Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

(Libri i ri i prof. Murat Gecaj, “Me zemër në vendlindje”)

Nga VIRON KONA, shkrimtar e publicist

Inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Tiranë

Vizitat në një vend mik, janë gjithnjë mbresëlënëse dhe cilido vizitor e ndjen detyrim që të shprehet për to, në mënyrën e tij, për gjithçka që sheh, për njerëzit që takon e për mjedisin. Ndërsa, më pas, si pa kuptuar, nis e “zhytet” në jetën dhe botën e atij vendi, më saktë të njerëzve që jetojnë, punojnë dhe e zhvillojnë veprimtarinë e tyre atje.

Prof. Murat Gecaj, duke qenë i ftuar nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Boras të Suedisë, në festimet e 5-vjetorit të krijimit të revistës “Dituria” dhe të 4-vjetorit të radios “Dituria”, është nxitur të shprehet ndjeshëm, me respekt dhe me shumë dashuri, për ato festime dhe për aureolën, që i ka shoqëruar ato, në Shqipëri dhe në Suedi. Kur i lexon, varg njëri pas tjetrit, shkrimet e librit të krijojnë përshtypjen e një buqete me lule të shumëllojshme dhe të freskëta, të lidhura me “fjongon” e miqësisë shqiptare – suedeze. Ato u dhurohen dhjetëra mijëra bashkëkombësve shqiptarë me banim në Suedi, por dhe mikpritësve suedezë, këtij populli me ndjeshmëri të lartë njerëzore, që iu gjendën pranë vëllezërve tanë nga Kosova, në ditët e tyre më të vështira, kur mbi ta veproi me egërsinë më të madhe gjenocidi serb.

Në shkrimet e këtij libri, pasqyrohen dhe vlerësohen dukuri, episode dhe ngjarje, veprimtari miqësore shqiptare – suedeze dhe ndjenja atdhedashurie, për vendlindjen Kosovë dhe Shqipërinë. Por shprehen edhe meditime rreth asaj çfarë prof. Gecaj ka përjetuar e ka ndjerë në ato ditë të qëndrimit dhe të vizitave në Suedinë mike. Gjithçka është parë dhe shkruar nga këndvështrimi i një publicisti të sprovuar, që nuk lë t’i shpëtojë gjë; që vlerëson, studion, analizon, shprehet me fjalën e sinqertë dhe mendimin e pastër e të çiltër dhe, e plotëson këtë, më tej, me imagjinatën krijuese. Me këtë libër, mendoj se autori ia arrin t`i shprehë natyrshëm mbresat dhe emocionet, që provoi në ato ditë të shënuara, por edhe t’i përjetojë dukuritë dhe ngjarjet me ndjenjën e thellë të atdhetarizmit, t`i vlerësojë ato si ngjarje të rëndësishme historike dhe me theks njerëzor.

Me penën e artë të publicistit, autori gjen rastin të shprehet bindshëm, argumentues dhe bukur për Suedinë e zhvilluar dhe të përparuar, ndër shtetet dhe kombet europianë. Njëherazi, shkruan me një gjuhë zemre të ngrohtë edhe për ato vlera thellësisht njerëzore, që e shquajnë popullin suedez, dashurues të shpirtit të bukur e të lirë të njeriut.

Cilido lexues i vëmendshëm vëren se ngjarjet, episodet, shënimet, përshtypjet, skicat, reportazhet dhe e tërë ngrehina publicistike e paraqitur mjeshtërisht në faqet e librit, ka një bosht, rrezaton një subjekt: jetën e suedezëve dhe të shqiptarëve me banim në Suedi; jetën aktuale, marrëdhëniet e natyrshme dhe tepër njerëzore e miqësore të krijuara mes tyre, për një ardhmëri të sigurt, për fëmijët, familjet dhe vazhdimësinë e jetës. Libri pikëzon dhe veçon episode dhe ngjarje, portretizon tipa dhe karaktere njerëzish, shqiptarë dhe suedezë, të moshave dhe profesioneve të ndryshme; vë në dukje dhe vlerëson e gjithçka e bën në mënyrë tepër shprehëse, figurative dhe emocionuese.

Libri nisë me lajmin e udhëtimit për në Suedi, nëpërmjet ftesës së veçantë të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Boras; me udhëtimin ajror drejt Veriut të Europës, në vendin e dikurshëm të vikingëve, kurse sot të suedezëve të zhvilluar, të përparuar dhe shpirtmirë, me botë të pasur njerëzore. Vijon libri me shkrime për brendinë e festimeve të 5-vjetorit të revistës “Dituria” dhe të 4-vjetorit të radios “Dituria”; me përqafime të ngrohta dhe të përmallshme mes vëllezërish dhe miqsh; me bashkëbisedime mbresëlënëse dhe fjalë të zjarrta, të mbajtura në kuvendin e njerëzve të kulturës. Ndërsa shohim më tej fotografi të panumërta dhe autografe librash, me shprehje ndjenjash të respektit vëllazëror e miqësor.

E, në vazhdim, pasqyrohen vizitat në Borasin e njohur për tekstilin, për veçoritë dhe karakteristikat qytetare perëndimore të tij; për historinë dhe kulturën, për njerëzit e mirë, të dashur, të ditur dhe mikpritës; për bukuritë dhe pastërtinë e mjedisit; kujdesin ndaj kulturës, traditës, librit, veprave të artit; respektin për vlerat njerëzore kudo, ku ato shfaqen dhe plot shembuj të tjerë, që përfaqësojnë, konfigurojnë e paraqesin në mënyrë bindëse një qytet europian, me përmasa dhe parametra modernë.

Shkrimet e librit, shprehin ngrohtësisht e mjaft bukur edhe vizitën në Goteborg, qytet i dytë i Suedisë për nga madhësia, i quajtur ndryshe dhe “Londra e vogël” ose “Amsterdam i ri”; vijojnë me përshkrimet mbresëlënëse të vizitave dhe shëtitjeve në atë qytet-port, me histori dhe mjedise interesante e befasuese për cilindo vizitor. Libri ndalet në portretizimin e karaktereve njerëzorë, tregimin e ngjarjeve të llojllojshme, duke pasqyruar thellësinë e ndjenjave të atdhedashurisë së shqiptarëve, të cilët kanë gjetur strehë të ngrohtë dhe të sigurt në Suedinë mike, por që vazhdimisht mendjet dhe rrahjet e zemrave të tyre, përhapin në hapësirë fllade malli dhe dashurie të zjarrtë për vendlindjen e shtrenjtë, Kosovën dhe Shqipërinë.

Prof. Murat Gecaj, si edhe në shkrime të tjera të tij, zhvillon dhe vlerëson ngjarjet nisur nga ideja se, ajo që e bën të bukur dhe mbresëlënës një vend, një qytet, një shtet, një popull, është vlera shpirtërore e njeriut, sesi ai paraqitet në veprimtarinë e jetës së përditshme, çfarë qëndrimi mban ndaj të resë, përparimtares; sesi ai ndërton “urat” e bashkëpunimit me popuj të tjerë, si nderon dhe respekton civilizimin dhe qytetërimin. Dëshiroj të theksoj me bindje të plotë, si bashkudhëtar dhe dëshmitar i mjaft episodeve dhe ngjarjeve të përshkruara në këtë libër, që Suedia dhe banorët e saj, qofshin vendës, shqiptarë ose të ardhur nga kombe të tjerë, e manifestojnë cilësisht shkëlqyeshëm qytetarinë, mirësinë dhe dashurinë njerëzore.

Autori e respekton Suedinë dhe suedezët si komb, duke vënë në dukje se ata i kanë dhënë botës dhe njerëzimit personalitete të mëdhenj historikë dhe të të gjitha fushave: politikës, kulturës, shkencës, artit, letërsisë. Por, ndërkohë, ky vend dhe ky popull emeton stuhishëm dhe me rrezatim gjithëpërfshirës, energji të pamata njerëzore, ashtu si dielli jetëdhënës shpërndan kudo, pa kursim, pa hatër dhe anësi, rrezet e tija të ngrohta, kusht kryesor për ekzistencën e njeriut në planetin, ku ne jetojmë.

Nëpër faqet e librit kalojnë emra njerëzish të moshave e profesioneve të ndryshme, shqiptarë e suedezë, fëmijë, nxënës shkollash, mësues e mërgimtarë të thjeshtë, personalitete të artit e kulturës, miq dhe dashamirës të Shqipërisë e Kosovës, autoritete vendëse, gazetarë, shkrimtarë, artistë, studiues… Emrat e tyre bëhen të njohur nga autori me respekt e dashuri, ata portretizohen dhe paraqiten bukur me të veçantat e tyre, me vlerat dhe me mesazhet që përcjellin, nëpërmjet tregimeve, ndodhive, bashkëbisedave të ngrohta e të sinqerta. Nga njëra faqe në tjetrën, lexuesi miqësohet me ta, si me miq që ka mall e dëshirë t’i takojë e t’i njohë më nga afër.

E bënë tërheqës librin, fakti se ai është shkruar me një gjuhë të pastër letrare e drejtshkrimore, me larmi, ngjyrime e nuanca emocionale, me stil tërheqës e origjinal. Gjithashtu, e bën edhe më të plotë librin, pajisja me fotografi njerëzish, vendesh, peizazhesh dhe pamjesh, nga vizitat në Suedinë e bukur.

Kam bindjen se, cilido që do ta lexojë këtë libër, jo vetëm do të marrë një informacion të pasur dhe të plotë për popullin suedez dhe shqiptarët me banim në Suedi, por edhe do të krijojë përshtypje, të atij lloji, që të mbeten të ngulitura thellë në kujtesë dhe që pasohen me shfaqjen e emocioneve, për çdo faqe dhe shkrim të librit.

Një hyrje libri, ka për detyrë të japë natyrshëm një informacion, por edhe të nxisë dëshirën dhe kureshtjen e lexuesit për atë që, libri, përfaqëson, paraqet dhe trajton, për mesazhet që përcjell dhe mënyrën, sesi i shprehë ato. Gjithsesi, sado pasqyruese që të jetë një hyrje, ajo nuk mundet kurrsesi të bëhet zëdhënëse e plotë dhe shteruese e mesazheve, emocioneve dhe bukurive të një vepre të ndjerë publicistike. Do të jetë vetë lexuesi, ai që do ta bëjë vlerësimin. Por dëshiroj të nënvizoj me bindje se, te faqet e këtij libri, rrahin si krahë pëllumbash në fluturim, fllade të ngrohta atdhedashurie e miqësie, të çiltra, transparente dhe të sinqerta, të atilla, që mund t’i krijojnë vetëm zemrat e bukura.

 

 

 

 

 

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *