Idrizi: Greqia duhet të respektojë minoritetin shqiptar

Partia për Drejtësi dhe Unitet reagoi ndaj Ministrisë së Jashtme greke, e cila, në vijimësi, i cilëson shqetësuese qëndrimet e kësaj force politike në Shqipëri që veçanërisht mbron interesat e komunitetit çam. “Ishte pikërisht reagimi i PDIU-së, ndaj dhunimit të varreve të Boboshticës, ndaj rolit negativ jashtëdiplomatik të konsullit grek të Korçës, denoncimi i Censusit dhe amendamentet e saj qe u bene garant i mosabuzimit, që me siguri nuk i ka pëlqyer Greqisë dhe që zëdhënësi grek i etiketon si qëndrime shqetësuese të PDIU-së. Ne jemi të bindur se kërkesat legjitime të komunitetit çam, janë të frymëzuara drejtpërsëdrejti nga parimet europiane më të çmuara, sikurse është, e drejta e pronës, e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe riatdhesimit të Shqiptarëve të Çamërisë në trojet e tyre”,- tha ai. Si forcë politike, tashmë e përfaqësuar dhe në nivelet e qeverisjes së vendit, PDIU-ja thekson se përkundër shqetësimeve greke, qeveria është e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të të gjitha minoriteteve, ashtu siç dhe Greqia duhet të bëjë,- tërhoqi vëmendjen Idrizi. “Është një detyrim për të cilin qeveria shqiptare punon me tepri, pa kushtëzime. Edhe PDIU-ja ka qenë vazhdimisht në mbrojtje të minoritetit grek. Por reciprociteti është thelbësor në marrëdhëniet mes shteteve. Greqia duhet të respektojë gjithashtu minoritetin shqiptar, ku përfshihen, çamët ortodoksë, çamët apo shqiptarët arvanitas, si dhe të emigrantëve shqiptare”,- u shpreh kreu i PDIU-së. Dhe për këtë, shtoi Idrizi, Greqia le të marrë shembullin e Italisë, e cila sapo ka adoptuar, Kartën Evropiane të Gjuhëve Rajonale dhe Minoritare, duke mundësuar, mësimin e Gjuhës shqipe, por edhe gjuhëve të tjera, minoritare apo rajonale. “Do të ishte në nderin e shtetit grek, që të distancohet nga sjelljet e kaluara shoviniste dhe të sillet si një shembull i standardeve më të përparuara evropiane, duke mundësuar mësimin e gjuhës shqipe, për minoritetin shqiptar ortodoks të ngelur pa dëbuar në Çamëri, si dhe, për arvanitasit e shumtë, ndaj të cilëve shteti grek është borxhli pafundësisht”,- deklaroi Idrizi.

 

 

 

Comments are closed.