Haxhinasto, në Katar, marrëveshje për heqjen e vizave mes dy vendeve

Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, po zhvillon një vizitë zyrtare në Katar, gjatë së cilës u prit në një audiencë të veçantë nga Emiri Sheikh Hamad bin Khalifa Al-Thani, si dhe u takua me zyrtarë të tjerë të lartë. Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se gjatë vizitës në Shtetin e Katarit, zv/kryeministri Haxhinasto, nënshkroi edhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për Mbajtësit e Pasaportave Diplomatike dhe Speciale. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u vlerësua si hapi i parë drejt heqjes përfundimtare të vizave midis dy vendeve. Në takimin me Emirin e Katarit, u diskutua për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe u theksua se marrëdhëniet e shkëlqyera duhet të përkthehen edhe në një bashkëpunim ekonomik e tregtar me interes të ndërsjellë. Emiri i Katarit deklaroi se “ne jemi gati që të vijmë e të investojmë në Shqipëri. Qëllimi ynë nuk është për një investim afatshkurtër, por do të investojmë së shpejti dhe mendojmë për investime afatgjata.” Bashkëbiseduesit nënvizuan se tashmë është vetëm fillimi i një etape të rëndësishme në bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunim i cili do të shoqërohet edhe me praninë e biznesit shqiptar në Katar. Ndër fushat e identifikuara për bashkëpunim, u veçuan: energjia, turizmi e kultura, infrastruktura, ndërtimi, shërbimet dhe agrobiznesi. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për lehtësimin e lëvizjes së qytetareve të dy vendeve, si dhe për vendosjen e një linje direkte midis dy kryeqyteteve, duke krijuar kështu bazën për një shkëmbim kulturor dhe turistik edhe më të madh në të ardhmen.

 

 

Comments are closed.