Ina Rama, me homologun kosovar: Politika nuk ndërhyn në punën tonë

Gjatë një takimi që patën në Prishtinë, Kryeprokurori Kabashi tha se nuk ka pasur rast të ndërhyrjes së njerëzve të politikës në procese të caktuara. Edhe Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama, mohoi të ketë ndërhyrje të politikës në punën e Prokurorisë, megjithatë, nuk përjashton problemet dhe tensionet që shkaktohen herë pas here. Gjatë takimit të djeshëm, Kabashi e Rama kanë diskutuar edhe rreth zbatimit të marrëveshjes midis dy prokurorive lidhur me bashkëpunimin e ndërsjellë për luftën kundër krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave. Ina Rama premtoi se Shqipëria do të ndihmojë integrimin e Prokurorisë së Kosovës në organizatën ndërkombëtare të prokurorëve, me qëllim të shtimit të efikasitetit dhe bashkëpunimit të prokurorëve në nivel ndërkombëtar. Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama, do të qëndrojë dy ditë në Kosovë. Ajo është takuar edhe me Presidenten Atifetet Jahjaga dhe me zëvendëskryeministrin dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Kuçi ka njoftuar Kryeprokuroren shqiptare me punën që po bën qeveria, respektivisht Ministria e Drejtësisë, në reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovës. Ministri i Drejtësisë ka kërkuar nga Kryeprokurorja Rama ndihmë në ato fusha ku Republika e Shqipërisë me suksese e ka kaluar reformimin në sistemin e drejtësisë, si dhe në krijimin e Akademisë së Drejtësisë në Kosovës. Ndërsa, Kryeprokurorja Rama ka ofruar mbështetjen e Prokurorisë shqiptare për projektet e Ministrisë së Drejtësisë, në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe në krijimin e Akademisë së Drejtësisë.

Comments are closed.