Imami: Misioni ynë ti shërejmë vendit në rast emergjencash.

Emergjencat në zonat e bllokuara nga bora. Zhvillohet analiza e punës

“Produkti jonë janë dy misione. Misione që i kryejmë në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe misione për t’i shërbyer vendit në çfardo lloj rasti emergjencash.Të dyja këto Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë po i kryejnë në mënyrë të shkëlqyer”. Kështu u shprej dje ministri i Mbrojtjes gjatë analizës së punës të kryer gjatë operacionit të emergjencës në zonat e bllokuara nga bora. Imami dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, kanë përshendetur trupat pjesëmarrëse në operacionin e emergjencave civile, të cilat ishin të rreshtuara në sheshin kryesor të repartit.  “Ju uroj për punën e jashtëzakonshme që keni bërë gjatë këtij muaji për përballimin me sukses të emergjencës së krijuar në verilindje dhe juglindje të vendit nga kushtet e rënduara atmosferike. Shpreh kënaqësinë e madhe që nuk kemi asnjë të lënduar qoftë nga qytetarët, qoftë nga efektivët tanë, nuk kemi asnjë humbje, pavarësisht se në një masë të madhe këto operacione kanë pasur një shkallë të lartë rrezikshmërie” – është shprehur ministri Imami, duke iu drejtuar forcave pjesëmarrëse në operacion. Dhe më pas, duke nënvizuar jetën e njerëzve, si proritet mbi proritetet, ministri Imami tha: “Nuk ka asgjë më të rëndësishme se jeta e njeriut dhe ju, por jo vetëm ju, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë, të Ministrisë së Transporteve dhe, çështë më e rëndësishme, me strukturat e komuniteteve lokale, me një përkushtim të jashtëzakonshëm bëtë të mundur që ky të bëhej një realitet, pra të mos kishte viktima nga kjo emergjencë”. Ministri Imami ka falenderuar të gjithë forcat pjesëmarrëse në operacion, por edhe njësitë dhe repartet veç e veç. Ai përgëzoi pilotët e Regjimentit të Helikopterëve që kanë realizuar operacione dhe kanë shpëtuar jetë njerëzore, duke rrezikuar madje dhe jetën e tyre; efektivët e Forcave Tokësore, Beretat Blu, për gaditshmërinë, disiplinën, ndjenjën e sakrificës dhe devocionin për t’i shërbyer vendit dhe për të ngritur lart emrin e ushtrisë sonë; Brigadën e Mbrojtjes Rajonale, e cila u gjend që në momentet e para të kësaj emergjence përballë forcave të natyrës; Brigadën Logjistike që bëri të mundur që gjithë ky operacion i madh të zhvillohej pa anjë lloj problematikë. Në mënyrë të veçantë ministri i Mbrojtjes Imami falenderoi gjeneralmajor Gjunkshin dhe Shtabin e Përgjithshëm të FA-së për punën, gatishmërinë, sakrificën, këmbënguljen, planizimin e shkëlqyer që i bënë këtij operacioni dhe ta përfundonin këtë mision me sukses të plotë.   Pas kësaj ceremonie, në ambientet e komandës së Batalionit të Forcave Speciale është zhvilluar një analizë për punën e kryer nga strukturat e Foracve të Armatosura që morën pjesë në operacionin për përballimin e vështirësive të krijuara nga reshjet e dëborës në disa qarqe të vendit, si dhe për problematikat që janë evidencuar gjatë këtij operacioni.  Forcat e Armatosura u angazhuan në operacionin për emergjencat civile në ndihmë të popullsisë së bllokuar nga dëbora nga data 6 deri më 29 shkurt 2012. Gjatë kësaj periudhe strukturat ushtarake përballuan me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë qytetare mjaft detyra të vështira. Më konkretisht strukturat e FA kanë kryer aktivitetet si më poshtë: janë evakuar 53 të sëmurë, janë hapur 869 km rrugë të bllokuara nga bora, janë transportuar 112.44 tonë ndihma ushqimore dhe medikamente mjekësore. Nga helikopterët e Bazëz Ajrore në Farkë janë kryer 133 misione, nga të cilat: evakuim të sëmurësh 9 misione, transport ndihmash ushqimore dhe medikamente mjekësore 120 misione, rikornicion në dispozicion të Emergjencës Civile 1 mision dhe ndërrim personeli 3 misione. Forcat e Armatosura angazhuan në operacion 310 forca, 60 mjete të ndryshme dhe 4 helikopterë. Ndërkaq kanë pasur në gatishmëri për operacion edhe 738 forca, 235 mjete të ndryshme dhe 3 anije.

 

 

Comments are closed.