Historia e shqiptarëve në luftën ballkanike dhe ndihma e presidentëve amerikanë

100-vjetori i Pavarësisë, një film dokumentar kushtuar Federatës Panshqiptare “Vatra” të Amerikës

Nga Eglantina Alliaj

Filmi dokumentar “Vatra e shqiptarëve të Amerikës”, do të japë në mënyrë historike dhe emocionale, punën vigane të bërë nga patriotët shqiptarë, para dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në kuadrin e vitit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, filmi kushtuar “Vatrës” do të jetë një ngjarje e rëndësishme në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë. Filmi bëhet edhe në kuadrin e 100-vjetorit të kësaj Federate. Episodet kryesore do të tregojnë kohën dramatike që kalonte Shqipëria gjatë luftës ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, kur shtetet fqinje kërkonin ta copëtonin Shqipërinë. Në fillim të shekullit 20, kur sapo ishte shpallur Pavarësia, qeveritë shqiptare ishin shumë të dobëta dhe “Vatra” mori detyrat e qeverisë në mërgim. Ajo drejtoi, organizoi, mbështeti financiarisht luftën e madhe diplomatike në Evropë, për njohjen e të drejtave legjitime të kombit shqiptar. Ajo demaskoi qëllimet e traktatit të Fshehtë të Londrës, që mbas lufte kishte planifikuar copëtimin e Shqipërisë mes Greqisë, Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Dy kanë qenë figurat kryesore të kësaj shoqate të madhe patriotike: Fan Noli dhe Faik Konica. Megjithëse rivalë në pikëpamjet e tyre, ata mbajtën gjallë qëllimin final – ruajtjen e pavarësisë territoriale të Shqipërisë. Gjithashtu, në film, do të dalin fuqishëm edhe figura të tjera si: Kol Tromara, Dr. Mihal Turtulli, Mithat Frashëri, motrat Qiriazi, Kristo Dako etj. Çastet kulmore dhe emocionale të filmit do të jenë të lidhura me artikujt e fuqishëm të patriotëve shqiptarë në faqet e gazetës më të madhe të shqiptarëve të Amerikës “Dielli”. Ky film do të evidentojë në mënyrë të veçantë mbështetjen e fuqishme të presidentëve amerikanë për çështjen kombëtare shqiptare, duke filluar nga Willson e Roosvelt deri tek Presidenti Klinton në kohët tona për pavarësinë e Kosovës. Në film do të ketë dhe intervista të rëndësishme nga personalitete shqiptare dhe ato amerikano-shqiptare, që do të flasin për vlerat e veçanta të kësaj Federate, që ndihmoi edhe financiarisht me mbështetjen e delegatëve shqiptarë në konferenca të rëndësishme ndërkombëtare si ajo e Parisit, Gjenevës, derisa Lidhja e Kombeve pranoi Shqipërinë si anëtare të saj, me të drejta të barabarta me kombet e tjerë në botë. Premiera e filmit do të bëhet nëNew York,Boston, Tiranë, në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Në fillim të shekullit XX, kur sapo ishte shpallur Pavarësia, qeveritë shqiptare ishin shumë të dobëta dhe “Vatra” mori detyrat e qeverisë në mërgim. Ajo drejtoi, organizoi, mbështeti financiarisht luftën e madhe diplomatike në Europë, për njohjen e të drejtave legjitime të kombit shqiptar. Ajo demaskoi qëllimet e traktatit të Fshehtë të Londrës që mbas lufte kishte planifikuar copëtimin e Shqipërisë mes Greqisë, Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Dy kanë qenë figurat kryesore të kësaj shoqate të madhe patriotike: Fan Noli dhe Faik Konica”

“Ky film do të evidentojë në mënyrë të veçantë mbështetjen e fuqishme të presidentëve amerikanë për çështjen kombëtare shqiptare, duke filluar nga Willson e Roosvelt, deri tek Presidenti Klinton, në kohët tona për Pavarësinë e Kosovës. Në film, do të ketë dhe intervista të rëndësishme nga personalitete shqiptare dhe ato amerikano-shqiptare, që do të flasin për vlerat e veçanta të kësaj Federate, që ndihmoi edhe financiarisht me mbështetjen e delegatëve shqiptarë në konferenca të rëndësishme ndërkombëtare si ajo e Parisit, Gjenevës, derisa Lidhja e Kombeve pranoi Shqipërinë si anëtare të saj, me të drejta të barabarta me kombet e tjera në botë”

Intervista/ Flet regjisori Ilia Tërpini dhe skenaristja Angjelina Papalino

 

Tërpini: Roli i “Vatrës”, para dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

– Dihet që “Vatra” është një emër i njohur për të gjithë, për shërbimet e mëdha që i ka sjellë çështjes sonë kombëtare. Kur ju lindi ideja për të realizuar një film të tillë me përmasa të mëdha? Ju drejtohem juve, Angjelina, si skenariste e këtij filmi?

Angjelina: Do t’ju duket çudi po t’ju them se kemi pritur deri në orët e vona të natës, tek ambientet e “Dajtit”, dikur në fillim të demokracisë, kur sapo kishte ardhur personaliteti nga Amerika, Antoni Athanas. Unë, Ilia Tërpini, gruaja e Ilias, prisnim me ankth ç’përgjigje do të merrnim për të bërë filmin dokumentar për “Vatrën”. Por zoti vonon, por nuk harron, siç thotë një fjalë popullore. Dhe ja, filmi do të realizohet pikërisht tani, në 100-vjetorin e themelimit të kësaj organizate të madhe patriotike. Dua të theksoj se fillimet e punës janë edhe shumë kohë më përpara, kur punonim në Kinostudio.

Ilia: Fillimisht, ne donim të bënim vetëm një film të thjeshtë dokumentar për bandën muzikore “Vatra”, sepse kishim një premtim, një përkushtim për të afërmit tanë që kanë qenë pjesëtarë të saj. Unë kam pasur babanë, Petro Tërpini dhe Angjelina, gjyshin e saj, Kristaq Koco. Në shtëpinë time, në dhomën e pritjes e kam të varur në kornizë një fotografi të Bandës muzikore “Vatra”, me një trumpet të madhe në mes, me emrin e shoqatës dhe vitin e ardhjes në Shqipëri, 1919, në prag të luftës së Vlorës. Portreti i babait më rri si çekan në kokë për ta bërë këtë film. Dhe ja kur erdhi rasti të realizoj filmin për Federatën “Vatra”, duke përfshirë në të edhe historinë e Bandës muzikore që erdhi bashkë me vullnetarët nga Amerika e largët, për të hedhur në det pushtuesit italianë, 1920. Banda “Vatra” i jepte frymë lirie më shumë me marshet e saj, çdo pëllëmbë tokë që çlirohej nga ushtritë pushtuese gjatë Luftës së Parë Botërore.

– Mendoj se keni përballë një det materialesh dhe ndonjëherë kjo sjell më shumë vështirësi në realizimin e një vepre filmike, apo jo?

Angjelina: Po, është e vërtetë. Materiali është i bollshëm, studimet janë të gjitha brenda dhe jashtë vendit. Ne kemi konsulent të filmit Prof. Beqir Meta, i cili, mes të tjerave, ka shkruar edhe një libër shumë interesant me një analizë gjithëpërfshirëse të punës së madhe patriotike, iluministe të kësaj “Vatre”, me figura të mëdha, siç janë Fan Stilian Noli e Faik Konica, dy kolona kryesore të këtij monumenti të madh patriotik, që quhet “Vatra Shqiptare e Amerikës”. Fondet e arkivave të shtetit, të Kinostudios, të Muzeut Kombëtar, i kam shfrytëzuar me kohë edhe kur shkruaj skenarë të tjerë, si ai për Revolucionin e vitit 1924, në bashkëpunim me historianin Hysen Kordha, por edhe për filma të tjerë të mi me tema historike si “Profesor Doktor Aleksandër Xhuvani”, “Etnogjeneza e shqiptarëve”, “Lufta e Vlorës”, etj.

 – Ndërsa ju Ilia, që i keni marrë me përkushtim titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”, keni në biografinë tuaj filma dokumentarë dhe artistikë edhe me tema historike, siç janë: “Petro Nini Luarasi”, “Mësonjëtorja”, “Guna përmbi tela”, etj…

Ilia: Sigurisht, tema historike është tema e shpirtit tim, sepse këtë gjak kam në damar. Jam emocionuar shumë tek filmi “Guna përmbi tela”, kur regjisori Muharrem Fejzo kishte zgjedhur një episod të filmit, parakalimin e Bandës “Vatra” në Vlorë ditën e fitores. Vatranët, në veshjet e tyre kishin një shirit me emrin e “Vatrës”. Ata erdhën bashkë me vullnetarët luftëtarë për mbrojtjen e Pavarësisë së Shqipërisë, për ta shpëtuar atë nga copëtimi i rrezikshëm. Në këtë film dokumentar do të vendosim shumë dokumente që do të jepen për herë të parë dhe që do të tregojnë historikun e manifestimeve dhe kuvendeve të mëdha të “Vatrës”, në ndihmë të atdheut në rrezik. Fakte emocionuese të filmit do të jenë xhirimet e vendeve, shesheve, zyrave të “Vatrës”, statutit të saj, kalendarit Kombiar etj.

 Angjelina: “Atdheu në rrezik”, “Jepni për nënën”, janë dy refrene që mbushin të gjitha zemrat e shqiptarëve të Amerikës për të bërë vepra të mëdha. Dikush, me ndihma financiare, dikush tjetër me kthimin në atdhe, si luftëtar i pavarësisë, dikush tjetër me ide të fuqishme iluministe në artikujt rrëqethës që botonte gazeta më e madhe e shqiptarëve të Amerikës, “Dielli”. Thirrjet patriotike, analizat e thella të situatave që kalonte Shqipëria gjatë Luftës Ballkanike apo Luftës së Parë botërore, protestat e amendamentet drejtuar Fuqive të Mëdha, në mbrojtje të tërësisë territoriale të tokave shqiptare, janë një material dramatik dokumentar që do ta bëjë filmin me vlera të veçanta emocionuese dhe informuese.

– Mendoj se edhe intervistat do të kenë vendin e tyre në këtë film…

Ilia: Filmi po bëhet i mundur më mbështetjen e të gjitha institucioneve brenda dhe jashtë vendit. Ai po realizohet në bashkëpunim me RTSH-në. Ne kemi gjetur mbështetjen e plotë edhe të drejtuesve të “Vatrës”, me seli në New York. Intervistat që do të merren nga personalitetet amerikane dhe amerikano-shqiptare, të lidhura me këto ngjarje historike, sigurisht që do ta pasurojnë këtë film.

 Angjelina: Ishte fat i madh për Shqipërinë që ajka e inteligjencës shqiptare u mblodh në Amerikë, ku si vend demokratik, ata kishin një terren të mrekullueshëm për të punuar dhe luftuar për çështjen kombëtare. Në intervistat e tyre, zoti Gjon Bucaj, kryetar i “Vatrës”, si dhe në intervistën e zotit Agim Karagjozi, Kryetar Nderi i “Vatrës”, do të theksohet vlerësimi i madh dhe ndihma e pakursyer e presidentëve amerikanë të asaj kohe, Willson dhe Roosevelt, deri tek ndihma e dhënë nga presidentët e sotëm, të Amerikës për Pavarësinë e Kosovës dhe për demokracinë në Shqipëri. Në film, do të përfshihen edhe ceremonitë e festimit të 100-vjetorit të Vatrës, seksioni shkencor dhe aktivitete të tjera ku do të bashkohen bashkë me personalitete të politikës e kulturës nga të gjitha trojet shqiptare.

– Kur parashikohet premiera e filmit?

Ilia: Në prag të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, premiera e filmit do të bëhet në Tiranë dhe në New York e Boston.

Operatori Zhani Tërpini

Do intervistohen personalitetet shqiptare dhe amerikane

 

Unë jam operatori i këtij filmi shumë të rëndësishëm dhe më del një detyrë e madhe për të bërë. Filmi do të ketë shumë intervista me personalitete amerikane dhe shqiptaro-amerikane. Gjithashtu, edhe në Shqipëri do të intervistohen shumë akademikë, si prof. Beqir Meta, i cili është edhe konsulent i filmit, bashkë me avokat Rasim Hasanaj, akademiku Alfred Uçi, Dritëro Agolli.

 

– Mësova se ju keni marrë pjesë në shumë festivale filmash si në Gjermani, Itali, Greqi, ç’mund të na thoni?

 Unë kam marrë pjesë në festivale me filmat që kam xhiruar, si “Dashuria e një zonje franceze për Shqipërinë e Parisin”, filmat dokumentar “I kudondodhuri”, etj., ku jam vlerësuar dhe me çmim. Kam shkuar në shumë shtete, por në Amerikë shkoj për herë të parë.

Comments are closed.