Historiku i grabitjeve të bankave në Shqipëri. Mangësi në sistemin video dhe në kualifikimin e rojeve

Rikthehen grabitjet e bankave në kryeqytet, rasti i fundit shënon vrasjen e parë brenda një banke

Vrasja e arkëtares, policia: Skema e ngjarjes, e njëjtë me vrasjen e argjendarit

Kthim pas, në historitë e grabitjeve në vendin tonë. Kamera tek NBG Bank, ku ndodhi vrasja, nuk punonte – asnjë gjurmë e autorit. Shoqërohen dhjetëra të dyshuar në polici

Një ngjarje e rëndë tronditi dy ditë më parë kryeqytetin, ku si pasojë e një grabitjeje të një banke, mbeti e vrarë arkëtarja dhe u plagos rëndë roja. Krejt papritur, në mes të ditës, në një moment kur dhe në filialin e bankës NGB, në sheshin “Shtraus”, zonë e njohur si “Xhamllëku”, kishte dhe klientë të tjerë. Kjo ishte hera e parë në Shqipëri, që ndodhte një vrasje, në përpjekje për grabitje, brenda një banke private. Kohët e fundit, ka një shtim serioz të rasteve të grabitjeve në banka. Shumë njerëz besojnë se masat e sigurisë, në pjesën më të madhe të bankave, janë të ulëta. Historia e kobshme tronditi të gjithë opinionin publik dhe ngre pikëpyetjen e madhe: nëse jemi apo jo të mbrojtur, nëse vërtet funksionon rendi apo qetësia, nëse jeta e njeriut dhe prona është e sigurt. Sot, të gjithë qytetarët ndihen të kërcënuar, pasi çdo ditë dëgjohen raste grabitjesh në banka, qendra të këmbimit valutor apo dhe të banesave dhe çantave. Kronika televizive dhe ato të shtypit të shkruar transmetojnë herë pas here raste të tilla, të cilat, pa dyshim, sjellin një konotacion negativ tek njerëzit, për aftësinë e mbizotërimit të rendit dhe qetësisë nga ana e forcave të policisë. Ndonëse lobohet shumë se po luftohet krimi i organizuar, po luftohet për kapjen e bandave kriminale, sërish kriminaliteti në vendin tonë nuk ka ndalur, madje, më keq akoma godet në mes të ditë, në mes të kryeqytetit.

Ngjarja e rëndë që përfundoi në tragjedi

Ngjarja e rëndë, e cila përfundoi me përgjakje, ndodhi rreth orës 15.00 të mesditës së të martës, kur zona ishte me kalimtarë të paktë, çka ka lejuar që autori apo autorët e saj të veprojnë lehtësisht. Grabitësit kanë qenë persona të armatosur, të cilët kanë hyrë dhunshëm në mjediset e bankësNBG, kanë shtënë me armë ndaj policit që ruante bankën dhe më tej, arkëtaren 42-vjeçare, e cila pak më vonë humbi edhe jetën.

Kamera tek NBG Bank ku ndodhi vrasja nuk punon, s’gjendet nga iku autori

Policia e Tiranës, në hetimet që po kryen lidhur me vrasjen e së ndjerës Leonora Kaloçi, në mjediset e brendshme të Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG), ka hasur në vështirësi, pasi kamera që gjendet në afërsi të filialit, është jashtë funksionit prej kohësh. Burime nga policia e Tiranës thanë për mediat se janë duke u kryer hetime, por hasen vështirësi për faktin se kamera, e cila gjendet në pjesën e jashtme të bankës, nuk ka regjistruar asgjë.

Skema e ngjarjes

Personi që ka kryer krimin, fillimisht, ka hyrë në portën e bankësNBGdhe menjëherë ka vënë një maskë në fytyrë. Pranë sportelit gjendej roja, i ulur në një karrige. Autori e ka qëlluar dy herë rojën dhe më pas i është drejtuar arkëtares në sportel, duke i kërkuar të japë të gjitha paratë që kishte brenda në kasë. Kështu tregojnë dëshmitarët okularë në vendngjarje. Leonora Kaloçi ka thënë: “Po, ja prit sa t’i mbledh”. Në një moment, duket se ka bërë lëvizje fatale, sepse autori ka dyshuar mos ajo bënte ndonjë lëvizje të dyshimtë, kur arkëtarja, megjithatë, i tha qartë se i bindej kërkesës së tij. Autori e ka qëlluar edhe atë me armë, duke e lënë të vdekur në vend. Duket se roja është tronditur nga kjo dhe i ka thënë: “Mos, ç’bëre?”. Pas kësaj, ai ka marrë dhe një goditje tjetër me plumb. Më pas, autori ka dalë nga banka, ka kthyer në të djathtë dhe ka vrapuar tek rrugica pranë bankës – pikërisht aty ku gjendej dhe kamera e prishur, e cila do të ndihmonte në punën për identifikimin e vrasësit.

Vrasësi i arkëtares te banka NBG, i dyshuar për vrasjen e Rrapo Sinanajt

Policia e Tiranës deklaroi se autori i vrasjes së arkëtares së filialit të bankësNBG, të martën në Tiranë, mund të jetë implikuar në një vrasje tjetër, po me motiv grabitjen. Arma që qëlloi mbi arkëtaren Leonora Kaloci, nënë e 2 fëmijëve, dhe rojës së bankës, Skënder Elmazi, ka qenë tepër e njohur për hetuesit. Sipas tyre, e njëjta armë është përdorur në vrasjen e argjendarit, Rrapo Sinanaj, më 21 tetor të vitit 2011, në argjendarinë që ndodhej mes rrugës “Siri Kodra” e “Ferid Xhajko”, në kryeqytet. 61-vjeçari i vrarë në tetor 2011, ndodhej në argjendarinë në pronësi të tij, në rrugën në Unazë, kur një person i maskuar hyri në dyqan, kërkoi paratë dhe pasi argjendari kundërshtoi, e qëlloi atë dy herë me armë dhe e la të vdekur në vend.  Ndërkohë, dhjetëra persona janë shoqëruar në policinë e Tiranës në lidhje me ngjarjen e ndodhur në filialin e kësaj banke, në Tiranë. Policia ka shoqëruar çdo person që ka ngjashmëri fizike me autorin e dyshuar të ngjarjes. 

Grabitje tek NBG Bank, vrasja e parë brenda një banke

Zyrtarët e policisë thanë se nuk lejohet në asnjë mënyrë që punonjësit e sigurisë të rrinë brenda mjediseve të bankës. “Na vjen keq që edhe në rastin në fjalë, punonjësi i sigurisë gjendej brenda bankës ku ndodhi vrasja”, – deklaroi një zyrtar i lartë policie, në drejtorinë rajonale të Tiranës, pasditen e djeshme. Ai përmendi në daljet për mediat, se edhe të tjera masa sigurie mungojnë në bankat private në vendin tonë. Kjo ishte hera e parë në Shqipëri që ndodhte një vrasje, në përpjekje për grabitje brenda një banke private. Kohët e fundit, ka një shtim serioz të rasteve të grabitjeve në banka. Shumë njerëz besojnë se masat e sigurisë, në pjesën më të madhe të bankave, janë të ulëta.

Kthim pas, në historitë e grabitjeve në vendin tonë

Po të bëjmë një regres në kohë, do të kujtojmë se kemi plot raste të grabitjeve të bankave të Nivelit të Dytë në vendin tonë. Kështu, nëse do të flisnim për vitin 2012, do të përmendnim grabitjen e datës 30 janar, ku u grabit filiali i një banke në kryeqytet. Personat që kryen vjedhjen dyshohet se janë larguar me një shumë prej 2 milionë lekësh të vjetra. Grabitësit, nën kërcënimin e armëve, kanë mundur të marrin shumën, ndërkohë që u larguan menjëherë, pa qëlluar njeri, nëpërmjet një rruge dytësore me motor. Ende ky rast rezulton të jetë i pazbardhur nga policia dhe autorët janë ende të lirë. Ndërkohë, një rast tjetër ishte grabitja në Vlorë dhe Laprakë, ku brenda 24 orëve u grabitën filialet e bankave të Nivelit të Dytë. Në qytetin e Vlorës, gjatë kohës kur ndodhi grabitja, mbeti i plagosur punonjësi i sigurisë së bankës. Për të dyja rastet e mësipërme, nuk u gjend asnjë autor.

Numri i grabitjeve

Para pak ditësh, konkretisht, në datën 5 mars, Prokuroria e Tiranës dorëzoi në Parlament një raport, në të cilin, mes të tjerash, alarmi më i rrezikshëm për Shqipërinë është ai i grabitjeve. Përllogaritjet e organit të akuzës flasin për një total prej 7706 vjedhjesh brenda 365 ditëve, çka do të thotë se mesatarisht, në Shqipëri, ndodhin 20 vjedhje të llojeve të ndryshme në ditë, dhe një nga më të rëndat, mbetet ajo e grabitjes së bankave. Kjo ka shtuar dhe nevojën për një sistem sigurie gjithëpërfshirës, në të cilin tashmë nuk është vetëm roja i portës dhe kamerat vëzhguese, por i gjithë stafi; secili ka detyrën e tij të veçantë dhe sekrete. Ndonëse nuk përjashtohen rastet e grabitjeve profesionale, nivelet e sigurisë në Shqipëri janë rritur deri në atë pikë sa edhe projektimi i ndërtesës së një banke bëhet i atillë, që një grabitës të mos jetë në gjendje të kuptojë se ku mbahen kasafortat. Për uljen e këtij lloj krimi, masat ndëshkuese të ligjit janë nga më të rëndat. Grabitja e një banke mund të kushtojë 25 vjet heqje lirie.

Policia, 10 mijë euro për kapjen e autorit

Ende asnjë i arrestuar nga policia e Tiranës, për ngjarjen që tronditi ditën e martë banorët e kryeqytetit. 10 000 euro është shuma që Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka vendosur për personin që do të japë informacione të vlefshme, që të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve, të grabitjes sëNBGBank, ku mbeti e vrarë arkëtarja e bankës dhe u plagos punonjësi i sigurisë. Në një njoftim për shtyp, policia publikoi edhe numrat e telefonit 069 41 10 364; 069 41 00 751; 069 41 02 018”, për këdo që mund të ketë informacione.

 

Vëzhgim/ Bankat e Nivelit të Dytë: Punonjësit të zbatojnë rregulloren

Ekspertët: Të forcohen masat e sigurisë në banka

Mangësi në sistemin video dhe në kualifikimin e rojeve private

 “Jemi të pasigurt!”. Këto janë fjalët që mund të dëgjosh më shpesh nga të moshuar dhe të rinj, kur lëviz rrugëve të kryeqytetit, kur je në ndonjë linjë urbane apo edhe kur ulesh për të pushuar për pak kohë, në ndonjë kafene. Të gjithë shprehin pasigurinë e tyre duke thënë: “Dole nga shtëpia, lutu Perëndisë të kthehesh gjallë”. Në fakt, siguria e jetës lë për të dëshiruar në kryeqytetin tonë. Madje, shumë herë mund të jesh gjendur në ndonjë ngjarje që të ka tronditur dhe sapo ke arritur në shtëpi, ke filluar të këshillosh pjesëtarët e familjes sate, nga më i vogli e deri tek më i madhi, që të tregohen të kujdesshëm kur lëvizin rrugëve të këtij qyteti të zhurmshëm. Mjafton të ndezësh televizionin dhe ngjarjet e kronikës së zezë pasojnë njëra-tjetrën: “Një aksident automobilistik, si pasojë e shpejtësisë në një rrugë, vrasje për motive xhelozie në një vend tjetër, vrasje për hakmarrje apo për trafikim lëndësh narkotike, vjedhje në autobusë e shtëpi, e kështu me radhë”. E, në fakt, shumë prej vrasësve lëvizin lirshëm në këtë kryeqytet të zhurmshëm. Kur dëgjoj këto ngjarje, eseja e një profesori të njohur – “Njeriu në qytet” – më vjen shpeshherë në mendje. Në të thuhej se qyteti është “pjellë e krimit” dhe se vdekja jonë mund të vijë aksidentalisht, në çdo moment. Këtë ilustrim mund ta shpjegojë më mirë ngjarja që ndodhi ditën e martë në kryeqytet, ku gjatë grabitjes së një banke, mbeti e vrarë arkëtarja dhe u plagos roja i sigurisë. Grabitësi ka qëlluar me armë ndaj dy punonjësve të bankës, pasi ka hasur në rezistencën e tyre për të dorëzuar paratë. Vjedhjet në baka dhe kërcënimet më armë në këto institucione janë bërë mëse të zakonshme në këtë kryeqytet. Pyetja që mund të ngrihet rëndom gjatë këtyre ditëve është: sa të sigurt jemi në këtë kryeqytet dhe sa të sigurt janë këta punonjës në bankat e kryeqytetit?

Sa të sigurt janë punonjësit e bankave

Në një vëzhgim të bërë nga gazeta “Republika”, në disa prej Bankave të Nivelit të Dytë, punonjësit e sigurimit ishin të gjithë në gatishmëri. Ngjarja e së martës i ka vënë ata më shumë në lëvizje dhe i ka bërë më të përgjegjshëm. Pothuajse në të gjitha këto institucione, përgjegjës për sigurinë janë dy persona, një jashtë bankës dhe një brenda saj. Kur afrohesh dhe i pyet, ata thonë se ngjarja e së martës ishte ndryshe, pasi sado që ta ruaje bankën atë ditë, personi do të qëllonte. Ndërsa lëviz më tej, në një prej bankave, roja private është larguar nga puna dhe po merret me rregullimin e tij të jashtëm (po lyen këpucët). Kjo të bën të mendosh që në shumicën e rasteve, rojat private nuk janë të përgjegjshëm, madje as kualifikuar në shumë raste për të mbuluar sigurinë e bankës. Më e keqja është se, në mjaft rate, ata janë burra në moshë dhe të pafuqishëm për të ruajtur bankën. Përveç një personeli të pakualifikuar, sa i takon sigurisë, një tjetër problem i evidentuar është edhe mosfunksionimi i sistemit të kamerave. Burime konfidenciale pranë Policisë së Shtetit konfirmojnë se kamerat jashtë bankave janë vendosur në një pozicion të lartë. Kjo do të thotë që nuk fokusojnë asnjë person kur hyn dhe del nga banka. Në të njëjtin pozicion vendosen dhe kamerat brenda bankës. Pozicioni i tyre nuk bën të mundur dallimin e personit që hyn në bankë ose e fokuson atë vetëm nga lart. Pamjet që të ofrojnë këto kamera nuk janë aspak të favorshme për hetimet e policisë. Kështu, kjo e fundit nuk mund të ndihmohet nga ky sistem video që funksionon tani për tani në banka.

 Më tej, ekspertë të tjerë thonë se me gjithë ligjin e rreptë, mënyra se si ruhen bankat nuk mund te përballojë sulme të armatosura. “Kjo i përket politikës së brendshme të bankave, por unë nuk e shikoj te bankat, sepse me një rojë të paarmatosur, një bankë nuk mund të bëjë shumë. Banka mund të përsosë sistemin e vet teknologjik, por kundër armëve të zjarrit ose një njeriu në gjendje “të dëshpëruar për para”. Banka është edhe një aktor biznesi, ndaj është detyrë primare e shtetit dhe e policisë që të marrë masat për mbikëqyrjen e këtyre pikave”,- thotë ish-drejtuesi i policisë, Shkëlzen Rexhepi, në një prononcim për mediat. Sipas Rexhepit, faji i policisë rëndohet akoma edhe më shumë, për shkak se nuk e kontrollon dot territorin. “Mënyrat e reagimit të policisë lidhen me shumë faktorë, që nga mënyra se si është organizuar policia në terren dhe është e rastit të themi, që ka një mungesë të kontrollit të territorit në mënyrën e duhur nga ana e forcave të policisë. Mënyra se si është organizuar policia në terren le shumë për të dëshiruar”,- tha Rexhepi.

Përfaqësuesit e bankave

Drejtuesit e filialeve në Bankat e Nivelit të Dytë thonë se nëse ndodh një rast i tillë, që një grabitës vjen dhe kërcënon një arkëtar, sipas rregullores, ai duhet të ngrejë duart lart dhe ta lërë të lirë. Megjithatë, drejtues të tjerë thonë se në arkë bankat nuk duhet të kenë një sasi të madhe lekësh, që edhe nëse dikush vjen edhe grabit, të marrë atë sasi që është. Në rastin e transfertave, bankat duhet të mbyllin dyert dhe të sigurohen sa më mirë. Në vijim të ngjarjes së hidhur të ndodhur më datë 27.03.2012, në degën e bankës NBG (National Bank of Greece) në zonën e Xhamllëkut, Shoqata Shqiptare e Bankave, në emër të 16 bankave që operojnë në territorin shqiptar, ka reaguar nëpërmjet një njoftimi duke përcaktuar: “Në agjencinë e një banke tregtare në Tiranë, ditën e martën, 27 mars 2012, si pasojë e një grabitjeje të armatosur dhe të dhunshme, humbi jetën një punonjëse e bankës dhe roja e sigurisë. Kjo është një ditë e trishtuar për të gjithë komunitetin bankar në Shqipëri. Mendimet, lutjet dhe ngushëllimet tona më të përzemërta shkojnë për të ndjerën dhe familjen e saj. Siguria e punonjësve dhe klientëve është e një rëndësie parësore për bankat dhe për këtë arsye, ambientet e tyre janë të pajisura me sistemet e duhura të mbrojtjes dhe masat e përshtatshme të sigurisë. Sipas informacionit të deritanishëm, në agjencinë bankare të sulmuar ishin marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë dhe punonjësit kanë ndjekur të gjitha procedurat standarde, duke mos paraqitur rezistencë ndaj grabitësve. Megjithatë, kjo vjedhje ka përfunduar në fatalitet, duke dëshmuar për një nivel të ri kriminaliteti, përkundrejt të cilit nevojitet veprim dhe kundërpërgjigje e shpejtë dhe nga të gjitha organet e zbatimit të ligjit. Ky ishte akti më fatkeq dhe më i rëndë i një serie të gjatë tentativash dhe grabitjesh të bankave në qytete të ndryshme të Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, për shumë prej të cilave kriminelët përgjegjës, ende nuk janë kapur dhe ndëshkuar nga drejtësia. Shoqata Shqiptare e Bankave, në emër të të gjitha bankave anëtare, dënon ashpër veprimet brutale dhe kriminale, dhe i bën thirrje Policisë së Shtetit për të vepruar në mënyrë të shpejtë dhe efikase për gjetjen dhe kapjen e kriminelëve”,- përfundon njoftimi i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.