Flet këngëtarja Adriana Koreta: Më kanë pëlqyer gjithmonë këngët patriotike

Ka studiuar për kanto, ka jetuar shumë vite jashtë vendit, por ka një zë të ëmbël dhe ka nxjerrë në treg albume të mrekullueshme. Tek këngët e saj gjen tekste patriotike. Ajo i këndon patriotizmit, bukurisë së vendit, dashurisë. Kjo është Adriana Koreta, këngëtarja që me zërin dhe hijeshinë e saj ka hyrë para 6-vjetësh në tregun muzikor dhe ka bërë për vete shumë fansa. Në një intervistë për gazetën “Republika”, këngëtarja Adriana Koreta na rrëfen planet e afërta të saj në fushën e muzikës, emocionet që ka marrë pas publikimit të çdo albumi, si dhe vështirësitë në tregun aktual të muzikës shqiptare.

– Jemi në këtë bisedë me këngëtaren Adriana Koreta. Po ju pyes për albumin tuaj të parë, të titulluar “Ç’po qëndis moj Marigo”, ku fabula e kësaj kënge na sjell në vëmendje ngritjen e flamurit… 

Këtë album e kam realizuar para 6-vjetësh në shtetin grek. Mua, gjithmonë më kanë pëlqyer këngët patriotike. Në album ka edhe këngë të tjera që janë shumë të bukura, por ajo që ka mbetur ne mendjet e të gjithëve është kënga me titull “Ç’po qëndis moj Marigo”. Teksti i kësaj kënge është populli. Ideja për realizimin saj ishte të risillja në kujtesën e shqiptarëve ngritjen e flamurit dhe që ky flamur u qëndis nga dora e një vajze të quajtur Marigo. Ashtu sikur e kemi lexuar në libra historinë e vendit tonë, shpalljen e Pavarësisë, ashtu sikur e kemi parë dhe një sekuenca filmike një veprim të tillë, unë e kam përjetuar me shumë emocion realizimin dhe xhirimin e kësaj kënge. Ndërkohë që pas publikimit kam marrë mijëra mesazhe dhe përgëzime si për tekstin, ashtu edhe për muzikën.

– Sapo ka dalë në treg dhe albumi tjetër i juaji që titullohet “Shqipëri, e bukura e dheut”. Me sa duket, ju fokusoheni më shumë tek këngët patriotike, këngë kushtuar vendit, bukurive të tij…

Ky album është realizuar në Shqipëri, jam fokusuar tek patriotizmi, pasi kemi kohë që kemi jetuar jashtë vendit dhe është e vetmja pikë kyçe për emigrantët. Vendi ynë ka një pasuri të tërë natyrore, vende të bukura dhe të mrekullueshme, të cilat i kam sjellë nëpërmjet pamjeve të filmuara në këtë album. Pas kësaj, kam realizuar dhe një këngë komerciale.

 – Kush është Adriana, për të gjithë ata që nuk ju njohin?

 Adriana Koreta është me origjinë nga Vlora, kam jetuar shumë kohë në Greqi. Kam studiuar për kanto në Greqi. Kam pesë vjet që jetoj në Shqipëri. Muzika më pëlqen, është hobi im i vetëm. Kam vite që këndoj, jam e apasinouar kryesisht tek muzika e jugut, por edhe te muzika e lehtë. Merrem me aktivitete të ndryshme në Shqipëri, po ashtu edhe jashtë shtetit.

– Si e shikoni tregun muzikor ne vend?

Tregu muzikor në Shqipëri është vështirësuar shumë. Besoj se këngëtari që vërtet është me këmbë në tokë dhe që quhet këngëtar, u reziston luhatjeve dhe vështirësive të tregut dhe mbijeton.

– Cili është këngëtari shqiptar dhe i huaj më i preferuar për ju?

 Nga këngëtaret shqiptarë, më e preferuar për mua është Eli Fara, ndërsa nga muzika e lehtë Aleksandër Gjoka. Ndërsa nga këngëtarët e huaj, janë dy këngëtarë grekë, gjithashtu dhe Bon Xhovi, Majkëll Xhekson, Madona.

– Cilat janë planet tuaja të afërta?

Mendoj se së shpejti do të realizoj një klip, por jam ende në zgjedhje.

 Intervistoi: Eglantina Alliaj