Gjykata Administrative, kalohen 8 nenet e para në Komisionin e Ligjeve

Komisioni i Ligjeve ka diskutuar sot nen për nen të ligjit për ligjin e Gjykatës Administrative. Ndërsa palët janë angazhuar për të realizuar një gjykatë të specializuar, për çështje të caktuara siç është ajo e kontratave administrative është kërkuar kohë për diskutimin me ekspertët. Mazhoranca dhe opozita kaluan me konsensus 8 nenet e para të ligjit për Gjykatën Administrative, ndërsa kanë shtyrë diskutimet për nenet e tjera për ditën e hënë. Palët kanë shprehur qëndrime të ndryshme përsa i përket përbërjes së trupit gjykues në Shkallën e Parë. Socialistët propozuan gjykimin me një gjyqtare për efekt shpejtësie, por edhe përgjegjësie, propozim që nuk u pranua nga Ministria e Drejtësisë. Një tjetër nen që palët shprehën qëndrime të ndyshme ishte gjykimi i kontratave të rrugëve. Socialistët kërkuan që të futen si padi adminsitrative, ndërsa demokratët kanë këmbëngulur që çështja të trajtohet si padi civile. Për këto dy nene Komisioni i Ligjeve ka rënë dakort që palët t’i rishikojnë dhe një herë qëndrimet e tyre. Një javë më parë Komisioni kërkoi nga ministria e Drejtësisë një relacion të plotë për nenet e gjykatës Administrative si dhe koston financiare për ngritje e këtij institucioni. Kjo kërkesë u paraqit nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj, i cili argumentoi se kjo do ti shërbejë përshpejtimit të shqyrtimit të neneve. Sipas deputetëve, nga të dyja forcat politike, pritet që ky projekt ligj të kalojë brenda kësaj jave. Ngritja e Gjykatave Administrative synon shqyrtimin në një kohë më të shkurtër të çështjeve ndërmjet biznesit dhe shtetit. Pas rreth 3 vitesh ligji për Gjykatën Administrative është rikthyer në komisionet parlamentare për tu shqyrtuar nga deputetët, dhe më pas në bazë të marrëveshjes politike të kalojë në parlament. Ky ligj kërkon shumicë të cilësuar prej 74 votash.

Comments are closed.