HIV/AIDS, terapia me antiretroviral ndalon zhvillimin e sëmundjes

Speciale/ Instituti i Shëndetit Publik publikon grupmoshat e prekura dhe shifrat për vitin e fundit

Arsyet pse duhet kryer sa më parë testimi vullnetar. Specialistët e ISHP-së: Ja si mund të reduktohet transmetimi i sëmundjes tek fëmija, kur gratë shtatzëna testohen dhe diagnostikohen para lindjes. Pse testimi vullnetar vazhdon të mbetet i ulët 

HIV/AIDS-i është një sëmundje prej dy dekadash në vendin tonë dhe, sipas specialistëve të Shëndetit Publik, meriton një vëmendje të veçantë. Kjo, për shkak se numri i rasteve rritet çdo vit. Nëse do t’u referohemi shifrave të ISHP-së, deri në fund të vitit 2011, janë raportuar 485 raste, të cilat nuk paraqesin situatën reale, pasi vlerësimet tregojnë një numër më të madh rastesh të padiagnostikuara. Vetëm vitin e fundit janë raportuar 72 raste dhe kjo, sipas specialistëve, është shifra më e lartë vjetore e rasteve të reja dhe sipas raporteve në dominancë janë meshkujt me 70 për qind dhe femrat me 30 për qind. Ndërkohë, po të shikojmë shpërndarjen sipas grupmoshave, vëmë re se grupmosha më e prekur është nga 25 deri në 45 vjeç, një grupmoshë kjo seksualisht aktive. Gjithashtu, një tjetër grupmoshë që zë rreth 9 për qind të rasteve, janë të rinjtë nga mosha 16 deri në 24 vjeç. Ndërsa për fëmijët, nga mosha 0 deri në 15 vjeç, raportohen 24 raste (3 raste vetën në vitin 2011) ose 5 për qind e rasteve. Sa i takon këtij grupi, në shumicën e rasteve, infeksioni tek fëmijët ka kaluar me rrugë vertikale, pra nga nëna e infektuar dhe kështu, shpeshherë, fëmijët janë bërë shkak për diagnostikimin e prindërve. Për këto raste, thonë specialistët e ISHP-së, duhet të punojmë për të sensibilizuar gratë shtatzëna, me qëllim që të shtohen testimet për HIV-in. Sipas tyre, do të ishte një gjë shumë e mirë, nëse testimi për HIV bëhej që në shtatzëni, pasi nëse ato do të diagnostikoheshin HIV pozitive, atëherë ekziston një mundësi e madhe për të reduktuar përqindjen e transmetimit tek fëmija dhe për ta ulur atë në vlerat 1 për qind. Kështu, kjo nënë ka mundësinë ta lindë 99 për qind një fëmijë të shëndetshëm dhe 1 për qind të infektuar me HIV-in. “Situata epidemiologjike ka pësuar ndryshime. Vihet re, gjithashtu, një tendencë feminizimi që shprehet me një rritje të peshës specifike që zënë femrat e infektuara. Këto ndryshime të situatës epidemiologjike janë shoqëruar me ndryshime të tjera pozitive në punën që është bërë për kontrollin dhe parandalimin e HIV-AIDS-it. Këtu vlen të përmenden disa fakte. Së pari, që prej vitit 2004 në vendin tonë ofrohet terapia me anti-retroviral. Kjo terapi nuk shëron AIDS-in, por e shndërron atë në një sëmundje kronike. Ky është një fakt që shton optimizmin për këtë sëmundje dhe ndikon që të rritet numri i testimeve për HIV-in. Sot, situata është krejt ndryshe, këta persona, nëse trajtohen rregullisht me këtë terapi, do jenë si të sëmurët e tjerë kronikë”,- thonë specialistë të ISHP-së.

Testimet

Tashmë, njerëzit mund të bëjnë testimin jo vetëm në Tiranë, por në shumë qendra të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar në të gjitha prefekturat e vendit, të cilat janë ngritur pas vitit 2007, me mbështetjen e fondit global. Por problem vazhdon të mbetet testimi i ulët i rasteve. Në lidhje me testimet, specialistët e ISHP-së thonë se ngritjes së qendrave jo vetëm në Tiranë, por edhe në prefektura të tjera të vendit, duhet të ndihmonte në rritjen e testimeve, por stigma dhe diskriminimi vazhdojnë të mbeten barrierat kryesore që i pengojnë personat të kryejnë testimin vullnetar për HIV-AIDS-in. Njëkohësisht, përfaqësuesit e ISHP-së thonë se “Një tjetër problem që lidhet me testimin është se që prej vitit 2008, ligji i HIV-AIDS-it ka ndryshuar, duke iu përshtatur edhe ndryshimeve epidemiologjike të vendit tonë. Kështu që ndryshimet epidemiologjike kërkuan ndryshime në strategjinë kombëtare të HIV-AIDS-it, por edhe ligjit. Tashmë, që prej vitit 2008, testimi mund të bëhet edhe në laboratorët privatë, gjë që më parë nuk lejohej me ligj. Kjo shtron një detyrë tjetër ku kërkohet një sensibilizim më i madh për të gjithë laboratorët privatë, të cilët duhet të njohin procedurën e referimit të rasteve HIV pozitiv, raportimin e rasteve në strukturat e duhura. Laboratorët privatë mund të përdorin teknika të ndryshme testimi, por, mbi të gjitha, duhet theksuar që konfirmimi i rasteve duhet të bëhet në Institutin e Shëndetit Publik, në laboratorin referent. Kështu, vetëm pasi të jetë vënë diagnoza me testin konfirmues, që mund të bëhet në ISHP edhe në QSUT, atëherë i duhet thënë personit që është HIV Pozitiv. Kështu këshillimi si para dhe pas testimit bëhet ne qendrën referente të këshillimit, në ISHP, ashtu edhe në qendrat e testimit në Prefektura. Mendoj, gjithashtu, se punonjësit në këta laboratorë duhen trajnuar per mënyrën e këshillimit të personave që kryejnë testin për HIV-in”.

Rruga e transmetimit

Grupmosha më e prekur është nga 25 deri në 45 vjeç. Është një grupmoshë seksualisht aktive. Ndërsa, sa i përket rrugës së transmetimit, dominon rruga seksuale e transmetimit. Në 82 për qind të rasteve, ne e kemi nga rruga heteroseksuale, 10 për qind e rasteve të tjera i përkasin rrugës së transmetimit homo-biseksuale, duke e çuar kështu në 92 për qind numrin e rasteve nga rruga seksuale e transmetimit. Në përqindje më të ulëta, kemi transmetimin nga nëna tek fëmija, në nivelin 4 për qind. Sipas ISHP-së, këtë vit, nuk kemi pasur raste transmetimi nga gjaku dhe sipas të dhënave në vitet e kaluara, vlera e kalimit të infeksionit në këtë formë është nën tre për qind. Më pak se 1 për qind i përkasin kategorisë së përdoruesve të drogës me injektim, por nuk ka të dhëna që këto raste e kanë marrë këtë infeksion nëpërmjet shkëmbimit të shiringave, një opsion tjetër mund të jetë infektimi nëpërmjet rrugës seksuale. Në përfundim specialistët e ISHP-së thonë se “Duke qenë vend me prevalencë të ulët infeksioni, kryesisht fokusohemi tek grupet vulnerabël ose grupet që janë më në risk për transmetimin e HIV-AIDS-it. Duke u nisur dhe nga rrugët e transmetimit që pamë më sipër, do të specifikonim si grupe vulnerabel: meshkujt që kryenin seks me meshkuj, përdoruesit e drogës me injektim, punëtorët e seksit. Një pjesë e përdoruesve të drogave me injektim dhe një pjesë e meshkujve që kryejnë seks me meshkuj, i përkasin komunitetit rom, fakte që duke iu bashkangjitur edhe stilit të tyre të jetës, na bëjnë që ta konsiderojmë edhe këtë si një grup vulnerabël”.

Comments are closed.