“Gruaja në 100 vjet Pavarësi”, Topalli-Berisha: Nderim për gratë shqiptare

Me rastin e 8 Marsit, ditës ndërkombëtare të gruas, në Pallatin e Kongreseve u organizua aktiviteti “Gruaja shqiptare në 100 vjet pavarësi”. I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe kryeministri Berisha, i cili ka përshëndetur të gjitha gratë dhe nënat për festën e 8 Marsit. Ai e ka cilësuar nënën shqiptare, arkitekten e identitetit tonë kombëtar. “Para jush, para çdo gruaja e vajze, nëne shqiptare, ju për çdo vend, për çdo individ për çdo komb, nëna është burimi i jetës. Për ne shqiptarët, nëna është arkitektja e identitetit tonë kombëtar. Sot në këtë 100 vjetor nderimi më I madh u përket grave e nënave shqiptare. 100 vjet përpjekje të jashtëzakonshme mbinjerëzore për liri dhe dinjitet, në çdo moment në çdo rrethanë në krye të sakrificës kanë qenë gratë dhe nënat shqiptare. Kanë qenë ato të cilat së bashku me qumshtin iu mëkojnë vajzave e djemve të tyre dashurinë e pakufijshme për kombin e vendin. Ato kanë qenë dhe janë faktorë vendimtarë I ndryshimeve të mëdha në shqipëri, kosovë e kudo që jetojnë shqiptarë. Por unë dua të shpreh një mirënjohje të veçantë këtu për të gjitha ato 100 e mijëra vajza e gra shqiptare që në vitet 90-të, me guximin e tyre, me virtytet e tyre ishin të parat që u vërsulën për të përmbysur diktaturën më shpërfytyruese që europa kishte njohur në tërë historinë e saj. Jeni ju së bashku me djemtë dhe vajzat tuaja, keni përcaktuar çdo fitore të demokracisë këto 20 vite, jeni ju vajzat dhe gratë shqiptare që sot në të gjitha fushat, shkëlqeni dhe përbëni elitën e mrekullueshme të kombit shqiptar”, u shpreh kryeministri.

Topalli: Nderojmë çdo grua shqiptare

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli në aktivitetin e organizuar në Pallatin e Kongreseve me rastin e 8 Marsit, ka uruar sot çdo grua shqiptare që ka dhënë kontributin e saj në 100 vjet pavarësi. Ajo theksoi gjithashtu se sot nderohen nënat që themeluan shtetin shqiptar, gratë shqiptare që vuajtën regjimin komunist. “Nderojmë ato gra që nuk ia dimë emrin që na mësuan dhe ruajtën gjuhën shqipe, nënat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, nderojmë edhe nënat kosovare. Kjo është dita ku në emër të Kuvendit të Shqipërisë të shpreh mirënjohjen për nënat shqiptare. Përgëzoj çdo grua shqiptare, mësuese, infermiere, biznesmene, gratë në media, art e kulturë për çdo arritje. Mendimi më shkon edhe tek çdo grua shtëpiake që i është dedikuar shtëpisë dhe familjes, shkon tek ato gra që rrisin të vetme fëmijët e tyre, ato janë heroina”, vijoi më tej kryeparlamentarja. Po ashtu Topalli, u shpreh se çdo grua brenda vetes mban shpresë, ndërsa citoi edhe shprehjen, “Një grua e fortë është ajo që është e aftë të buzëqeshë në mëngjes sikur nuk ka qarë në darkë”.

 

Comments are closed.