Imami: Qeverisja demokratike e së ardhmes i takon të rinjëve

Kryetari i Grupit të Punës për Qarkun e Elbasanit, ministri i Mbrojtjes Arben Imami zhvilloi një sërë takimesh me rininë në Librazhd dhe në Gjergjan. Para një auditori të rinjsh dhe të rejash, Imami u shpreh se në këto 8 vite qeveria, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë rinisë sidomos në fushën e shkollimit e të arsimimit, sepse faqja e infrastrukturës së arsimit, ka ndryshuar rrënjësisht në Shqipëri. Janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla anembanë vëndit, por kemi akoma sfida përpara dhe modeli ynë i qeverisjes në këto 8 vjet ka qenë të punojmë, të bashkëpunojmë që ta çojmë Partinë Demokratike, qeverisjen e saj në një mandat të ri të gjithë sëbashku. Duke bërë panoramën e zhvillimeve, Imami pohoi se është 3-fishuar numri i studentëve në Shqipëri gjatë këtyre 8 viteve. Sot janë mbi 150 mijë studentë që studiojnë në universitetet e Shqipërisë. Interneti para 8 viteve ka qenë vetëm 6 % ndërkohë që sot ka arritur në 60 %. Këto janë mundësitë që PD ka krijuar. T’i shfrytëzojmë këto mundësi për më shumë dije, për më shumë trajnime, për më shumë komunikim, për më shumë njohuri  sepse vetëm kështu mund të bëhemi të aftë për tregun e punës. “Ne kemi nisur një program të shkollave profesionale, të shkollave të mesme profesionale dhe tani do të vijojmë për ato të larta, jo universitare profesionale, – u bëri të qartë të rinjëve ministri Arben Imami, duke shtuar se – keni parë kur Edi Rama ka deklaruar se djem dhe vajza me fakultet e master punojnë kamarierë?! Ky nuk është sistemi që jep aq të drejta studimi sa janë edhe vëndet e punës në adminisratë shtetërore, ky është treg i lirë, ne kemi si detyrë si qeveri t’iu japim shanse që të shkolloheni sa më mirë, në tregun e punës kush është më i zoti do të ecë përpara. Ne do të bëjmë që shkollat e larta, jo universitare të japin profesione dhe të rrisin garancinë për ju, që nesër kur të dilni në tregun e punës duke pasur një profesion të mund të gjeni një vend pune. Në fakt i gjithë programi i qeverisë sonë për mandatin e ardhshëm është i mbështetur tek ideja e zgjerimit të vendeve të punës. Gjatë vitit të kaluar i gjithë kontinenti europian ka qenë në krizë. Nga të paktët vende që kanë mundur t’i shmangen është Shqipëria. Sipas institucioneve autoritare të Bashkimit Europian në vitin e kaluar Shqipëria pati një rritje prej 1.7 %. Por ndërkohë që ne kemi këtë rritje vendet fqinje janë me minus. Shqipëria me Islandën dallohen se në mesin e krizës patën zhvillim pozitiv, sepse pati vende të reja pune duke përfshirë këtu dhe rritjen në bujqësi me 6% dhe atë në industri me 8%. Në Shqipërinë e sotme theksoi Imami asgjë nuk është e pamundur, ka djem të vegjël, shumë të rinj në moshë të cilët paguhen nëpërmjet internetit sepse paguhen nga “google” dhe këtë ashtu siç e bën një djal nga Paskuqani apo Kombinati në Tiranë mund ta bëj edhe një djalë nga Librazhdi apo nga Elbasani, sepse tashmë interneti nuk është një problem. Nëse sot do të ishim anëtarë të BE do të kishim një fond 22 euro për banorë dhe nëqoftëse do t’i llogarisim për 3 milionë banorë që ka Shqipëria janë 66 milionë për 4 vite janë 266 milionë euro të mundshme që do kishin sjellë më shumë investime në arsim, në kapitalin njerëzor, në trajnime, në rrugë etj. Pas pak javësh cilësoi Imami, do të fillojnë punimet në Kaskadën e Devollit, do të fillojë TAP-i, do të vijojë rruga Tiranë-Elbasan e cila pa dyshim që për Librazhdin është e jashtëzakonshme. Kjo rrugë do jetë rruga më e mirë në Shqipëri e me parametrat më të mirë. Një rrugë e cila do t’ju jap mundësinë që për një orë të jeni në Tiranë e  do të afrojë një treg shumë të madh pune. Brenda pak ditësh do të fillojë edhe ndertimi i rrugës Qukës-Qafë Plloç që do të shtojë fluksin e transportit në këtë zonë.

 

Hyqmet ZANE