Haxhinasto, tur vizitash në Singapor, Brunei dhe Tajlandë

Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto ka nisur një tur vizitash zyrtare në Singapor, Brunei dhe Tajlandë. Kjo vizitë do t`i shërbejë zgjerimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me këto shtete, vendosjes së kontakteve midis vendeve dhe popujve të këtij rajoni dhe inkurajimit të marrëdhënieve ekonomiko- tregtare. Gjatë takimeve me zyrtarët e këtyre vendeve, ministri Haxhinasto do të fokusohet në rritjen e dialogut të mëtejshëm politik, për t`i vendosur marrëdhëniet e deritanishme me këto shtete në një stad të ri, si dhe plotësimin e kuadrit të nevojshëm institucional me to. Bashkëpunimi ekonomik do të jetë në qendër të këtyre bisedimeve, ku do të shkëmbehen informacione dhe do të shqyrtohen mundësitë e adoptimit të praktikave më të mira nga përvojat përkatëse. Duke bërë të njohur performancën e ekonomisë shqiptare, klimën inkurajuese të investimeve për kompanitë e këtyre vendeve, Ministri Haxhinasto do të ndalet në mundësitë e investitorëve të tyre për të investuar sidomos në fushën e infrastrukturës, energjitikës, turizmit etj. Gjatë vizitave në Singapor, Brunei dhe Tajlandë, një vend të rëndësishëm do të zënë edhe bisedimet për forcimin e bashkëpunimit në fushën e marrëdhënieve shumëpalëshe dhe në organizatat ndërkombëtare. Lidhur me qëndrimin për çështjen e Kosovës, kur të tre vendet nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë do të ndalet në mundësitë e njohjes së saj nga këto vende, në zhvillimet më të fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duke i njohur gjithashtu me kontributin konkret të shtetit të pavarur të Kosovës dhe institucionet e tij legjitime e funksionale në stabilizimin dhe bashkëjetesën në rajon.

Comments are closed.