Greqi, Evangelos Venizelos kreu i ri i PASOK

Ministri grek i Financave, dhe zv/kryeministëri i qeverisë Papadhimos, Evangelos Venizelos do të jetë drejtuesi i ri i PASOK, pasi fitoi garën pa konkurrentë. Ai mori 97.3 për qind të votave. Rezultati i zgjedhjeve të së dielës, në të cilat votuan anëtarë të partisë e mbështetës, nuk është aspak surprizë për 55-vjeçarin, i cili zëvendëson Jorgos Papandreoun që dha dorëheqjen në muajin nëntor nga posti i kryeministrit, e pak më vonë edhe nga drejtimi i partisë. Tashmë Venizelos,duhet të largohet nga drejtimi i ministrisë së Financave, për t’u bërë gati për zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen në muajin maj. Partia që Venizelos trashëgon është tashmë një parti e përçarë dhe mbështetja në popull është në nivelet më të ulëta historike. Venizelos, një orator i shkëlqyer dhe ambicioz, pritet të riorganizojë socialistët tashmë të përçarë, pas masave që ata u detyruan të marrin në mënyrë që mos falimentonte Greqia. Ai paraqet si arritje të madhe reduktimin e borxhit grek, por nga ana tjetër etiketohet si Ministri i Financave që ka vendosur më shumë taksa, përgjatë vetëm disa muajve në këtë post. Zgjedhja e kryetarit të ri të PASOK-ut do të jetë një test përsa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të zhvillohen pas disa javësh, ku socialistët besojnë të renditen tashmë pas konservatorëve që kryesojnë në sondazhe, por që nuk mund të qeverisin të vetëm, ndaj pritet përsëri një qeveri koalicioni midis tyre, megjithëse të dy palët deri tani e mohojnë si alternativë.

Comments are closed.