Gjykata Administrative, Xhafaj: Amendamentet tona, pas konsultimeve

Partia Socialiste organizoi dje, dëgjesën e dytë publike për projektligjin e ngritjes së Gjykatës Administrative. Sekretari për koordinimin e PS-së, Fatmir Xhafaj, theksoi se opozita do të paraqesë amendamentet e saj pas konsultimeve me grupet e interesit, si me ligjvënës, juristë, avokatë, biznesmenë dhe ekspertë të fushës. “Ne kemi menduar në organizojmë një sërë konsultash, ku bën pjesë dhe takimi me avokatët e Tiranës. Por, ne nuk është një ligj as socialist as demokrat, por është një ligj që do t’u shërbejë qytetarëve dhe shtetit dhe duhet konceptuar dhe trajtuar si i tillë. Shqetësimi ynë është se ky projekt, i cili është i mirë pasi ka kaluar një kohë të gjatë debati të mund të përmirësohet më tej dhe me sugjerimet tuaja”,- deklaroi Xhafaj. Sipas Xhafaj, qëllimi i diskutimit për projektligjin për Gjykatën Administrative është përmirësimi dhe cilësia e ligjit, duke shprehur ngurrimin e opozitës, për shkak të keqfunksionimit të sistemit gjyqësor. “Ne kemi qenë shumë të preokupuar për këtë projekt, për shkak të keqfunksionimit të sistemit gjyqësor, pasi nuk duam të shtojmë problemet në gjykata. Projekti është në shqyrtim në komisionin e ligjeve, por për të qenë të kujdesshëm, kemi menduar që projektin në tërësi dhe amendamentet në veçanti ti bëjmë pasi të kemi bërë këtë cikël konsultimesh. Ne kemi disa çështje për të cilat ne kemi interes të veçantë”,- u shpreh Xhafaj. Ndërsa relatori i çështjes në Komisionin e Ligjeve, Armando Subashi, e ndali vëmendjen e tij tek numri i gjykatave që do të krijohen pas miratimit të këtij ligji. Ai u shpreh se duhet të merret mendimi i grupeve të interesit edhe për këtë. “Donim të dinim një mendim në lidhje me numrin e gjykatave që duhet të krijohen pas miratimit të këtij ligji, duke pasur parasysh rolin që do kenë këto gjykata. Sipas projektligjit që po diskutohet në Komisionin e Ligjeve pritet të ngrihen 6 gjykata të Shkallës së Parë dhe 1 Apeli”,- theksoi Subashi. Ngritja e Gjykatës Administrative synon të zgjidhë kryesisht mosmarrëveshjet mes biznesit dhe administratës shtetërore. Ngritja e një institucioni të tillë si pjesë e sistemit të drejtësisë është dhe një nga kushtet, që vendi duhet të plotësojë për anëtarësimin në BE.

 

 

Comments are closed.