Ilir Kokona: Reduktimi i taksave, ndikimi tek të ardhurat e biznesit

INTERVISTË/ Flet Ilir Kokona, kreu i minibashkisë nr. 3

Rehabilitim infrastrukturor për disa zona problematike. Sa është fondi i akorduar për njësinë bashkiake nr. 3. Tregjet ambulante, kërkohet zgjidhje imediate. Numri i familjeve që marrin Ndihmë Ekonomike

Përmirësimi i infrastrukturës është një ndër nevojat kryesore për të gjithë qytetarët e Tiranës. Kështu, një ndër njësitë bashkiake, e cila po ndërmerr një sërë projektesh për rehabilitimin e disa rrugëve është dhe minibashkia nr. 3. “U bënë pothuajse vite që unë rizgjidhem në këtë zonë. Stafi im, bashkë me zotin Basha, janë premtuar ato çka sot, pothuajse janë vënë në zbatim, të paktën kanë kaluar në këshillin bashkiak të gjitha premtimet që janë bërë nga ana jonë, kjo për infrastrukturën. Ndërkohë, nga kërkesat që janë bërë nga njësia jonë bashkiake, janë marrë dhe mendimet nga komuniteti, janë realizuar dhe jemi në fazën e tenderimit, i cili do të bëhet së shpejti, infrastruktura e zonës “Kodra e Priftit”. Kështu shprehet në një intervistë për “Republikën”, Ilir Kokona, kreu i minibashkisë nr. 3.

– Ç’mund të na thoni në lidhje me realizimin e planeve për minibashkinë tuaj, që nga marrja sërish e detyrës së kreut të minibashkisë nr. 3?

U bënë pothuajse vite që unë rizgjidhem në këtë zonë. Stafi im, bashkë me zotin Basha, kanë premtuar ato që sot, pothuajse janë vënë në zbatim, të paktën kanë kaluar në këshillin bashkiak të gjitha premtimet që janë bërë nga ana jonë, kjo për infrastrukturën. Ndërkohë, nga kërkesat që janë bërë nga njësia jonë bashkiake, janë marrë dhe mendimet nga komuniteti, janë realizuar dhe jemi në fazën e tenderimit, i cili do të bëhet së shpejti, infrastruktura e zonës “Kodra e Priftit”. Kështu, para pak ditësh, nisi projekti për ujësjellës-kanalizimet në këtë zonë, ku pritet që të nisë së shpejti dhe faza e rregullimit infrastrukturor. Kështu, një projekt konkret është rregullimi i një kalani që është në rrugën “Tupi”, i cili ishte gangreni i kësaj zone. Për realizimin e këtij projekti është akorduar një fond shumë i madh për t’u rehabilituar. Por ne premtojmë se deri në vitin 2015 do të ngelen shumë pak ose aspak nga ato probleme që shqetësojnë banorët e “Kodrës së Priftit”. Kjo, pasi ne kemi realizuar një pjesë të madhe të premtimeve tona, ku duhet thënë se për njësinë bashkiake nr. 3 brenda këtij mandati do të rikonstruktohen 6 lagje dhe do ngelet shumë pak nga ato probleme që janë sot. Duhet të theksojë se kemi një bashkëpunim mes komunitetit të kësaj njësie dhe bashkisë së madhe. Bashkëpunimi tregohet dhe me ardhjen e zotit Basha, në inaugurimin e ujësjellësit tek “Kadra e Prifit”. Madje, në këtë zonë, kishim probleme me 35 familje, të cilave u ishte prerë gabimisht linja e vjetër e ujësjellësit dhe zoti Basha urdhëroi që brenda 30 ditëve këto familje të furnizoheshin me ujë të pijshëm. Duhet thënë se zëri i qytetarit vjen shpejt tek ne, transmetohet shpejt në bashkinë e madhe dhe vendimet merren në mënyrë urgjente për qytetarin. E kam shprehur dhe më parë se do të isha avokati i kësaj zone dhe po e demonstroj, pasi çdo shqetësim ka shkuar në veshin e strukturave që administrojnë dhe marrin masa.

– Cilat janë disa nga projektet që do ndërmarrë minibashkia juaj për një të ardhme të afërt?

Duhet thënë se kemi një sërë projektesh të cilat do të japin mundësi të rregullimit të disa lagjeve dhe zonave. Këtu do të përmendja rikonstruktimin e lagjes “Sadik Petrela”, blloku “Qemal Stafa”, 8 rrugë kryesore, siç është “Bajram Çela”, “Dalip Topi”, në të cilin përfshihet dhe kanali i madh që shkon deri në rrugën “Zhan Dark”, këto janë probleme të cilat kanë qenë dhe më parë dhe që pritet t’i realizojmë së shpejti.

– Sa është shifra e buxhetit që është akorduar për vitin 2012 për njësinë tuaj bashkiake?

Ne kemi thithur goxha projekte, aq sa nuk janë bërë për 8 vjet rresht. Pra, duhet thënë se buxheti që është akorduar për këtë vit për njësinë bashkiake nr. 3 është dyfishuar. Por ajo që dua të theksoj është fakti që jam shumë i kënaqur me këtë buxhet, i cili do të japë mundësinë e zgjidhjes së shumë problemeve që ekzistojnë në këtë njësi. Të gjitha projektet që ka akorduar bashkia e madhe, janë ato çka kanë dashur vetë njësitë bashkiake. Shumë që është akorduar për minibashkinë nr. 3 kap shifrat e 458 milionë lekëve të reja. Ndërsa për periudhën 2007-2011 ishin akorduar 250 milionë lekë të reja. Për këtë vit, kemi një fond të dyfishuar dhe do të na jap mundësi për të realizuar një sërë projektesh të mëdha për këtë njësi.

–   Para disa ditësh, bashkia e Tiranës publikoi disa nga rrugët më problematike të kryeqytetit. Sa prej tyre janë pjesë e njësisë nr. 3?

Në listën e nxjerrë nga bashkia e madhe, 7 prej tyre janë pjesë e njësisë bashkiake nr. 3. Duhet thënë se në lidhje me rrugët e njësisë 3 ka probleme, por shumica e tyre janë pjesë e projekteve dhe nuk kanë nevojë vetëm për riparim, por dhe për mirëmbajtje. Ndër këto rrugë mund të përmend “Violeta Manushi”. Por duhet thënë se ka nga ato rrugë, të cilat kanë nevojë për projekte dhe nuk mund të zgjidhen problemet vetëm me një asfaltim të tyre.

– Cilat janë disa nga probleme të spektrit social që keni evidentuar në komunitetin e njësisë që ju drejtoni?

Problemi më i madh është tregu i fruta-perimeve, i cili është në gjendje skandaloze. Kemi kërkuar largimin e tyre, por kjo gjë do të sillte që shumë prej këtyre tregtarëve të mbeten pa punë. Duhet thënë se, për fat të keq, tregu është në kushte të këqija dhe i improvizuar. Kjo është pjesa më e vështirë e njësisë nr. 3, e cila kërkon detyrimisht një zgjidhje imediate. Ndërkohë, probleme të tjera lidhen dhe me disa lagje, siç janë blloku “Arkitekt Sinani”, i cili, ende nuk është futur në asnjë projekt këtë vit dhe të paktën nga ana infrastrukturore kjo njësi plotësohet. Ndërkohë, në këtë zonë ka dhe probleme të tjera sociale, siç është varfëria, fëmijët e rrugës, normalisht që nuk haset vetëm njësia jonë bashkiake, por dhe zona të tjera të kryeqytetit. Ne jemi në kontakt me të gjitha institucionet dhe do mundohemi që të lehtësojmë sado pak problemet që kanë qytetarët e kësaj njësie. Ne jemi duke realizuar nga ana tjetër dhe riparimin e 2 shkollave dhe 4 çerdheve, të cilat janë pjesë e një projekti, i cili përfshin riparim të plotë të tyre.


– Sa është numri i familjeve që marrin Ndihmë Ekonomike për njësinë bashkiake nr. 3?

Numri i familjeve që marrin Ndihmë Ekonomike pranë njësisë bashkiake nr. 3 shkon në 350. Ky është një numër relativisht jo i vogël, madje ka dhe kërkesa të reja, por ka dhe nga ato që i largohen kësaj liste. Lidhur me këtë problem, në bëjmë herë pas here rishikimin e listës, për çdo muaj. Kështu, 2 herë në muaj, punonjëset sociale të kësaj njësie dalin në terren për të verifikuar gjendjen aktuale të familjeve që përfshihen në skemën e ndihmës sociale dhe atyre që pretendojnë për t’u bashkangjitur listës. Normalisht, kjo bëhet për mos t’u lënë shteg abuzimeve dhe kontrolli është shumë efikas. Për të zbutur varfërinë në këtë njësi, jemi duke parë për disa variante dhe projekte të ndryshme. Kjo gjë vlen dhe për moshën e tretë, problem të cilin jemi duke e diskutuar në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, për të krijuar sa më shumë lehtësira për këtë moshë.


– Ç’mund të na thoni në lidhje me iniciativën e bashkisë së Tiranës, për heqjen nga taksave të pastrimit dhe gjelbërimit të disa kategorive që gëzojnë një status të veçantë?

 Kjo ishte një iniciativë e mirë nga ana e bashkisë së madhe. Numri i këtyre përfituesve edhe pse nuk mund të them ekzaktësisht, pasi ato shtohen dita-ditës është mbi 300. Ndërkohë, çdo ditë kemi aplikime nga persona që e përfitojnë nga ky vendim dhe është një procedurë e hapur.

– Një nismë tjetër nga ana e bashkisë ishte dhe reduktimi i taksave për biznesin. Çfarë ndikimi ka sjellë kjo gjë tek bizneset që janë në këtë njësi?

Janë 60 taksa që janë hequr dhe kjo ishte një iniciativë e mirë në ndihmë të tyre. Ndërkohë, taksat që vijnë nga bizneset janë një ndihmë e madhe për të gjitha njësitë ku ato ushtrojnë këtë veprimtari. Ndaj duhet thënë se është reduktuar goxha fondi nëpër njësitë bashkiake që vjen nga bizneset.

Lehtësimi i bizneseve nga taksat, i jep atyre mundësinë që të rrisin fitimin, të punësohen më shumë njerëz, pasi jep hapësira për zgjerimin e punës. Duhet thënë se nga kjo iniciativë, të ardhurat e njësisë nr. 3 janë shtuar me mbi 20 për qind, nga çka qenë më parë. Kështu që kjo është shumë e lexueshme se çfarë ndikimi pa pasur reduktimi i taksave për të gjitha bizneset në kryeqytet. Të ardhurat nga biznesi janë rritur, pasi deklarohen më lehtë biznesi i tyre dhe fitimi i tyre. Por duhet thënë se ende ka probleme. E rëndësishme është që të kesh një politikë të qartë, se si mund të vish në ndihmë të njerëzve dhe taksat duhet të jenë, pasi kjo jep mundësinë e zhvillimit të zonës dhe mirëmbajtjes së saj. Politika jonë është fakti që të bindim njerëzit që taksat duhet të paguhen rregullisht. Kjo ka qenë një nga pikat e forta, ku kryetari i bashkisë, zoti Basha, ka insistuar tek fakti që çdo kryetar minibashkie duhet të bindë komunitetin ku është zgjedhur që të paguajnë taksat. Lidhur me këtë fakt, ne kemi në terren ndihmës administratorët ose kryepleqtë, të cilët bindin çdo qytetar për të paguar taksat dhe për çfarë janë ato të nevojshme. Për hir të vërtetës, njësia bashkaike nr. 3 është në një nivel shumë të mirë të vjeljes së taksave.

Intervistoi Edlira MEMA

Comments are closed.