Gjoba ndotësve, pezullohen disa subjekte në Tiranë

 

11 subjekte që merren me riciklimin, përpunimin dhe grumbullimin e vajrave të përdorur, janë penalizuar me gjoba, ndërkohë që për 14 subjekte të tjera  është vendosur pezullimi i përkohshëm i aktivitetit. Këto janë masat më të fundit të Ministrisë së Mjedisit ndaj këtyre subjekteve, tek të cilat janë konstatuar probleme me lejet mjedisore, mungesën e nevojshme të teknologjisë dhe mangësi të theksuara përsa i përket trajnimit të stafit. “Për 11 subjekte kemi vendosur masën administrative dënimin me gjobë, 500 mijë lekë të reja. Ndërmjet këtyre subjekteve bëjnë pjesë riciklues, trajtues, grumbullues e gjenerues. I është përcjellë ministrit Mediu për pezullimi për 14 subjekte. Kemi vendosur heqjen e lejes mjedisore për 2 subjekte, të cilat janë pajisur me leje dhe nuk e kanë ushtruar aktivitetin e tyre për 2 vjet dhe në bazë të ligjit i është bërë propozimi ministrit për heqjen e lejes mjedisore”, deklaroi Alfred deshati, drejtor i Kontrollit të Mjedisit. Autoritetet deklarojnë se nën monitorim të rreptë do të jenë të 18 kompanitë e trajtimit të vajrave përfshirë këtu edhe importuesit, ku këta të fundit duhet të pajisen me licensën e posacme, me leje mjedisore si dhe me një kontratë shërbimi me menaxhuesit e licensuar.