Fushatë për arsimimin, apel për mësues të kualifikuar

 

Arsimimi i denjë i fëmijëve shqiptarë dhe problemet që vazhdojnë ta shoqërojnë ishin në qendër të një aksioni sensibilizimi në Parkun Rinia. Të nxitur nga disa shoqata joqeveritare në mbrojtje të drejtave të tyre, një grup të rinjsh kanë bërë thirrje për mësues të kualifikuar dhe për politika kundër braktisjes së shkollës, sidomos nga femrat. “Ne kërkojmë që arsimi të ketë kualitet. Do të thotë që mësuesit tanë të kenë cilësi. Çështja së cilës i kemi kushtuar vëmendje është çështja e braktisjes së shkollës, nga njëra anë është çështja e edukimit të vajzave të reja, sepse një pjesë e vajzave që mbarojnë 9-vjeçaren e braktisin shkollën, por shikojmë me po kaq shqetësim edhe çështjen e pagesës së mësuesve”,-tha Altin Hazizaj, Shoqata për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve në Shqipëri. Aktiviteti u organizua në kuadër të javës Globale të Arsimit. Fëmijët dhe të rinjtë improvizuan një ekspozitë të hapur me punët e tyre si dhe krijuan ese me tema mbi të drejtat e fëmijëve.