Haxhinasto, me ambasadorët e Ekuadorit dhe Filipineve: Thellim bashkëpunimi

Zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto ka pritur dje, në takim, Ambasadorin e Filipineve në Shqipëri, me rezidencë në Romë, Virgilio A. Reyes. Gjatë këtij takimi, Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe u ndal në nevojën e zgjerimit të tyre në fusha të ndryshme, me interes të ndërsjellë. Ai e vuri theksin në mënyrë të veçantë në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe shpejtimin për këtë të nënshkrimit të gjashtë Marrëveshjeve Dypalëshe, si për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve, Eliminimin e Taksimit të Dyfishtë, të cilat janë në proces, por dhe në fusha të tjera, si ato të Kulturës, Punësimit etj. Më herët, Haxhinasto ka takuar edhe Ambasadorin e ri të Ekuadorit në vendin tonë, jo rezident, Diego Stacey-Moreno, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Në vijim të takimit, Haxhinasto vlerësoi si të rëndësishëm forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, duke theksuar, veçanërisht, nevojën e plotësimit të kuadrit ligjor të marrëdhënieve dypalëshe. Në takim u ra dakord për konkludimin e shpejtë të marrëveshjeve për Mbrojtjen e Ndërsjellë të Investimeve, Heqjen e Taksimit të Dyfishtë, heqjen e vizave për pasaportat diplomatike e të shërbimit, Marrëveshje në fushat e Kulturës e Turizmit, si dhe Protokollin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme për konsultime diplomatike.

Comments are closed.