Francë, të shtëna pranë një shkollë hebraike, 3 të vdekur

Tre persona kanë mbetur të vdekur, 2 prej të cilëve fëmijë nga një atentat me armë zjarri, ndodhur mëngjesin e sotëm në një shkollë hebraike në Tolosa, Francë. Mediat e huaja raportojnë se nga të dhënat e para viktimat janë një profesor dhe dy fëmijë, ndërkohë që edhe 2 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sipas të dhënave të para, një person identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, ka hapur zjarr në zonën pranë shkollës dhe mendohet se municionet e përdorura në këtë atentat janë të njëjta me ato të përdorura një javë më parë gjatë një tjetër atentati ku mbetën të vrarë 2 ushtarakë në Tolosa, Montauban. Dëshmitarët thanë për mediat franceze se një burrë, i veshur me të zeza, hapi zjarr mbi njerëzit e më pas u largua me motor. Si pasojë kanë mbetur të plagosur disa persona. Sipas policisë bëhet fjalë për të njëjtin person, i cili ka përdorur të njëjtën armë për të dyja atentatet. Ministri i Brendshëm, Claude Gueant ka urdhëruar masa shtesë sigurie nëpër gjithë shkollat hebreje në vend dhe pritet që të shkojë në vendngjarje në orët në vijim.

Comments are closed.