|

Fototeka Marubi: Mes imazheve të të parëve

MarubiPas përurimit të tij, Muzeu Virtual Marubi pushtoi internetin. Shkodranë dhe jo vetëm nisën të kërkonin mes 100 mijë fotove të dixhitalizuara nga arkivat e pasura të fototekës, për të gjetur të parët e tyre. Ky muze synon të nxisë turizmin vendas, duke ofruar online kulturën dhe historinë e Shqipërisë. Së shpejti ky muze do të ketë edhe dyqanin e vet online, ku të interesuarit mund të blejnë fotografi…

Nuk vonoi shumë nga përurimi, kur në rrjetet sociale nisën të shpërndaheshin me vrull fotografi të vjetra, të shkrepura nga dinastia Marubi në studion e tyre në Shkodër… E ishin pikërisht shkodranët të parët që të shtyrë nga kurioziteti, por edhe bindja se aty, mes 100 mijë fotografive të dixhitalizuara nga arkivat e pasura të fototekës do të gjenin të parët e tyre…Kjo shtyu edhe të tjerë kureshtarë, që duke kërkuar sipas mbiemrit gjetën fotografi të të parëve.

Një fotografi pasonte tjetrën, një portret grupi ia linte vendin një poze familjare, duke e bërë Marubin të pushtonte botën virtuale…Mbrëmjen e 14 tetorit të gjithë kishin kryefjalë fotografitë bardhezi të shkrepura nga duart e Marubëve.

“Ndjeva emocione dhe ekzaltim. S’ ishte ma si muze, porse si oda e pritjes që i ka muret e nalta e te mbushuna me fotot e familjes; gjyshërit, xhaxhallarët e kushërinjtë. Bukur shumë! Kanë ba një punë të paqtë e me shumë vullnet”, – kështu shprehet Elona Çuliq, një poete e re nga Shkodra, e cila jepte e merrte me miq ndjesi dhe kujtime. Kishte edhe nga ata që gjyshërit i kishin njohur vetëm prej fotografive dhe duke i gjetur nga kërkimi në internet dhe ndarja e këtyre kujtimeve me miq, sikur falte një lloj solemniteti.

Edhe artistë si Adrian Paci apo David Tukiçi u përfshinë duke postuar fotografi familjare.

“Në shtëpinë e babait tim është një valixhe plot me fotografi, ndoshta është edhe kjo që sot e kam gjetur online…duhet ndoshta një ditë për të kërkuar në valixhe”, – rrëfen David Tukiçi.

Edhe gazetarja Iva Tiço, edhe pse nuk i ka rrënjët e saj nga Shkodra , gjeti fotografi të gjyshërve duke kërkuar në muzeun virtual,

“Sot, kur pashë se një kolege kishte publikuar në Facebook fotografinë e gjyshërve në këtë fototekë, nxitova të bëja kërkim dhe arrita të gjej njërën”, –rrëfen Tiço, duke shtuar se pak vjet më parë kishte zbuluar në albumet e familjes edhe disa fotografi të vulosura Marubi.

“Vetëm pak vjet më parë, kur hoqa një fotografi nga albumi i gjyshes për ta skanuar dhe për ta vënë në kornizë, zbulova se ishin foto Marubi, sepse vulën e kanë nga mbrapa”. Këto foto thotë Tiço, janë shkrepur kur gjyshërit e saj vizitonin Malësinë e Madhe. “Motra e gjyshes e kishte bashkëshortin gjykatës në Malësi të Madhe. Janë prindërit e shkrimtarit Nasho Jorgaqi, madje te fotografia që gjeta ai është fëmijë”, duke shtuar se nga ky muze virtual pati mundësinë të zbulojë shumë detaje të tjera, si autori i fotografisë që ishte Geg Marubi , ndërsa fotoja datonte prej vitit 1938.

Entela Tabaku, një tjetër poete nga Shkodra, shkroi edhe një poezi rreth kësaj ngjarjeje që i përfshiu në nostalgji të gjithë bashkëqytetarët e saj. “Ne i kemi njohur gjyshërit pleq, Marubi online na i solli të rinj. Shumica janë fotografi që s’i kemi pare kurrë dhe as nuk ia kemi ditur ekzistencën. Dhe befas janë të gjithë aty, online, të rinj e të pashëm. Shumë emocionuese. Duket sikur kemi dalë në dritare e po shohim piazza-n e viteve ‘30 ” – shton Tabaku.

Pas thuajse dy vitesh punë për të arkivuar, kataloguar dhe dixhitalizuar arkivin fotografik të Marubëve, dy ditë më parë mori jetë në Shkodër “Muzeu Virtual Marubi”, i cili përfshin dhe prezanton publikisht rreth 100 000 fotografi të shkrepura gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, fotografi të cilat janë regjistruar në ‎Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore.

Sipas drejtorit të Fototekës, Luçian Bedeni, deri më tani janë mundur të dixhitalizohen vetëm njëzet për qind e fotografive të arkivit të Fototekës Kombëtare “Marubi”.

“Na mbeten akoma dhe rreth 400 mijë fotografi të tjera për të dalë në dritë për publikun”, – tha Bedeni gjatë promovimit. Sipas tij, vazhdohet të punohet ende.

Krijimi i faqes së internetit apo muzeut virtual është një grishje jo vetëm për kureshtarët që kërkojnë fotografi të prindërve, të gjyshërve e stërgjyshërve, por edhe për vizitorë që duan të zbulojnë rreth identitetit kulturor dhe historisë së Shqipërisë, përmes përfshirjes në një udhëtim vizual të fotografive online. Kjo synon t’i japë hov ekonomisë përmes turizmit lokal.

Italiani Pietro Marubbi, i pari i dinastisë, nisi të realizonte fotot e para në studio në vitin 1856, duke e bërë kështu Fototekën “Marubi” më një histori imazhesh 159 –vjeçare, një nga trashëgimitë më të rëndësishme fotografike në Ballkan. Përveç fotografive të themeluesit të fotografisë në Shqipëri, Pietro Marubbi-t, ky institucion ruan negativë dhe foto të disa prej fotografëve më të famshëm shqiptarë si Mati, Kel dhe Gegë Marubi, Kolë Idromeno, Shan Pici, Kolë Maca, Dedë Jakova, Pjetër Rraboshta, Angjelin Nënshati, Lek Voci, Lazër Kodheli, Hilmi Mustafa dhe së fundmi Mehmet dhe Osman Kallfa.

Të ekspozuara rrallë, tashmë ato janë për syrin e kujtdo të interesuari që klikon në muzeun virtual.

Nga pashallarë, vezirë, oficerë turq dhe deri konsuj të kombësive të ndryshme, italianë, francezë, austriakë, anglezë, rusë, grekë, serbë, figura nga lufta e parë dhe e dytë botërore dhe figura shqiptarësh të rëndësishëm nisur nga Luigj Gurakuqi, Fishta, Mjeda, Asdreni, Koliqi, Lasgush Poradeci, Migjeni, Azem e Shote Galica e shumë e shumë figura të tjera të rëndësishme të historisë kombëtare apo negativë me tema nga etnografia, urbanistika, monumentet e kulturës, historia, pazari, lundrimi në Bunë etj., tashmë ofrohen dhe gjenden mjaft lehtë. Por për të promovuar të drejtat e autorit, por edhe për të prodhuar të ardhura që do i nevojiten muzeut në të ardhmen, projekti ka të parashikuar edhe krijimin e një dyqani online.

Ky projekt pason kërkesën e qeverisë për të ruajtur dhe për të promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe historike të Ballkanit që gjenden në arkivin e Fototekës Kombëtare “Marubi”.

Për drejtorin e Fototekës, hapi i ardhshëm pas ndërtimit të muzeut të ri mbetet futja e Marubit në trashëgiminë e UNESCO-s.

MAVIMU

Muzeu Virtual Marubi përfshin rreth 100 000 fotografi të shkrepura gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Ky projekt konsistoi në arkivimin, katalogimit dhe dixhitalizimin e arkivit fotografik të Fototekës Kombëtare Marubit, si dhe krijimin e një faqe web për promovimin dhe prezantimin për vizitorët të cilët dëshirojnë të zbulojnë më shumë rreth identitetit kulturor dhe historisë së Shqipërisë, përmes përfshirjes në një udhëtim vizual të fotografive online. /Mapo.al

Similar Posts