Imami: Integrimi euroatlantik garanton paqen e qëndrueshme në rajon

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, mori pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut në Shkup të Maqedonisë, ku theksoi se integrimi euroatlantik i rajonit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për garantimin e paqes së qëndrueshme dhe zhvillimit ekonomik e demokratik të vendeve të rajonit. Sipas tij, një element shumë i rëndësishëm për të garantuar këtë është bashkëpunimi rajonal me të gjitha dimensionet e tij. Deklaratat e Imamit u dhanë gjatë pranisë së tij Takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut (A5), që po zhvillohet në Shkup, Maqedoni. Në këtë kontekst, Imami përshëndeti ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili merr pjesë për herë të parë në takimet e A5, si rezultat i marrëveshjes së arritur ndërmjet dy vendeve, Kosovë-Serbi, për përfaqësimin rajonal të Kosovës. Ministri Imami, në fjalën e tij, u ndal edhe tek nevoja për një planëzim dhe prioritarizim më të mirë të resurseve për të rritur kapacitetet me më pak burime financiare. Gjatë diskutimeve që u zhvilluan në këtë takim, kreu i mbrojtjes shqiptare, propozoi dy projekte për të konkretizuar bashkëpunimin rajonal: së pari, përqasjen rajonale ballkanike për mbrojtjen ajrore dhe së dyti, për një bashkëpunim më konkret për mbrojtjen bregdetare ndërmjet vendeve që ndajnë të njëjtën vijë detare. Ai theksoi se, veçanërisht, për projektin e dytë, Shqipëria po rrit kapacitetet e saj për mbrojtjen bregdetare, ku përmendi edhe ndërtimin dhe prodhimin e katër anijeve patrulluese. Sakaq, diskutimet e këtij takimi, u përqendruan tek sfidat dhe perspektivat e integrimit euroatlantik të rajonit, si dhe sfidat që vijnë për shkak të krizës ekonomike globale.

Comments are closed.