhe nuk do ta dëmtojnë pozicionin e mazhorancës për në zgjedhjet e ardhshme të 2013-ës.

 

– Ditët e fundit, ka pasur akuza nëpërmjet mazhorancës dhe opozitës, duke fajësuar njëra-tjetrën për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE…

Së pari, janë pasojat e një periudhe 2-vjeçare të një politike absurde, revolucionare të opozitës, e cila, pa dyshim, dëmtoi shumë imazhin e Shqipërisë. Sepse ishte e gjatë, agresive dhe krejtësisht e shkëputur ndaj principeve demokratike dhe principeve evropiane. Së pari, nuk mund të mos dëmtonte imazhin dhe nuk mund të mos vazhdojë akoma të ketë pasojat e saj. Së dyti, përsëri kemi një kthim prapa të zotit Rama dhe të Partisë Socialiste. Shenjat e fundit që ka dhënë ai, janë përsëri shenja bllokuese, pa dyshim nuk është kthyer në pozicionet e dy viteve të para, por përsëri e sheh bllokuese. Shihet e tillë, sepse dëmtojnë ato elementë që lidhen me kushtet e Bashkimit Europian për statusin e vendit kandidat. Lidhen pikërisht me një problem të rëndësishëm aktual dhe këto qëndrime hidhen përsëri në një moment që ne jemi në prag të statusit të kandidatit, po ose jo për ne. Siç duket, brenda PS-së, brenda partisë politike socialiste, kryetari i saj ka ide dhe vizione që bien ndesh me integrimin europian të Shqipërisë dhe që, në një mënyrë apo tjetër dhe për shkaqe të ndryshme kërkojnë ta bllokojnë këtë. Nëse ata mendojnë se marrja e statusit do ta forcojë politikisht Partinë Demokratike (gjë që nuk është e vërtetë, sepse ky është një problem që lidhet me të gjithë), unë mendoj se do të ishte një kapital politik për gjithë Shqipërinë. Qoftë dhe elementë të tjerë që duan ta mbajnë Shqipërinë larg integrimit, ndoshta edhe nga grupe që kërkojnë të kenë një zonë jo të qartë, të pasigurt dhe me probleme.

– Ndërkohë që për vendin tonë ka vonesë të dhënies së statusit, Serbisë iu hap drita jeshile nga vendet e BE-së…

Unë e konsideroj pozitive këtë. Unë nuk jam nga ata që them pse u bë një gjë e tillë dhe ishte gabim që iu dha Serbisë. Jo. Unë e konsideroj pozitive dhënien e statusit Serbisë dhe ecurinë e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Pa dyshim, sa më shumë vende të rajonit tonë ecin drejt Bashkimit Evropian, aq më pozitive është gjendja në rajonin tonë. Unë po e mendoj ndryshe: është pikërisht kjo pengesë, ky qëndrim i opozitës së zotit Rama, në këto dy vite, që nga 2009-a, të cilat kanë bërë që Shqipëria të mos ishte para Serbisë në marrjen e statusit. Këtu duhet ta gjejmë shkakun e vërtetë. Nuk kemi pse “të qajmë” pse e mori Serbia, por duhet “të qajmë” pse Partia Socialiste, pse kreu i saj, zoti Rama, kanë bllokuar për këto vite. Ky është problemi ynë i madh.

– Kohët e fundit, u duk sikur konsensusi mazhorancë-opozitë po ecte në rrugë të mbarë, ndërkohë që për disa çështje të rëndësishme dhe ligje me 3/5, opozita nuk ka votuar…

Ky bllokim në Komisionin e Ligjeve ishte absurd. Unë jam anëtar në këtë komision dhe bllokimi ishte vetëm për një nen që ishte paraqitur nga Partia Socialiste, jashtë programit të parë. Ishte një nen me sens jo të qartë dhe realisht nuk qartësonte problemin e tij. Propozimi ishte kështu: OK, le ta miratojmë me këto gjëra që kemi rënë dakord, ku  pjesa më e madhe e ndryshimeve janë propozuar nga Partia Socialiste dhe për këtë që nuk biem dakord, le ta diskutojmë me grupe më të specializuara, brenda apo jashtë Shqipërisë dhe ta miratojmë në një kohë të dytë. Nuk bllokohet gjithë Kodi Penal për nenin e fundit. Mendoj se këtu kishim një keqdashje, një qëllim për të bllokuar. Dhe kjo shkon pikërisht me atë periudhën e rëndësishme të integrimit të Shqipërisë, ashtu si dikur, kur u tentua të bllokohen anëtarësimi në NATO, ashtu si në vitin 2009, kur u bllokua integrimi, ashtu edhe sot kërkojnë të nxjerrin probleme që të bllokojnë procesin e dhënies së statusit Shqipërisë.

 

– Si e gjykoni largimin e deputetit Gazmend Oketa nga Partia Demokratike?

Unë e kam thënë gjithmonë: vendimi i zotit Oketa është një vendim personal i tij. Për mendimin tim, i gabuar. Tërësisht i gabuar, realisht jo në përputhje qoftë me interesat e tij, qoftë dhe me realitetin. Nga ana tjetër, shkaqet që ai ngrinte për largimin e tij nga Partia Demokratike, për mua nuk janë të besueshme. Nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar një hap të tillë, pra nuk janë as të besueshme dhe as të mjaftueshme. Së treti, unë mendoj se ky veprim nuk cenon zhvillimet në Partinë Demokratike dhe rolet në PD. Unë mendoj që, në fund të fundit, ky veprim dhe ky largim, vetëm sa ridimensionon rolin e vet zotit Oketa. Pra, në këtë prizëm, nuk mendoj se do të ketë afeksione, do të ketë prekje të veprimtarisë apo dimensionit të Partisë Demokratike. Kjo, pasi PD-ja bazohet në të tjera principe, në një elektorat të gjerë, bazohet në atë që ka bërë dhe po bën për zhvillimin e vendit, që nga krijimi i saj. E gjithë kjo do të çojë në një fitore të re të zgjedhjeve politike të 2013-ës. Kjo është e qartë dhe e sigurt.

 

– Dalja në skenën politike të partive të reja, si krijimi i Aleancës Kuq e Zi dhe krijimi i një partie të re të djathtë nga ana e Bamir Topit, do të krijojë balanca të reja në politikë?

Nuk krijohet një parti e re, si Aleanca Kuq e Zi, pavarësisht se gjithsekush ka të drejtë të krijojë parti politike në Shqipëri, por unë them se nuk preken dhe nuk dëmtohet dot pozicioni i Partisë Demokratike dhe nuk vë në dyshim dot fitoren e PS-së në 2013-ën. Aleanca Kuq e Zi, për mua është një grup spekulatorësh, populistësh, të cilët përdorin për efekte populiste dhe spekulatore parulla dhe slogane të rrezikshme, jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin, të cilat bien ndesh me interesat e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, shqiptarëve në tërësi dhe rajonit. Për mua është thjesht një lëvizje që nuk mund të ketë të ardhme, sepse jemi në një realitet tjetër.

 

 

Comments are closed.