FMN, Lagarde: Ekonomia botërore po shkon drejt stabilizimit

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar , Christine Lagarde tha se ekonomia botërore po shkonte drejt stabilizimit, ku shton se borxhet e larta në vendet e zhvilluara dhe çmimet vazhdimisht në rritje të naftës, janë rreziqet kryesore që mbeten. Gjatë vizitës së saj në Kinë e Indi, Lagarde duke folur me politikanët dhe liderët e bizneseve, tha se shenjat e stabilitetit tregojnë se politikat për përballimin e krizës botërore janë efektive, se treguesit ekonomikë në SHBA duken pak më optimistë dhe se BE-ja bëri një hap të rëndësishëm përpara me përpjekjet për Greqinë. “Falë këtyre përpjekjeve kolektive, kriza globale bëri një hap prapa nga buza e greminës dhe kemi arsye për të qenë më shumë optimistë. Por optimizmi nuk duhet të na joshë me një ndjenjë të rreme sigurie. Ekzistojnë akoma dobësi të mëdha ekonomike dhe financiare që duhet të përballim”, shtoi ajo. Ndër të tjera, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka thënë se Kina duhet të marrë masa për reformimin e ekonomisë dhe monedhës së saj, yuanit. Lagarde tha se Pekini duhet të ndalë së qenuri shumë i varur nga eksportet dhe investimet. Javën e shkuar, FMN aprovoi 28 mld euro ndihmë për Greqinë, pjesë e paketës së dytë të shpëtimit.

Comments are closed.