HIV/AIDS, sëmundja që mund të mbahet nën kontroll / Flet Marjeta Dervishi
Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Ekskluzive/ Flet Marjeta Dervishi, mjeke epidemiologe pranë Institutit të Shëndetit Publik

HIV/AIDS, sëmundja që mund të mbahet nën kontroll

Ja pse duhet kryer sa më shpejt testimi. Gratë shtatzëna, si mund të reduktohet sëmundshmëria tek fëmija. Numri i rasteve të raportuara deri në fund të vitit 2011 dhe grupmoshat më të prekura. Veprimet që duhet të kryejnë klinikat private për të referuar rastet në laboratorët konfirmues.

Numri i rasteve të raportuara në vendin tonë me HIV/AIDS, deri në fund të vitin 2011, ishte 484. Por këto shifra nuk pasqyrojnë situatën reale, për sa kohë numri i testimeve mbetet ende i ulët. Vetëm për vitin 2011, në vendin tonë raportohen 72 raste dhe kjo është shifra më e lartë vjetore e rasteve të reja. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Republika”, Marjeta Dervishi, mjekja epidemiologe në Programin Kombëtar të HIV-AIDS-it, e cila, më tej, thotë se sa i përket raportit meshkuj-ferma, kemi në dominancë meshkujt, në një raportin 70 për qind për meshkujt dhe 30 për qind për femrat. “Nëse shikojmë shpërndarjen sipas grupmoshave, vëmë re se grupmosha më e prekur është nga 25 deri në 45 vjeç, një grupmoshë kjo seksualisht aktive. Gjithashtu, një tjetër grupmoshë që zë rreth 9 për qind të rasteve, janë të rinjtë nga mosha 16 deri në 24 vjeç. Ndërsa për fëmijët nga mosha 0 deri në 15 vjeç, raportohen 24 raste (3 raste vetën në vitin 2011) ose 5 për qind e rasteve”,- thotë Dervishi. Në këtë intervistë, ajo shpjegon edhe mënyrën se si ky infeksion mund të shndërrohet në një sëmundje kronike, si dhe si mund të reduktohet sëmundshmëria nga gratë shtatzëna tek fëmija. Gjithashtu, më tej, Dervishi shprehet mbi veprimet që duhet të kryejnë klinikat private për të referuar rastet në laboratorët konfirmuese.

Cila është situata epidemiologjike sa i takon HIV-AIDS-it në Shqipëri?

Prej dy dekadash, HIV/AIDS-i është prezent në Shqipëri dhe meriton një vëmendje të veçantë. Në vendin tonë, deri në fund të vitit 2011, janë raportuar 485 raste. Në të vërtetë, këto janë shifrat e raportuara, por nuk pasqyrojnë situatën reale, pasi ne mendojmë se vlerësimet tregojnë një numër më të madh rastesh të padiagnostikuara. Nëse do të hedhim një vështrim në grafikun e shpërndarjes sipas viteve, vihet re një tendencë në rritje nga viti në vit. Konkretisht, për vitin 2011, janë raportuar 72 raste dhe kjo është shifra më e lartë vjetore e rasteve të reja. Për sa i përket raportit meshkuj-ferma, kemi në dominancë meshkujt, në një raportin 70 për qind për meshkujt dhe 30 për qind për femrat. Nëse shikojmë shpërndarjen sipas grupmoshave, vëmë re se grupmosha më e prekur është nga 25 deri në 45 vjeç, një grupmoshë kjo seksualisht aktive. Gjithashtu, një tjetër grupmoshë që zë rreth 9 për qind të rasteve, janë të rinjtë nga mosha 16 deri në 24 vjeç. Ndërsa për fëmijët nga mosha 0 deri në 15 vjeç raportohen 24 raste (3 raste vetën në vitin 2011) ose 5 për qind e rasteve. Në shumicën e rasteve, infeksioni tek fëmijët ka kaluar me rrugë vertikale nga pra nga nëna e infektuar. Shpeshherë, fëmijët janë bërë shkak për diagnostikimin e prindërve. Ndaj ne duhet të punojmë për të sensibilizuar gratë shtatzëna me qëllim që të shtohen testimet për HIV-in, në grupin e analizave që duhet të kryejnë nënat e ardhshme. Vetëm në këtë mënyrë, mund të parandalojmë lindjen e një fëmije HIV pozitiv. Nëse shikojmë humbjet e jetës nga AIDS-i, mund të themi se janë raportuar 92 vdekje ose 19 për qind e rasteve të diagnostikuara. Situata epidemiologjike ka pësuar ndryshime. Duhet thënë që po të bëjmë një krahasim të dekadës së parë me dekadën e dytë, shohim që numri i rasteve të raportuara në vit është rritur ndjeshëm. Vihet re, gjithashtu, një tendencë feminizimi që shprehet me një rritje të peshës specifike që zënë femrat e infektuara. Këto ndryshime të situatës epidemiologjike janë shoqëruar me ndryshime të tjera pozitive në punën që është bërë për kontrollin dhe parandalimin e HIV-AIDS-it. Këtu vlen të përmenden disa fakte. Së pari, që prej vitit 2004 në vendin tonë ofrohet terapia me antiretroviral. Kjo terapi nuk shëron AIDS-in, por e shndërron atë në një sëmundje kronike. Ky është një fakt që shton optimizmin për këtë sëmundje dhe ndikon që të rritet numri i testimeve për HIV-in. Ajo çfarë dua të them është se më parë njerëzit ishin më të stepur të bënin testimin për HIV, pasi mendonin “ja, në fund të fundit, u diagnostikova, por çfarë do të bëhet me tej”. Sot, situata është krejt ndryshe, këta persona nëse trajtohen rregullisht me këtë terapi do jenë si të sëmurët e tjerë kronike. Diçka tjetër që tashmë ka ndryshuar, lidhet me testimin. Tashmë, njerëzit mund të bëjnë testimin jo vetëm në Tiranë, por në shumë qendra të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar në të gjitha prefekturat e vendit, të cilat janë ngritur pas vitit 2007, me mbështetjen e fondit globale. Tashmë, duhet të themi që kemi një shoqatë për personat që jetojnë me HIV-AIDS-in, që sigurisht, u jep mbështetjen e duhur atyre që mbartin këtë sëmundje. Pra, mbi të gjitha, tashmë personat me HIV, nuk e shohin veten kaq të izoluar, por kanë dikë që mund ti mbështesë dhe që punon shumë për zbutjen e stigmës dhe diskriminimit që rrethon këtë sëmundje.

Çfarë duhet bërë me qëllim që njerëzit të vijnë dhe të kryejnë testimin vullnetar për këtë sëmundje?

E përmenda edhe më sipër që fakti i ngritjes së qendrave jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prefektura të tjera të vendit, duhet të ndihmojë në rritjen e numrit të testimeve, por pengesë për këtë, siç e përmenda bëhet stigma dhe diskriminimi, të cilat janë barrierat kryesore që i pengojnë njerëzit të kryejnë testimin për HIV-AIDS-in. Një tjetër problem tjetër qe lidhet me testimin është se që prej vitit 2008, ligji i HIV-AIDS-it ka ndryshuar, duke iu përshtatur edhe ndryshimeve epidemiologjike të vendit tonë. Kështu që ndryshimet epidemiologjike kërkuan ndryshime në strategjinë kombëtare të HIV-AIDS-it, por edhe ligjit. Tashmë, që prej vitit 2008, testimi mund të bëhet edhe në laboratorët private gjë që më parë nuk lejohej me ligj. Kjo shtron një detyrë tjetër ku kërkohet një sensibilizim më i madh për të gjithë laboratorët privatë, të cilët duhet të njohin procedurën e referimit të rasteve HIV pozitiv, raportimin e rasteve ne strukturat e duhura. Këtu qëndron edhe puna jonë, ku kërkohet të bashkëpunojmë me shume nga këta laboratorë që të dinë se çfarë rruge të ndjekin për ta referuar rastin me laboratorët ku bëhet konfirmimi i rasteve. Laboratorët privatë mund të përdorin teknika të ndryshme testimi, por, mbi të gjitha, duhet theksuar që konfirmimi i rasteve duhet të bëhet në Institutin e Shëndetit Publik, në laboratorin referent. Kështu, vetëm pasi të jetë vënë diagnoza me testin konfirmues, që mund të bëhet në ISHP edhe në QSUT, atëherë i duhet thënë personit që është HIV Pozitiv. Pra, edhe një herë e theksoj, që këto procedura dhe, sigurisht, iigji i HIV/AIDS-it, duhet të njihen edhe laboratorët privatë . Kështu këshillimi si para dhe pas testimit bëhet ne qendrën referente të këshillimit, në ISHP, ashtu edhe në qendrat e testimit në Prefektura. Mendoj gjithashtu se punonjësit në këto laboratorë duhen trajnuar per mënyrën e këshillimit të personave që kryejnë testin për HIV-in. Personeli i laboratorëve privatë apo dhe në institucionet shëndetësore jopublike kanë nevojë për një njohje të mirë të ligjit për HIV-AIDS-in dhe zbatimin e tij me përpikëri.

A mund të na thoni se cilat janë grupmoshat më të prekurave nga HIV-AIDS-i?

Grupmosha më e prekur është nga 25 deri në 45 vjeç. Është një grupmoshë seksualisht aktive. Ndërsa sa i përket rrugës së transmetimit, dominon rruga seksuale e transmetimit. Në 82 për qind të rasteve, ne e kemi nga rruga heteroseksuale, 10 për qind e rasteve të tjera i përkasin rrugës së transmetimit homo-biseksuale, duke e çuar kështu në 92 për qind numrin e rasteve nga rruga seksuale e transmetimit. Në përqindje më të ulëta, kemi transmetimin nga nëna tek fëmija, në nivelin 4 për qind. Ajo çfarë dua të them është se sot është koha të kemi një program kombëtar të parandalimit të HIV-AIDS-it nga nëna e infektuar tek fëmija. Kjo do të kërkonte patjetër të kemi një sensibilizim për gratë shtatzëna. Do të ishte një gjë shumë e mirë të bëhej testimi për HIV që në shtatzëni, sepse nëse ato do të diagnostikoheshin HIV pozitive, atëherë ekziston një mundësi e madhe për të reduktuar përqindjen e transmetimit dhe për ta ulur atë në vlerat 1 për qind, një përqindje shumë e ulët. Kështu kjo nënë ka mundësinë ta lindë 99 për qind një fëmijë të shëndetshëm dhe 1 për qind të infektuar me HIV.

Duhet thënë se, këtë vit, nuk kemi pasur raste transmetimi nga gjaku dhe, sipas të dhënave në vitet e kaluara, vlera e kalimit të infeksionit në këtë formë është nën tre për qind.

Me pak se 1 për qind i përkasin kategorisë së përdoruesve të drogës me injektim, por nuk kemi të dhëna që këto raste e kanë marrë këtë infeksion nëpërmjet shkëmbimit të shiringave, një opsion tjetër mund të jetë infektimi nëpërmjet rrugës seksuale. Themi që përqindja e vogël është një lajm i mirë, pasi dihet rreziku, nëse do të përhapej HIV-AIDS-it tek IDU.

Kur flasim për grupmoshat, duhet thënë se pavarësisht se dominon grupmosha 25 deri në 45 vjeç, ne kemi raste në mosha të rritura mbi 70 vjeç që do të thotë se kemi një shpërndarje në të gjitha grupmoshat. Duke qenë vend me prevalencë të ulët infeksioni, kryesisht fokusohemi tek grupet vunerabël ose grupet që janë më në risk për transmetimin e HIV-AIDS-it. Duke u nisur dhe nga rrugët e transmetimit që pamë më sipër, do të specifikonim si grupe vulnerabel: meshkujt që kryenin seks me meshkuj, përdoruesit e drogës me injektim, punëtorët e seksit. Një pjesë e përdoruesve të drogave me injektim dhe një pjesë e meshkujve që kryejnë seks me meshkuj, i përkasin komunitetit rom, fakte që duke iu bashkangjitur edhe stilit të tyre të jetës, na bëjnë që ta konsiderojmë edhe këtë si një grup vulnerabël. Fëmijët HIV pozitivë, gjithashtu, i konsiderojmë vulnerabël, për shkak të një sërë problemesh me të cilët ata ballafaqohen. Keni parë në media një sërë rastesh ku kalohet në diskriminimin e tyre për të mos vazhduar shkollën njëlloj si fëmijët e tjerë, ndonëse nga specialistët është thënë se prania e një fëmijë HIV pozitiv në klase nuk përbën rrezik për fëmijët e tjerë.

A besoni se numri i personave për vitet e ardhshme do të rritet duke qenë se dhe faktorët kanë ndryshuar?

E përmenda edhe pak më përpara që vlerësimet e bëra tregojnë shifra më të larta se ato të raportuara. Jemi në kohë për të bërë vlerësime të reja për numrin e personave që jetojnë me HIV-in. Numri i testimeve mbetet i ulët, por do të ishim më të saktë nëse do të kishim një numër testimesh më të lartë. Kjo do të bënte që edhe numri i rasteve të raportuara të ishte më i lartë. Dua të nënvizoj dhe të tërheq vëmendjen edhe për një problem tjetër. Mendojmë se rastet e raportuara janë diagnostikuar në një stad të vonë. Po të shikojmë mënyrën e referimit, shumica e rasteve vijnë direkt nga klinikat, gjë që do të thotë se vijnë në një stad të avancuar dhe pjesa më e madhe e tyre janë në stadin kur janë shfaqur shenjat dhe simptomat. Kjo do të thotë se këto raste janë infektuar shumë vite më përpara. Nëse do të kishim raste që do të vinin dhe do të diagnostikoheshin në një stad të hershëm do të ishim më të saktë në parashikimet për të ardhmen. Si përfundim, nisur nga numri i rasteve të raportuara, në çdo vit, sidomos vitet e fundit; si dhe nisur nga studimet e ndryshme të sjelljeve dhe ato biologjike te kryera, në grupet vunerabël duket qartë tendenca në rritje. / Gazeta Republika

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin