Gaci: Votoni shfuqizimin e moratoriumit të mjeteve lundruese

Deputet i Grupit Parlamentar Socialist, Artan Gaci, u ka drejtuar dje, një letër të hapur deputetëve të qarqeve bregdetare dhe atyre me dalje në liqenin e Shkodrës, liqenin e Fierzës dhe liqenin e Pogradecit. “Më datë 15 mars, do të shqyrtohet kërkesa e Partisë Socialiste për shfuqizimin e moratoriumit të mjeteve lundruese. Nëpërmjet kësaj letre publike, ju bëj thirrje Ju, kolegë të mazhorancës, të votoni në interesin më të mirë të atyre që përfaqësoni për të shfuqizuar moratoriumin e mjeteve lundruese, ligj që ka bllokuar zhvillimin turistik e ekonomik të Shqipërisë. Moratoriumi e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion të turpshëm, krahasuar me fqinjët bregdetarë që e shohin turizmin si burim mirëqenieje për qytetarët e tyre. Zgjatja e tij, vetëm sa do të thellonte absurdin e një ligji që nuk përmbush asnjë qëllim përveçse penalizimit të industrisë së turizmit. Ju drejtohem ju, me shpresën se do të ngriheni mbi interesin e çastit e do të reflektoni me votën tuaj vullnetin dhe interesin e atyre që përfaqësoni, por edhe vetëdijen individuale për rëndësinë strategjike të turizmit për zhvillimin e vendit. Vota juaj në favor të shfuqizimit është prova që duhet t’u japim shqiptarëve se interesat e tyre janë mbi interesat partiake. Uroj që kjo çështje të shërbejë si shembulli se nuk nevojitet presioni i ndërkombëtarëve për t’u marrë vesh e për të bashkëpunuar për ato çështje që përbëjnë prioritet kombëtar”,- shprehet Gaci, në letrën e tij.