Haxhinasto në Shkup: Të zbardhen të gjitha incidentet

Zv/kryeministri njëherësh edhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto gjatë takimit me homologun e tij maqedonas, Nikola Poposki, ka kërkuar zbardhjen e të gjitha incidenteve, përfshirë dhe rrahjen e dhjetëra nxënësve shqiptarë nga grupe të maqedonasve etnik.  “Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Kemi kërkuar hetim të plotë të ngjarjeve, kemi kërkuar që institucionet e zbatimit të ligjit të vënë para drejtësisë personat përgjegjës. Kemi kërkuar gjithashtu që të gjithë përfaqësuesit politikë të tregojnë maturi, të tregojnë qetësi dhe mbështetje për institucionet e ligjit për trajtimin e këtyre ngjarjeve”, deklaroi ministri Haxhinasto. Shefi i diplomacisë shqiptare i pyetur edhe për djegien e flamurit maqedonas në Burrel, ka dënuar jo vetëm këtë akt por edhe atë të djegies së flamurit shqiptar. “Kam parë edhe incidente në të cilat është djegur flamuri shqiptar. Incidentet e tilla nuk guxojnë të ndodhin, pasi simbolet kombëtare janë të shenjta për çdo komb, për çdo qytetar. Por, ne sot konstatuam se këto incidente nuk i prishin raportet tona të shkëlqyeshme. Do të përsëris edhe njëherë se është shumë me rëndësi që institucionet të veprojnë sipas ligjit”, u shpreh Haxhinasto.Gjatë qëndrimit në Maqedoni, zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, është pritur edhe nga zyrtarë tjerë të lartë shtetëror ndërsa do të takohet edhe me përfaqëseues të partive politike shqiptare.

 

Comments are closed.