Ibrahimoviç: Askush nuk e mendoi një rikthim të tillë

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç, ka lavdëruar Arsenalin pas paraqitjes së mbrëmshme të Topçinjve në kuadër të Ligës së Kampionëve. Milani i mbijetoi presionit të Arsenalit dhe pavarësisht se humbi 3-0 arriti të kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 4-3. “Ne nuk mund të jemi të kënaqur, humbëm 3-0, ishim me fat. Ishte një ndeshje e vështirë, një rezultat i keq të cilin nuk e kemi pritur. Ne mund t’ia kishim dalë më lehtë”, u shpreh ai. Po ashtu Ibrahimoviç ka thënë se në prag të fillimit të ndeshjes askush nuk mendonte për një rikthim të tillë, por ata kanë besuar dhe u mungoi vetëm një gol. Por, pavarësisht fitores kundër Milanit në Emirates, Arsenali është eliminuar nga Liga e Kampionëve për shkak të rezultatit nga takimi i parë që u zhvillua në San Siro. Kuqezinjtë e fituan me rezultat 4-0 sfidën e parë të 1/8 së finales të garës më të madhe evropiane për klube, ndërsa në ndeshjen kthyese Topçinjtë triumfuan me rezultat 3-0. Kështu që me rezultat të përgjithshëm prej 4-3 kualifikohet Milani. Skuadra vendase bëri një paraqitje mbresëlënëse në fraksionin e parë të lojës duke dominuar në çdo aspekt dhe duke arritur ta tundë tri herë rrjetin e kundërshtarit. Goli i parë erdhi në minutën e shtatë. Alex Oxlade-Chamberlain dërgoi një harkim të rrezikshëm nga këndi dhe Laurent Koscielny e shfrytëzoi hapësirën që iu dha për ta mposhtur me kokë Abbiatin. Pas një aksioni të Walcott dhe pastrimit jo të mirë të Silvas, Tomas Rosicky i forcoi më shumë shpresat e tifozëve të Arsenalit për kualifikim (26’). Antonio Nocerino dhe Mesbah e ndalën në mënyrë të gabuar Oxlade-Chamberlainin brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit dhe gjyqtari akordoi penalti. I saktë nga pika e bardhë ishte Robin van Persie për t’i dërguar në ekstazë të pranishmit në Emirates (44’). Në gjysmën e dytë u tregua një Milan më i sigurt. Megjithatë, ishte portieri Abbiati që shpëtoi një gol të sigurt pas tentativave të Gervinhos dhe Van Persiet. Në vazhdim edhe skuadra mysafire pati një rast shumë të mirë shënimi, por paksa me fat portieri Szczesny arriti ta mbrojë portën e tij të paprekur.

 

Comments are closed.