Formulari A1Z, kategoritë që do e plotësojnë

Tashmë faza e dytë për aplikime nga maturënatë për në universitet është plotësimi i formularit A1Z. Sipas udhëzimeve të mëparshme të Ministrisë së Arsimit, formulari A1Z pritej të publikohej në datën 15 prill, por ende nuk është shpallur zyrtarshit. Ndërkohë, afati i plotësimit të këtij formularit do të jetë i papërcaktuar, deri në momentin që të gjithë maturantët dhe ata që duan të ndjekin studimet në Universitet ta kenë plotësuar të gjithë. “Po, pritet që të fillojë plotësimi i Formularit A1Z, i cili do të plotësohet on-line, ashtu siç u plotësua edhe Formulari A1, para disa ditësh. Procedura e plotësimit do të bëhet sipas një udhëzimi të veçantë që del nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.”- kështu bën me dije gjatë një interviste për “Republika”, Alfons Harizaj, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Më tej ai shpjegon dhe të gjitha detajet e plotësimit të këtij formulari, dhe kategoritë që kanë të drejtë ta plotësojnë.

-Zoti Harizaj, cilat janë kategoritë që duhet ta plotësojnë formularin A1Z?

Po, pritet që të fillojë plotësimi i Formularit A1Z, i cili do të plotësohet on-line, ashtu siç u plotësua edhe Formulari A1, para disa ditësh. Procedura e plotësimit do të bëhet sipas një udhëzimi të veçantë që del nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Formulari A1Z plotësohet nga këto kategori:

a) Maturantët para Maturës Shtetërore 2013;

b) Kandidatët që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi në maturat e mëparshme;

c) Kandidatët që janë shpallur fitues në një program studimi në maturat e mëparshme, por nuk janë regjistruar ose janë çregjistruar para 15 shkurtit të vitit pasardhës;

d) Kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe aplikojnë për herë të parë në Maturën Shtetërore si edhe ato që kanë aplikuar më parë dhe plotësojnë kushtet 2/b dhe 2/c të këtij Udhëzimi.

-Cilat janë disa nga kërkesat që duhet të plotësojnë kandidatët në momentin e plotësimit të formularit?

Kandidatët që duan të plotësojnë formularin A1Z duhet të paraqesin te mbikëqyrësi një vërtetim, modeli i të cilit do të dërgohet nga MASH. Vërtetimi, veç gjeneraliteteve, do të ketë këto të dhëna:

a) Provimet e detyruara dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga maturanti/kandidati.

b) Provimet me zgjedhje dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga maturanti/kandidati.

Plotësimi  i Formularit A1Z fillon në Portalin Qeveritar dhe përfundon në shkollën që cakton DAR/ZA-ja. Procesi i plotësimit të Formularit A1Z ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që do të quhet “mbikëqyrës”. Mbikëqyrësi pajiset me kodin përkatës të hyrjes në sistemi. Vetëm pasi mbikëqyrësi fut kodin në sistem, kandidati mund të përfundojë plotësimin e Formularit A1Z. Lista me të dhënat e marra nga plotësimi i formularëve printohet, nënshkruhet nga maturanti, mbikëqyrësi dhe vuloset nga drejtori i shkollës ku plotësohen formularët A1Z. Listat ruhen deri në përfundim të Maturës Shtetërore 2013.

– Cilat janë disa nga hapat që duhet të ndjekin maturantët për të plotësuar lëtë formular?

Po, si fillim kandidati duhet të plotësojë të dhënat sipas hapave të mëposhtëm. Tek pika 1, (numri personal i letërnjoftimit iD), kandidati shënon numrin e tij personal që ka në dokumentin e identifikimit. Për të dhënat 2-5, pas plotësimit nga kandidati, sistemi bën verifikimin e tyre dhe nuk lejon të vazhdohet aplikimi, nëse ka pasaktësi. Tek pika 6, kandidati shënon në fushat përkatëse, numrin e telefonit dhe adresën e email-it, të cilat duhet të ruhen të pandryshuara deri në fund të Maturës Shtetërore 2013, me qëllim që ai (kandidati) të marrë informacion në faza të ndryshme të procesit. Nëse kandidati nuk ka telefon, ose nuk dëshiron të shënojë numrin e telefonit, atëherë shënon mbikëqyrësi numrin e tij të telefonit. Tek pika 7, kandidati zgjedh nga lista Po ose Jo. më pas plotësohen të dhënat shkollore. Të dhënat shkollore do të plotësohen në bashkëpunim me mbikëqyrësin e sallës ku bëhet aplikimi. Për plotësimin saktë të kërkesave të këtij grupimi, kandidatët dhe mbikëqyrësi duhet të marrin informacion të saktë dhe të plotë për rubrikat përkatëse: Plotësohen nga kandidati tek pika 8;  (emri i qytetit/fshatit), kandidati shënon emrin e qytetit/fshatit ku ndodhet shkolla ku ai ka studiuar. Tek pika 9; (emri i shkollës ku ka studiuar), kandidati shënon emrin e shkollës ku ai ka studiuar.

– A mund të na përmendini disa nga detyrat e mbikëqyrësit?

Po, në plotësimin e formularit, përveç kandidatit do të japi ndihmesë edhe mbikëqyrësi. Kështu plotësohet nga mbikëqyrësi tek pika 10, emri i DAR/Z-ës përkatëse.

Tek pika 11, (Indeksi i profilit), zgjidhet nga lista numri dyshifror që i përket shkollës ku ka studiuar kandidati ose ai që përcaktohet nga komisioni i njehsimit të diplomave për shtetasit që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit, sipas listës së miratuar nga MASH. Tek pika 12, (emërtimi i profilit) mbikëqyrësi plotëson emrin e profilit/degës.

Po ashtu do të plotësohen nga mbikëqyrësi edhe të dhënat lëndore. Zgjedhja e lëndëve bëhet në përputhje me Udhëzimin nr. 35, datë 27.11.2012 “Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2013”. Të dhënat e mëposhtme mbikëqyrësi i plotëson në mbështetje të vërtetimit të përmendur në pikën 3 të këtij udhëzimi:

• iD e kandidatit: Shënohet iD që kandidati ka marrë në maturat e mëparshme. Nëse nuk ka marrë iD, fusha të mbetet bosh.

• Vitit i përfundimit të shkollës së mesme: (zgjidhet nga lista”Viti i përfundimit të shkollës së mesme”.

– Po në rastin kur kandidatët për studentë kanë të mbartur lëndët e detyruara, si do të procedohet ?

Po, edhe në rastet që kandidati që do të plotësojë Formularin A1Z, ka të mbartura lëndët e detyruara do të veprojë si më poshtë.

-Lëndët e detyruara që mbarten:

Lënda D1: Në këtë fushë shfaqet “Letërsi”. Mbikëqyrësi plotëson notën e kësaj lënde, që i njihet apo i është konvertuar nga komisioni përkatës si lëndë D1.

Lënda D2: Në këtë fushë shfaqet “Matematikë”. Mbikëqyrësi plotëson notën e kësaj lënde, që i njihet apo i është konvertuar nga komisioni përkatës si lëndë D2.

-Lëndët e detyruara që do zgjidhen:

Nëse kandidati mbart lëndën D1, ai do të japë provim vetëm D2, prandaj zgjidhet “Lënda D2”. Nëse kandidati mbart lëndën D2, ai do të japë provim vetëm D1, prandaj zgjidhet “Lënda D1”. Nëse kandidati mbart lëndët D1 dhe D2, nuk do të zgjidhet as “Lënda D1” e as “Lënda D2”.

-Lëndët me zgjedhje që do të mbarten:

Lënda Z1: Zgjedh nga lista lëndën Z1 që do të mbartë, vitin kur e ka dhënë dhe notën e shkallëzuar të saj.

Lënda Z2: Zgjedh nga lista lëndën Z2 që do të mbartë, vitin kur e ka dhënë dhe notën e shkallëzuar të saj. Nëse lënda/lëndët e mbartura janë dhënë disa herë provim, do të zgjidhet nota e marë vitin e fundit.

-Zgjidhja e lëndëve me zgjedhje:

Rastet e mbartjes së lëndëve me zgjedhje para vitit 2013

-Po në rastet që kandidati ka mbaruar shkollën e mesme në periuedhën 2006-2011, si duhet të veprojë?

-Për këtë kategori, do të ketë disa ndryshime, që unë po jua sqaroj më poshtë.

a) Kandidati që mbart nga maturat e viteve 2006-2011 dy lëndë me zgjedhje, nuk do të japë provim me zgjedhje .

b) Kandidati që mbart nga maturat e viteve 2006-2011 një lëndë me zgjedhje, duhet të zgjedhë për të dhënë provim vetëm një lëndë me zgjedhje (pavarësisht nga kreditet).

c) Kandidati që nuk ka mbartur lëndë me zgjedhje nga maturat para vitit2011, duhet të zgjedhë për të dhënë provim dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje. Lëndët e zgjedhura duhet të plotësojnë kushtin e jo më pak se 8 kredite.

– Po për ata kandidatë që kanë të mbartur provime nga Matura Shtetërore 2012, cila është rruga që do ndiqet?

Në rastet e mbartjeve nga Matura Shtetërore 2012:

a)Kandidati që kishte zgjedhur tri lëndë me zgjedhje dhe është shpallur kalues në dy prej tyre:

-Nëse shuma e krediteve të lëndëve të shpallura kaluese është jo më pak se 8, kandidati mund të mos zgjedhë lëndë tjetër dhe të konsiderohet që ka likuiduar detyrimet e MSh 2013.

-Nëse shuma e krediteve të lëndëve të shpallura kaluese është më e vogël se 8, kandidati mbart njërën prej tyre dhe zgjedh një tjetër për të plotësuar numrin 8 të krediteve.

b)Kandidati që kishte zgjedhur tri lëndë me zgjedhje dhe  ka fituar vetëm një, do ta mbartë atë lëndë dhe do të zgjedhë një tjetër nga lista e lëndëve me zgjedhje, duke plotësuar kriterin jo më pak se 8 kredite.

c) Kandidati që ka mbetur në të tri provimet, duhet të zgjedhë dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje, duke plotësuar kriterin jo më pak se 8 kredite.

Edlira Mema