Gastriti, si të parandalojmë sëmundjen e stomakut

Gastriti është një problem shëndetësor, i cili lind si pasojë e një sërë faktorësh fizikë dhe kirurgjikalë, të cilët çojnë në ënjtjen e mukozës së stomakut. Kjo gjendje, shpeshherë shndërrohet në kronike, gjë që sjell dhe përkeqësimin e mëtejshëm.

Shkaktarët e gastritit

 Ka disa arsye kryesore, të cilat specialistët i quajnë si faktorë që shkaktojnë gastritin.

Tejkalimi i pirjes së alkoolit

Tejkalimi i pirjes së alkoolit ose përdorimi i tij i shpeshtë mund të çojë në shfaqjen e gastritit. Ndërveprimi i shpeshtë i indeve të stomakut me alkoolin çon në dëmtimin e tyre, gjë që sjell dhe shfaqjen e gastritit për një kohë të gjatë.

Ilaçet

Disa ilaçe specifike, gjithashtu, mund të jenë shkaktare të gastritit. Është e vërtetuar që njerëzit që marrin më shpesh ilaçe si aspirina për një kohë të gjatë, bëhen persona potencialë për t’u prekur nga gastriti.

Operacionet

Shfaqja e gastritit lidhet edhe me disa ndërhyrje kirurgjikale. Disa sëmundje si kanceri në stomak kërkojnë, detyrimisht, heqjen e qelizave dhe indeve të prekura, por gjatë këtij procesi ndryshon dhe funksionimi normal i stomakut.

Djegiet

Djegiet e rënda në zonën e stomakut, gjithashtu ndryshojnë funksionimin normal të tij. Në këto raste, trupi e konsideron stomakun si diçka të jashtme, duke e luftuar. Kjo ndikon në dëmtimin e indeve dhe mukozës së stomakut. Edhe infeksionet mund të prishin mënyrën e funksionimit të tij.

 Heqja e kilogramëve, nëpërmjet kirurgjisë

Edhe pse këto procedura ndikojnë në heqjen e dhjamit nga zona e barkut, një nga efektet anësore më të çuditshme të tyre është gastriti. Në disa raste, gjatë këtyre operacioneve kemi lidhje të pjesëve të stomakut me aparatin tretës. Në këtë mënyrë sekrecionet e panevojshme të acideve gjatë tretjes, duke u kombinuar me ndryshimet e funksionimit të stomakut, bëhen shkaktare të gastritit.

Faktorë psikologjikë

Faktorë të ndryshëm psikologjikë si: Stresi, tensioni, shqetësimet apo depresioni mund të çojnë në sekrecione jonormale të stomakut si dhe lëngje të ndryshme të tij. Kur nuk kanë se me çfarë të reagojnë, këto lëngje sulmojnë indet e stomakut dhe shkaktojnë gastritin. Ashtu si edhe për shumë sëmundje të tjera, çelësi është në parandalimin e tyre. Nëse gastriti arrin të shfaqet njëherë, ai sjell me vete edhe shumë rregulla dhe kufizime në mënyrën e jetesës. Për këtë arsye është më mirë që të marrim masat e nevojshme për ta parandaluar.

Konsultimi me mjekun

Shumë prej nesh kanë zakonin që të pinë ilaçe pa recetë për të hequr dhimbjet e stomakut. Nëse duam që të ruhemi nga gastriti, duhet të heqim dorë nga kjo procedurë. Dhimbjet e stomakut kanë natyrë të ndryshme. Ne nuk mund të dimë nëse ilaçi që kemi blerë pa recetë dhe që e pimë, jep rezultate të ndryshme nga ai që ne dëshirojmë. Për këtë arsye, gjithmonë është e rekomandueshme që të konsultohemi me një mjek, para se të pimë çfarëdolloj ilaçi.

Ushqimet e freskëta

Nëse duam që të jemi të shëndetshëm dhe të mos kemi probleme me gastritin, është e rekomandueshme që të hamë ushqime të shëndetshme. Nëse është e mundur duhet të eliminojmë produktet dhe ushqimet e ngrira. Edhe më keq është nëse konsumojmë ushqime të cilat kanë qëndruar në frigorifer për një kohë të gjatë. Tek ushqimet që ruhen në të tilla kushte zhvillohen disa lloje bakteresh të cilat mund të shkaktojnë gastritin.

Mënjanoni ushqimet e yndyrshme dhe të dëmshme

E rëndësishme është që të hamë ushqime të lehta dhe të shëndetshme. Njerëzit, të cilët hanë ushqime të shpejta, të skuqura dhe pikante janë më të predispozuar për t’u prekur nga gastriti. Kur ne hamë ushqim të yndyrshëm ose pikant, struktura e trupit tonë ndryshohet së bashku me sekretimin e lëngjeve që ndihmojnë në tretjen e ushqimit. Kjo gjë mund të dëmtojë sistemin e tretjes dhe të shkaktojë gastrit.

Të mënjanojmë ushqimet e pagatuara mirë

Ushqyerja me ushqime që janë të pagatuara mirë ose të gjalla nuk është e shëndetshme. Ndër këto ushqime kryeson mishi. Duhet të jemi të sigurt se ushqimi që konsumojmë është i zierë ose i pjekur sa duhet. Nëse është gjysmë i pjekur, me siguri përmban baktere, të cilët lehtësisht mund të hyjnë në trup nëpërmjet stomakut dhe me siguri fillimisht do të dëmtojnë indet e tij.

Lani shpesh duart tuaja

Diçka që e mësojmë që kur jemi fëmijë dhe që duhet ruajtur në mënyrë strikte, nëse duam që të parandalojmë gastritin është ruajtja e higjienës ose “zakoni i shëndetshëm” për të larë duart me sapun para se të fillojmë të hamë. Meqenëse duart prekin dhe mbajnë gjëra të ndryshme gjatë gjithë ditës, asnjëherë nuk mund të jemi të sigurt nëse nuk kemi pasur kontakt me ndonjë lloj bakteri që mund të dëmtojë organizmin tonë.

 Mos konsumoni fruta dhe perime të palara

E këshillueshme është të mos hamë fruta dhe perime të palara, sidomos ato që shiten nëpër kuti ose në rrugë. Ato, jo vetëm që do të jenë të mbuluara me pluhur, por janë të mbushura me shumë baktere, duke qenë se janë lënë për orë ose ditë të tëra në rrugë. Kur hamë këto fruta, bakteret hyjnë në organizmin tonë dhe e bëjnë më të ekspozuar për një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë këtu edhe gastritin.

Comments are closed.