Francë, policia arreston autorin e vrasjeve në Tuluz

Pas 8 orë negociatash, policia franceze ka vënë në pranga autorin e vrasjeve në Tuluz. 24-vjeçari Mohammed Merah ndodhej i mirëarmatosur brenda banesës së tij; me një automatik kallashnikov, një pistoletë 9mm Mini-Uzi si edhe disa pistoleta të tjera. Ai më herët, hodhi nga dritarja një pistoletë Colt 45, në këmbim të një telefoni.  Mohammed Merah, 24 vjeç, është autori i dyshuar i serisë së vrasjeve në shkollën hebreje në Toulouse që kanë shokuar Francën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me të dyshuarin janë plagosur tre policë. Merah është 24 vjeç, ka lindur në Toulouse, por është me origjinë algjeriane dhe ka kaluar një periudhë në Jalalabad të Pakistanit, ndërsa është  kthyer në Francë vitin e kaluar.

Ministri Gueant u shpreh se i dyshuari ka pretenduar se ka lidhje me Al-Qaedan dhe se ka dashur të hakmerret për fëmijët e vrarë palestinezë gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme. Ai po ashtu, ka deklaruar se dëshironte të ndëshkonte ushtrinë e Francës për shkak të ndërhyrjeve ushtarake jashtë vendit. Edhe vëllai i të dyshuarit është arrestuar, ndërsa e ëma e të dyshuarit ishte në vendngjarje por refuzoi të fliste me të riun, pasi thoshte se nuk ka ndikim tek i biri. Banesa e tij është pak metra larg shkollës hebreje, ku i dyshuari 24-vjeçar ndërmori masakrën.