Gjiknuri: Zgjedhjet me KZAZ-të

 

Socialistët do të hyjnë në zgjedhje pa anëtarë në KQZ. Në rast se ky institucion nuk riformatohet nga e para, lufta, sipas sekretarit për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri, do të zhvendoset në qendrat e votimit dhe më pas ato të numërimit të votave. “Ne nuk do të çojmë anëtarë në KQZ pasi nuk duam të bëhemi pjesë e një seksioni politik. Ose KQZ të risjellë besimin tek procesi zgjedhor duke u riformatuar ose duke marrë disa masa ekstra e t’i negociojmë ose le të vazhdojnë të mbajnë përgjegjësinë e asaj që bënë deri në fund. Le t’i menaxhojnë vetë zgjedhjet. Ne do të përgatitemi për zgjedhje, do vazhdojmë punët me komisionet e niveleve të dyta e të treta poshtë, zgjedhjet do vendosen aty. Nëse KQZ do të fusë duart në proces, do të përballet me skenarë, të cilët ne do të përgatitemi”,deklaroi Gjiknuri. Socialistët kanë zgjidhjen edhe për shpalljen e fituesit, i cili deri më tani bëhej nga KQZ me të paktën 5 vota pro. Kolegji, sipas tyre, do të certifikojë rezultatin final të 23 qershori.  Gjykata e Zgjedhjeve duket si një variant i mirë edhe për pjesën e mbetur të KQZ-së. Të bllokuar në disa vendimmarrje që kërkojnë shumicë të cilësuar, anëtarët thonë se do t’i drejtohen Kolegjit për të shkuar edhe vetëm në ditën e zgjedhjeve. “Mbledhjet e KQZ-së me 4 veta janë të vlefshme, pra, janë legjitime. Në përgjithësi aktet normative kanë kaluar, i kemi miratuar. Mundet të ketë dhe vendime të cilësuara me 5 vota. Në këto votime të cilësuara mbledhjet me 4 anëtarë kuptohet që nuk janë legjitime. Padiskutim që do investohet Kolegji Zgjedhor për këtë. Pa 2 anëtarë, pa 3 anëtarë, edhe nëse do të ikim dhe ne të tjerët, Shqipëria i ka ligjet për të zhvilluar zgjedhjet”, deklaroi anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj. Pas dy largimeve në seri të Denar Bibës dhe Albana Shtyllës, të propozuar nga PS, Jani Jani i PBDNJ-së, dha të dielën dorëheqjen. Më herët ai kishte deklaruar ngrirjen e detyrave si anëtar i KQZ-së, duke bojkotuar mbledhjet.

“Jo numërim elektronik”, PS: Testi dështoi, refuzojmë “Fierin”

Partia Socialiste e konsideron të dështuar testin për numërimin elektronik të votave në Qarkun e  Fierit. Duke iu referuar testit të kryer pak ditë më parë, në raport të posaçëm të PS-së, theksohet se në tetë orë u numëruan vetëm 5 mijë vota nëpërmjet teknologjisë së ofruar nga kompania IDRA. Sipas socialistëve, me anë të numërimit me dorë, grupet e numërimit mundësojnë një proces më të shpejtë se sa me teknologjinë e aplikuar në testin 13 prillit.   Një tjetër detaj që sipas PS rrëzon numërimin elekronik të votave është edhe mënyra e palosjes së fletëve të votimit. Makineria që numëron votat, mund të pranojë si të vlefshme, vetëm ato fletë votimi të cilat janë të palosura saktësisht sipas standardeve të paracaktuara nga makineria. Socialistët e konsiderojnë të dështuar testin duke theksuar se nuk janë kundër aplikimit të teknologjisë, por janë kundër asaj që ata e quajnë neglizhencë nga ana e KQZ-së në këtë projekt pilot për Qarkun e Fierit.