Haxhinasto: Plani “Ahtisari”, zgjidhja e vetme për veriun e Kosovës

Zv/kryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ka deklaruar se plani “Ahtisari” është zgjidhja për veriun e Kosovës. Në një konferencë për shtyp, së bashku me Ambasadorin e ri të Kosovës, Sylejman Selimi, Haxhinasto i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve për idenë e hedhur për një autonomi për veriun e Kosovës. “Për sa u takon ideve, mendimeve, sugjerimeve për autonomi, apo të tjerave që ju përmendët për pjesën e veriut të Kosovës, mendoj se ka ardhur koha që gjithsekush, çdo përfaqësues europian, çdo përfaqësues ndërkombëtar, të flasë me një zë për nevojën e zbatimit të plotë të planit “Ahtisaari” për veriun dhe të mos krijojë kakofoni, pasi kështu nuk është aspak produktiv, por përkundrazi, krijon situata, të cilat nuk i shërbejnë zgjidhjes së këtij problemi. Unë mendoj se është momenti që shoqëria kosovare, brenda kufijve aktualë të Kosovës, të mendojë për integrimin e mëtejshëm të saj dhe jo për krijimin e formateve, të cilat kanë dështuar në të kaluarën, kështu mendoj se këtë perspektivë që është, gjithashtu, edhe një perspektivë shumë e rëndësishme europiane, e jep në mënyrën më të saktë plani “Ahtisaari” për veriun e Kosovës”,- ka theksuar Haxhinasto. Nga ana e tij, Ambasadori Selimi ka theksuar se së bashku me Haxhinaston, kanë diskutuar për shumë zhvillime që janë duke ndodhur në Kosovë, për mundësitë dhe bashkëpunimin në nivele të ndryshme, si në nivelin politik, ekonomik, por edhe atë kulturor në përgjithësi. “Jam shumë i interesuar që këtë nivel bashkëpunimi ta rrisim, ta konkretizojmë edhe më tej. Kështu që është takimi im i parë dhe do të jem çdo herë në bashkëpunim me ministrin, në funksion të ngritjes së bashkëpunimit në të gjitha nivelet”,- ka theksuar Selimi.

 

 

 

 

Comments are closed.