Hetimet, akuza të ndërsjella Ministri e Drejtësisë – Prokurori

MD: Ina Rama shkeli ligjin, nuk ndëshkoi 59 prokurorët

Vijon përplasja mes Ministrisë së Drejtësisë dhe institucionit të Prokurorisë shqiptare. Akuza të njëpasnjëshme janë përcjellë prej dy ditësh nga të dyja palët ku akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të ligjit. Të përditshmet publikuan raportin e Ministrisë së Drejtësisë, ku pas një inspektimi të hollësishëm akuzon Prokurorinë e Përgjithshme se ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin në rastin e hetimit të çështjeve nga ana e prokurorëve të cilët nuk kanë respektuar afatet ligjore. Sipas raportit të kësaj ministrie, i cili i është dërguar anëtarëve të komisionit parlamentar të ligjeve, thuhet tekstualisht se: “Qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë është se qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme përbën pengesë të ushtrimit të mekanizmave kushtetues dhe ligjorë të kontrollit të pushteteve dhe organeve kushtetuese. Prokurori i Përgjithshëm në 3 raste ka kundërshtuar kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë me argumentin se janë në kapërcim të kompetencave të parashikuara në nenin 56 të ligjit për prokurorinë. Në 10 raste kontrolli, Prokurorit të Përgjithshëm i është rekomanduar nisja e procedimit disiplinor për 59 prokurorë”.

 Shoqata e Prokurorëve: Nuk i takon Ministrisë të bëjë kontrolle

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Shoqatës së Prokurorëve, që nëpërmjet një njoftimi për shtyp përgënjeshtroi dhe hodhi poshtë si të pavërteta, konkluzionet e raportit të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo shoqatë theksoi se Ministria e Drejtësisë në ushtrimin e kontrolleve të kryera në Prokurori ka shkelur hapur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, duke nxjerrë përfundime mbi mënyrën e zgjidhjes së çështjeve, çka del jashtë objektit të kontrollit të përcaktuar në nenin 56 të ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. “Sipas Kushtetutës dhe ligjit, vendimet e prokurorëve kontrollohen vetëm nga gjykata dhe prokurorët më të lartë, por jo nga pushteti ekzekutiv”, citon njoftimi për shtyp. Më tej, shoqata duke iu drejtuar opinionit të gjerë publik, theksoi se shkeljet e pretenduara nga Ministria e Drejtësisë nuk qëndrojnë. “Ato janë tendencioze dhe kanë si qëllim të vetëm të denigrojnë punën e prokurorëve dhe t’i demotivojnë në përmbushjen e funksioneve të tyre ligjore”. Pas kësaj, ishte Ministria e Drejtësisë që reagoi nga deklarata e Shoqatës së Prokurorëve. Të jesh i pavarur nuk do të thotë të mos japësh llogari, dhe procesi i llogaridhënies është proces vital për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Më tej, njoftimi citon se në fokus të inspektimeve të kryera nga Ministria e Drejtësisë gjatë një viti, ka qenë verifikimi i politikës penale. “Objekti i inspektimeve është përcaktuar në përputhje me shqetësimin dhe ankesat e publikut, mbi ushtrimin e një politike penale të gjatë vitit të kaluar nga prokuroria, duke aplikuar masa të ulëta dënimi”. Ministria e Drejtësisë thekson me tej se respekton maksimalisht pavarësinë e institucionit, duke i bërë të ditur se askush nuk është i pakontrollueshëm. “Ministria e Drejtësisë, si pjesë e pushtetit ekzekutiv, mbështet, bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë e saj me prokurorinë në respekt të plotë me parimin e qeverisjes të sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Parimi i ndarjes së pushteteve, siç ka interpretuar edhe Gjykata Kushtetuese, nuk duhet kuptuar që çdo pushtet është i mbyllur dhe i pakontrolluar nga askush. Ndarja e pushteteve midis tri degëve të qeverisjes garantohet vetëm nëpërmjet sistemit të kontrolleve dhe ekuilibrave”.