Ikim nga koalicioni, Dule: Gati për Polin e Qendrës

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të shohë mundësinë e bashkëpunimit me parti të polit të qendrës nëse sistemi zgjedhor nuk ndryshon. Kryetari Vangjel Dule thotë se po pret përfundimin e diskutimit të ligjit elektoral për të vendosur sesi do të garojë partia e tij në zgjedhjet e ardhshme. Dule saktëson se nuk ngurron të bashkëpunojë me partinë e pritshme të të larguarve nga PD-ja, në kushtet kur dy partitë e mëdha po kërkojnë, sipas tij, të ruajnë të pakorrektuar sistemin aktual zgjedhor. “Janë zhvillimi të cilat i presim me shumë interes. Nëse Poli i Qendrës do të krijojë hapësira, të cilat do t’u shërbejnë interesave strategjike të vendit, që nuk janë të tjera veç ato integruese, me një ritëm të ri dhe me një motivim mbarëshoqëror, sigurisht, partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk mund të refuzonte kontributin e vet në këtë drejtim”,- u shpreh Dule. Për përfshirjen e PDIU-së në qeverinë Berisha dhe reagimi që shkaktoi kjo tek Athina zyrtare, Dule thotë se qeverisjes së vendit nuk i duhen zëra, që sipas tij, nuk kanë lidhje me synimin e integrimit të vendit. “Shqipërisë nuk i duhen zëra që nuk kanë lidhje me realitetin aktual dhe me të ardhmen e vendit”. Dule sheh tek sistemi aktual zgjedhor shkakun e krijimit të koalicioneve pa përmbajtje por thjesht numerike. Në rast të mos ndryshimit të tij, shton kreu i PBDNJ-së, skena politike shqiptare do të vijojë të prodhojë koalicione jo të qenësishme dhe në interes të vendit, por vetëm në shërbim të mbijetesës së forcave politike.

 

 

 

Comments are closed.