Haxhinasto: Do të reagojmë për shërbimin e prenotimit me pagesë në Konsullatën e Milanos

Zv/Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, zhvilloi në Romë një vizitë, gjatë së cilës u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Giulio Terzi di Sant’Agata. Sipas deklaratave, dy ministrat diskutuan mbi forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve, zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve e të tjera. Në fund të takimit, Terzi dhe Haxhinasto dhanë një konferencë për shtyp. Shqiptari i Italisë, i pranishëm në konferencë, e pyeti ministrin e Jashtëm të Shqipërisë mbi çështjen e ngritur në këto faqe mbi shërbimin e prenotimit me pagesë të Konsullatës Shqiptare në Milano.

– Zoti ministër, duhet të jeni në dijeni që vënia e një shërbimi prenotimi me pagesë për gjithë shërbimet konsullore nga Konsullata e Përgjithshme në Milano, ka sjellë një haraç të veçantë për ata që i drejtohen kësaj konsullate, duke ngritur dritëhije edhe mbi përfitimet jo të shpërfillshme që nga xhepi i emigrantëve u shkojnë drejtpërdrejtë privatëve të panjohur. Cili është qëndrimi i Ministrisë ndaj këtij vendimi, sipas nesh arbitrar, të Konsullatës së Milanos?

Shërbimet ndaj komuniteteve shqiptare kudo që jetojnë, dhe komuniteti shqiptar në Itali, kanë në mënyrë të padiskutueshme vëmendjen e vazhdueshme të qeverisë në përgjithësi dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme në veçanti. Edhe rasti që përmendni ju, për sa i takon shërbimit me call-center për personat e interesuar për marrjen e pasaportës pranë Konusullatës sonë në Milano, është një çështje, të cilën ne jemi duke e shqyrtuar, duke parë mundësinë për të reaguar në mënyrë të tillë që shqiptarët të mos kenë asnjë kosto shtesë në shërbimet që u ofrohen, qoftë dhe ai për dhënien e pasaportave. Prandaj, shumë shpejt, do të kemi një ndërhyrje për sa i përket ndryshimit të këtij regjimi që ekziston aktualisht.

– Po thoni që do ta pezulloni e që shqiptarët në Milano s’duhet të paguajnë më shumë se ata në Romë apo gjetkë?

Shërbimi do të vazhdojë kështu siç është deri në marrjen e një vendimi të dytë, e përsëris për ndryshimin e mënyrës se si aplikohet dhe se si secili shqiptar që jeton në Itali e dëshiron të marrë një pasaportë, afrohet në Konsullatë, caktohet në një listë të posaçme dhe pastaj realizon futjen e të dhënave në sistemin përkatës për lëshimin e pasaportës. Procedurat dhe çmimet e pasaportave janë të përcaktuara me ligj, problemi që ne ngremë është pagesa shtesë, deri 15 euro, që shqiptarët duhet t’i paguajnë një call-centeri privat dhe të panjohur për të prenotuar një takim në konsullatën e Milanos, për çdo shërbim konsullor. Unë dua të them që kjo tarifë për të cilën flisni është çështje e shërbimit të call center, kjo nuk është një tarifë që vendoset nga konsullata, pra është jashtë shërbimit konsullor. Tarifa të tilla që kërkojnë call center-et nuk janë pjesë e procedurave të vendosura nga Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim më kompaninë që jep pasaportat.

– Pra, meqë nuk është tarifë që u është nënshtruar procedurave, po shqyrtoni ta hiqni?

Ne jemi duke analizuar të gjithë sistemin, të gjithë zinxhirin e shërbimit që i duhet dhënë çdo shqiptari me banim në Itali, dhe e përsëris, shumë shpejt do të kemi një reagim, një reflektim mbi këtë procedurë, mbi këtë mënyrë të marrjes së pasaportave.

– Kur mendoni se do të mbërrijë ky reagim nga ana juaj?

Unë besoj se iu përgjigja.

Marrë nga Shqiptari i Italisë

 

Comments are closed.