Haxhinasto në Singapor, fton biznesin për investime në Shqipëri

Gjatë turit të tij diplomatik në disa vende të Azisë Juglindore, zv/kryeministri njëherësh edhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ka zhvilluar një vizitë në në Singapor. Në takimin e zhvilluar me me ministrin e Jashtëm të Singaporit, z. K. Shanmugam, Haxhinasto ka ftuar biznesin e këtij vendi për të investuar në Shqipëri. Në takimin, ministri Haxhinasto, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe theksoi rëndësinë që ato të zhvillohen më tej në të ardhmen. “Aktualisht, midis dy vendeve ka një dialog politik që evidentohet edhe në bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare”, tha ai. Ministri Haxhinasto vlerësoi asistencën dhe ndihmën e vazhdueshme që Singapori i ka dhënë Shqipërisë, në kuadër të kualifikimeve të administratës shqiptare. Bashkëbiseduesit vlerësuan se fusha ekonomike është një potencial akoma i pashfrytëzuar nga të dy vendet dhe sipas Haxhinastos ekonomia, duhet të jetë kryefjala e marrëdhënieve midis dy vendeve. Në takim u konkludua realizimi i marrëveshjes për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, e cila do të ndihmojë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajonet respektive. Lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor, Ministri Haxhinasto vlerësoi se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë krijon një dinamikë të re në rajon. Nga ana tjetër, tha ai, Kosova është një realitet që njihet nga një numër i konsiderueshëm vendesh dhe pavarësia e saj ka rritur stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Z. Shanmugam tha se ata do ta rikonsiderojnë qëndrimin për pavarësinë e Kosovës në dritën e zhvillimeve më të fundit atje, dhe në kuadër të perspektivës së integrimit në BE, që kanë të gjitha këto vende të rajonit. Gjatë vizitës në Singapor, Haxhinasto është takuar edhe Kryetarin e Parlamentit dhe me përfaqësues të biznesit. Singapori ishte vendqëndrimi i parë i ministrit Haxhinasto në kuadrin e turit diplomatik që ai po zhvillon në disa vende të Azisë Juglindore

 

Comments are closed.